Me makina luksoze, "Lamborghini" dhe "BMW", dy shqiptarë të Kosovës u kapën dje në Vlorë, pasi u pikasën duke ecur me shpejtësi të frikshme në autostradën Fier-Vlorë, madje duke mos i ndaluar as policisë. E duket se gara e tyre në rrugët e Shqipërisë, me shpejtësi 225 km/h, ka marrë edhe vëmendjen e mediave zvicerane. 'Blick' ka shkruar për këtë ngjarje, teksa thotë se dy automjetet luksoze nuk ishin në pronësi të dy kosovarëve.

'Lamborghini' rezulton e marrë me qira në një kompani që jep makina luksoze me qira, ndërsa pronari i kompanisë nuk kishte dijeni për incidentin e regjistruar në Shqipëri. Ndërkohë, makina 'BMW' rezulton në pronësi të një kompanie pastrimi , ku 36-vjeçari kosovar punonte, ndërsa për 'Blick', pronari i kompanisë është shprehur se atë tashmë e pret shkarkimi.

Të dy kosovarët u kapën dje në Vlorë, pasi u pikasën nga radarët e policisë në Bypass-in e Fierit, por nuk ndaluan, derisa u bllokuan nga policia në hyrje të qytetit bregdetar. Drejtuesi i "Lamborghinit", një 40 vjeçar banues në Zvicër, u ndëshkua  me 168 mijë lekë për tejkalim e garë shpejtësie, udhëtim pa targë dhe mos bindjen ndaj policisë.

Ndërkohë, drejtuesi i "BMW, 36-vjeç, banues në Kosovë, u ndëshkua  me 120 mijë lekë për Tejkalim dhe garë shpejtësie.