Mëngjesin e kësaj të hënë në mediat shqiptare qarkulloi me shpejtësi një lajm i rremë se agjencia amerikane e Inteligjencës, CIA kishte publikuar raportin e radhës lidhur me sigurinë në Shqipëri dhe trafikun e drogës, ka reaguar ministria e Brendshme.
“Shqiptarja.com” verifikoi mëngjesin e sotëm lajmin e dalë në media, dhe rezultoi se ky artikull ishte i vjetër dhe i copëtuar duke shkëputur pjesë nga raporti i vitit 2017 për çështjen e Shqipërisë.
Më tej, reagimi i plotë i ministrisë së Brendshme:

Ministria e Brendshme sqaron se lajmi i dalë në media në lidhje me publikimin e një raporti të ri të CIA-s mbi situatën e sigurisë në Shqipëri, është i pasaktë dhe keq-orientues për publikun.
Sqarojmë se nuk ka ndonjë raport specifik të kësaj organizate të publikuar në ditët e fundit në lidhje me situatën në Shqipëri.
“The World Factbook”, është i publikuar në faqen zyrtare të CIA-s. Ky është një produkt i kësaj organizate që përditësohet në mënyrë të përjavshme dhe përmbajtja është lehtësisht e aksesueshme online. Pra, megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i “Factbook” si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë.
Komente

