Për kreun e Republikanëve Fatmir Mediun, beteja për demokracinë është një betejë që shtrihet përtej Shqipërisë, për të cilën duhet luftuar cdo ditë. E në funksion të saj, zgjedhjet e lira janë një element thelbësor u shpreh ai.

“Ne duhet të shkojmë drejt mënyrës së duhur në ndërtimin e kombit tonë dhe të ardhmes sonë Evropiane, në mënyrë që t'u japim njerëzve një shans për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata që përpiqen të kontrollojnë votat dhe jetën e njerëzve të tyre janë ata që janë kundër popullit të tyre dhe janë vetëm për veten dhe interesin e tyre, janë armiq të demokracisë" - tha Mediu.

Në forumin ‘Refleksione mbi gjeopolitikën në Ballkan dhe Shqipëria’ të organizuar nga Këshilli Politik i Partisë Republikane, Mediu tha se udhëheqësit autoritarë, të korruptuar dhe kapja e shtetit po çon në një destabilizim afatgjatë.

“Perëndimi nuk ka mundësi të vazhdojë këtë politikë vetëkënaqësie duke menduar se problemi do të zhduket vetvetiu, ose se aspirata e vetme e anëtarësimit në BE është e mjaftueshme për ta mbajtur rajonin në një rrugë drejt demokracisë dhe standardeve më të larta.  Eshtë e qartë sot që udhëheqësit autoritarë, të korruptuar dhe kapja e shtetit po çon në një destabilizim afatgjatë.  Ka besim të fortë që, duke u përballur me përçarjen nga Kina dhe Rusia, BE dhe SH.B.A. nuk mund të lejojnë këtë dhe të pranojnë paqëndrueshmërinë dhe mungesën e  ndikimit në Ballkan” - u shpreh kreu i PR.

Në forumin ku morën pjesë edhe politikanë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, Mediu  tha se shumica e të rinjve po largohen masivisht nga rajoni në Bashkimin Europian përmes programeve të punësimit, por edhe përmes azilkërkimit.