Fatmir Mediu, kryetar i PR në një lidhje me skype në emisionin "Repolitix" në Report Tv ka thënë se politika është raport interesi dhe çështja e procesit zgjedhor është çështje besimi mes politikës dhe qytetarëve.

Ai është shprehur se një nga kërkesat e opozitës është qeveri besimi tre muaj para zgjedhjeve. Mediu theksoi se ka ende kohë për zgjedhje të parakohshme dhe se ato mund të mbahen sot apo nesër.

"Nuk mendoj se ka ikur koha për zgjedhje të parakohshme, ato mund të mbahen edhe sot edhe nesër. Shqipëria është në mungesë të funksionit të Kushtetutës. Kjo vjen për shkak të mungesës së institucioneve, korrupsionit, ekonomisë. Do të përballemi me situata të tjera më të vështira.Ne si detyrë primare kemi zgjidhje të ndershme dhe të lira", shprehet ai.

Ai tha se opozita ka bërë disa propozime dhe tashmë pritet një vendim, por problemi më i madh është krijimi i besimit.

"Kemi bërë një seri propozimesh dhe pritet një vendim. Tre muaj para zgjedhjeve, ndërtohet besim. Qeveria e sotme, ka treguar se nuk do zgjedhje të ndershme, por të manipuluara. Jo çdo gjë ka qenë negative, ka pasur edhe ngjarje pozitive në vendin tonë. Kemi nevojë për një qeveri", thotë ai.

Sipas tij, eksperienca e Maqedonisë dhe vendeve të tjera na japin mundësinë për të parë që do ia dalim.

"Zgjedhjet vazhdojnë të jenë të manipuluara, edhe nga ODHIR shitblerja e votës në vitin 2017 ishte një ndër problemet kryesore. Ne kemi propozuar, por për çështje thelbësore opozita ia ka përcjellë maxhorancës dhe ajo duhet të marrë një qëndrim. Një diskutim nen për nen, çështje për çështje. Opozita i ka bërë propozimet e saj, ne jemi në atë komision, por i takon pjesës tjetër. Jemi në  periudhë minimale para zgjedhjeve, për të krijuar besim. Kjo nuk ndëshkon Edi Ramën, por krijon një marrëdhënie, por kemi problem me çështjen e zgjedhjeve", është shprehur ai.

Sipas tij është e rëndësishme që të bëhen ato që quhen të vlefshme për të ardhmen e vendit tonë.