Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu zhvilloi një takim me Forumin Rinor Republikan në zonën e Don Boskos.

Duke akuzuar Ramën se ka larguar të rinjtë nga vendi, Mediu u shpreh se ëndrra për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, do të bëhet realitet.

“Si rezultat i kësaj politike, mbi gjysëm milioni shqiptarë, të rinj dhe të reja, shokë dhe shoqe tuaja, profesionistë të zotë, janë larguar nga Shqipëria, dhe padyshim ka krijuar një kosto jashtëzakonisht të madhe në jetën tonë, në familjen tonë, ka krijuar një kosto sociale, një kosto të madhe ekonomike, të ardhmen e vendit tonë, por dhe një kosto jashtëzakonisht të madhe politike. Këtë ka dashur Edi Rama, njerëz që mendojnë, njerëz që janë kundër tij, njerëz që besojnë tek vetja, të mos jenë këtu, të largohen, dhe kjo histori duhet të marrë fund.

Opozita duhet të gjejë mënyrën për të bashkuar të gjithë shqiptarët kudo që janë. Prandaj mendoj që roli i rinisë është jashtëzakonisht i veçantë. Ju keni në dorë një revolucion tjetër shumë të rëndësishëm, të jetës suaj, të familjeve tuaja, të Shqipërisë.  Revolucionin për të ndërtuar shtetin europian në Shqipëri, shtetin e lirisë dhe të drejtave, shtetin që respekton njerëzit, një qeveri që vjen nga vota e popullit, punon për popullin dhe është me popullin”, u shpreh Mediu.

Më herët, në një intervistë për Report Tv, ndryshim nga PD-ja që ka parashikuar që fushatën zgjedhore ta alternojë mes mënyrës tradicionale dhe asaj online, Mediu është krejtësisht kundër. Në këndvështrimin e tij, nuk mund të bëhet kurrsesi fushatë online.