Kreu i PD-së, Sali Berisha u shtriu dorën aleatëve për një strategji të unifikuar për të kundërshtuar draftin e territoriales. Kryedemokrati u kujtua për aleatët vetëm 5 ditë para se drafti i PS që parashikon shkrirjen e 15 bashkive të kalojë në Kuvend për votim, duke e cilësuar një draft të njëanshëm që sipas tij ka qëllim vetëm të shpopullojë Shqipërinë.

“Nuk kishte diskutim që Edi Rama gjithçka do ndjekë dhe ato mandate të grabitura, ato 83 mandate krimi, ai do t’i shfrytëzojë për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij. Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet, dhe nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale.

Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre. Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij. Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum.

Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet. I plagosur rëndë dhe i pashpresë, ky tani merr çdo lloj vendimi që i intereson për lëkurën e tij. Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët. Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive”, tha Berisha.

Por në vend të ndihmës, aleatët në rresht rezervuan një sërë kritikash për kreun e PD, të cilit ia bënë të qartë se duhet t’i kishte mbledhur më herët. Sipas tyre, aleatët janë përjashtuar nga i gjithë procesi, ndërsa disa të tjerë propozuan që PD të dalë në shesh dhe të udhëheqë protestat.

Lajm në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:37
Tryeza e Berishës me aleatët/ Arian Starova: Me këtë qeveri, të mos marrim pjesë në zgjedhjet vendore

1791020652_aleateteberishes.JPG

Kreu i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova, në tryezën e thirrur nga Sali Berisha, propozoi që opozita të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore.

“Ai nuk do të vendosë asgjë sipas propozimeve tona, ai s’do të lëvizë nga 41 njësi territoriale. Le të supozojmë se ai po i shton, na i pranoi. Por problemi është: me këtë qeveri do të shkojmë në zgjedhje? Nuk kemi besim që do të ketë zgjedhje. Duhet të jemi koherentë me atë që kemi thënë prej kohësh, që ne me këtë qeveri nuk shkojmë në zgjedhjet e përgjithshme, por nuk shkohet as në zgjedhjet vendore.

Jam dakord me idenë e Mediut që të mblidhemi më shpesh. Por mendoj të mos marrim fare pjesë në zgjedhje. Anija e tij po fut ujë nga të gjitha anët. Nuk është aq trim ai sa t’i imponohet shumicës dërrmuese të vendit. Ai përfiton nga lidhjet barku apo ndonjë këlysh nga Europa që e mbështet në mënyrë të poshtër, a kundrejt parave të marra fshehurazi, apo nuk e di për çfarë arsyeje”, tha Starova.

Ora 12:27
Tryeza e opozitës/ Mediu: Takimet të bëhen periodike! Duhet ripërtëritje jo vetëm e PD-së, por e gjithë koalicionit

1791020729_fatmirmediu.JPG

Në tryezën për reformën territoriale, aleatët adresuan një sërë kritikash për Sali Berishën. Kreu Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkoi që tryeza të zhvillohet në mënyrë periodike. Sipas tij, opozita duhet të koordinojë veprimtarinë në Tiranë dhe në degë, të nisë përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe të bëjë një ripërtëritje të të gjithë koalicionit.

“Për interesin e opozitës është që kjo tryezë të funksionojë në mënyrë periodike, në disa nivele. Niveli i parë, i kryetarëve të partive. Të diskutojmë si të koordinojmë veprimtaritë jo vetëm në Tiranë, por edhe në degë. Të diskutojmë për zgjedhjet lokale, duhet të gjejmë kandidatura fituese. Ka nevojë për një ripërtëritje jo vetëm të PD-së, por të gjithë koalicionit. Kjo bëhet kur shtylla e shtëpisë është e fortë, ajo krijon raportet dhe marrëdhëniet. Është e rëndësishme të vendosim një kalendar veprimi, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe”, tha Mediu.

Ora 11:54
Harta territoriale/ Ndoka kritika në sy Berishës: Dëgjesat me PS-në dukeshin si ‘muaj mjalti’, aleatët i le në 'terr'! Edhe 100 bashki janë pak, mund të kemi mbi 200

1791021092_nardndoka.JPG

Kreu i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Nard Ndoka rezervoi kritika për Sali Berishën në tryezën e thirrur me aleatët për të unifikuar strategjinë kundër draftit të PS për hartën e re territoriale. Ndoka e cilësoi gabim pjesëmarrjen në komision që në hapat e parë, ndërsa Berishën e akuzoi se i ka lënë aleatët jashtë këtij procesi. Sipas tij, dëgjesat mes PS e PD dukeshin si muaj mjalti.

