UKRAINË - Në përleshjet luftarake që po zhvillohen në disa pjesë të Ukrainës, nuk janë të përfshira vetëm forcat ushtarake ukrainase si dhe ato të kryengritësve pro-rusë, por gjithashtu janë përfshirë edhe vullnetarë nga vende të ndryshme.
 
Për përfshirjen e pjesëtarëve të grupeve çetnike serbe, është ditur që nga fillimi i luftimeve në këtë vend, pasi ata janë parë në pika të ndryshme të kontrollit, por deri tani nuk është ditur se në këto përleshje të ashpra, ka të përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe kroatë.
 
Dhe pikërisht tani është raportuar se dy shqiptarë dhe një kroat kanë rënë në duart e kryengritësve pro-rusë dhe për fatin e tyre tani për tani nuk dihet asgjë, pra nuk dihet se ku janë duke i mbajtur ata kryengritësit apo nëse ende janë gjallë.
 
Ditë më parë në Serbi janë kthyer një grup i çetnikëve që kanë luftuar në Ukrainë dhe ata janë arrestuar menjëherë me të zbritur në aeroport nga ana e shërbimit sekret serb BIA, të cilët për orë të tëra janë marrë në pyetje në lidhje me angazhimet e tyre në Ukrainë.
 
Pjesëtarët e BIA-s janë munduar të zbulojnë nëse ata kanë shkuar vullnetarisht, apo kanë shkuar për qëllime përfitimit, pra se janë paguar me para, siç ishte raportuar më herët./ZËRI
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)