Mediat greke raportojnë për një vendim të papritur të kryeministrit Tsipras për të shtyrë për një afat të pa caktuar finalizimin e marrëveshjes me Shqipërinë. “Shqipëria dhe Greqia shtyjnë për një kohë më të përshtatshme zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe”. Kështu shkruan gazeta greke “Kthimerini”, e cila thotë se kryeministri grek po merr pak kohë për të qetësuar ujërat në opinionin publik helen, dallgë të cilat janë egërsuar pas marrëveshjes me Maqedoninë.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të vlerësuar nga Brukseli, ka rritur presionin e opozitës greke, e cila kërkuar mbledhje urgjente të Komisionit për politikën e jashtme. “Kathimerini”, shkruan se vendimi i Tsipras për të shtyrë firmosen e paktit me Tiranën ka për qëllim shfryrjen e tensioneve të brendshme deri në ratifikimin e plotë të marrëveshjes me Shkupin.
Ndërkohë ekipet negociatore do të vijojnë punën për të ndarë zonën ekonomike ekskluzive. Gazeta greke sjell në vëmendje hezitimin që ka presidenti shqiptar Ilir Meta për të autorizuar nënshkrimin e marrëveshjes, teksa i njeh kryeministrit Rama vullnetin për të ecur përpara me marrëveshjen. Ministria e Jashtme Shqiptare nuk ka dhënë asnjëherë detaje mbi këtë proces, por vetëm ka njoftuar zhvillimin e tre raundeve të bisedimeve, duke nënvizuar klimën bashkëpunuese dhe pozitive të palëve.