Kritika pati edhe për propozimin e PD-së për ndarjen e vendit në 100 bashki, duke argumentuar se Shqipëria mund të ketë mbi 200 njësi vendore.

Nard Ndoka: Është një gabim themelor që ne morëm pjesë në dy komisionet e rëndësishme që në hapat e parë. Ato dëgjesat dukeshin si muaj mjalti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk patëm informacion si parti aleate, as morëm pjesë në dëgjesa, nuk dinim fare. Ne duhet të ishim prezentë me përfaqësuesit tanë, opozita duhet të ishte aty. Edhe propozimi i PD-së për 100 bashki nuk është eficient, është një numër shumë i vogël. Italia ka rreth 8 mijë komuna, ku qeverisin edhe me 3 mijë banorë. Është më efikase kur ke njësi që zgjidhen direkt nga komuniteti.

Këtu ka një tendencë, doktor, që të ketë një goditje të pluralizmit, edhe përmes Kodit Zgjedhor, por edhe përmes kësaj reforme territoriale. Edhe numri 100 duhet të ishte shumë më i madh. I kemi mundësitë të kemi mbi 200 bashki në vend. Ne përballemi me emra në zgjedhjet lokale dhe e djathta ka pasur emra më përfaqësues se e majta.

E kemi parë këtë film, e dimë përfundimin. Do të përballemi në fushatë elektorale. Ne kemi përballë një person që ka grup kriminal, është mjeshtër për blerjen e votës. Zvogëlimi i këtyre bashkive na vendos në disavantazh, ndaj vendimmarrja jonë duhet të jetë shumë e rëndësishme. Mirë do ishte që këto tryeza të ishin bërë më para. Duhet bashkëpunim institucional që edhe të na informoni, ne kemi qenë në terr informativ.

Sali Berisha: Kjo është një opozitë në diktaturë. Një opozitë në diktaturë ka dy opsione, ose të dalë jashtë institucioneve, ose të vazhdojë betejën brenda institucioneve. Asnjë kusht për të qenë brenda në institucione nuk ka, asnjë e drejtë e saj nuk respektohet, por braktisja e institucioneve është interesi më i mirë i diktaturës. Kemi të bëjmë me dikë që e do opozitën të jetë jashtë institucioneve, por dalja jashtë institucioneve i shërben vetëm atij. Këtu rruga e vetme është protesta për largimin e tij, zgjidhje tjetër në këtu do jemi. Të presim se Ramën do ta largojë SPAK, nuk e largon dot SPAK, të gjitha këto që po bën tani, ai i bën vetëm për veten e tij.

Ora 11:47
Harta e re territoriale/ Blushi propozon protestë ditën e votimit: Të mblidhemi para Kuvendit, jo vetëm banorët e 15 bashkive

1791020255_tediblushi.JPG

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, propozoi që opozita të thërrasë qytetarët në protestë para Kuvendit të enjten, kur pritet të votohet harta e re territoriale. Sipas tij, protesta nuk duhet t’u lihet vetëm banorëve të 15 bashkive që parashikohet të shkrihen, por duhet të përfshijë qytetarë nga i gjithë vendi.

“Në kushtet kur Rama po vepron me parimin e faktit të kryer dhe kur jemi pak ditë para seancës së thirrur në mënyrë të njëanshme, mendoj se nuk kemi shumë kohë për të ndjekur rrugët procedurale, pra ankimimin në gjykata. Opozita nuk duhet t’ua delegojë betejën vetëm qytetarëve. Opozita duhet t’u prijë protestave dhe seanca e thirrur të enjten është një mundësi që të gjithë shqiptarët, jo vetëm banorët e 15 bashkive, të mblidhen atë ditë para Kuvendit të Shqipërisë, për t’i treguar këtij kryeministri se zot në Republikën e Shqipërisë janë vetëm shqiptarët. Duhet të dalim me një thirrje drejtuar shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e familjeve të tyre. Harta e propozuar nga Rama është hartë antikombëtare”, tha Blushi.