Afrimi i zgjedhjeve në vend që të shpalos programet dhe alternativat qeverisëse për qytetarët duke se gjithçka që po sjell janë ashpërsimi i gjuhës dhe sulmeve të politikanëve ndaj njëri-tjetrit.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është vënë në një linjë me gjuhën kërcënuese të presidentit Meta duke thënë se kreu i shtetit duhet ta shpërndajë parlamentin nëse rrëzohet dekreti i tij për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Gjatë takimit me strukturat e partisë në Shkodër, Mediu shprehet se këtë qëndrim ia ka kërkuar edhe Bashës i cili duhet t'i kërkojë Metës të shpërndajë parlamentin.

"Presidenti i Republikës duhet të shpërndajë parlamentin nëse parlamenti nuk merr në konsideratë dekretin e tij për kthimin e ndryshimeve të njëanshme të kodit elektoral të bëra nga Rama duke shkatërruar konsensusin e 5 qershorit dhe standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Presidenti ka bërë në mënyrë publike dhe të përsëritur qëndrimin se do shpërndajë parlamentin nëse do të cenohet kushtetuta dhe standardet e zgjedhjeve, në respekt të detyrimit të tij. I kam kërkuar opozitës dhe e përsëris qe opozita dhe veçanërisht PD duhet t'i kërkojë Metës të marrë një vendim të tillë", tha Mediu.

Në vend që të punojnë për një stabilitet politik që vendi të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe programe të mira qeverisës ku qytetarët të mund të zgjedhin për të ardhmen e tyre, opozita jashtëparlamentare kërkon shpërndarje të parlamentit 6 muaj para zgjedhjeve.