Nga Njësia 7 në Tiranë, ku vijon të zhvillojë takimet elektorale, Fatmir Mediu, kandidati me nr. 7 i “PD-Aleancës për Ndryshim”, apeloi të gjithë të pranishmit që të votonin masivisht pa dallim bindjesh politike por me të vetmen bindje për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
“Ky është shteti që është ndërtuar këto 8 vjet dhe prandaj them që nuk ka dallim ndërmjet të majtëve dhe të djathtëve, sepse si të majtë dhe të djathtë vuajnë sot nga papunësia, si të majtë dhe të djathtë vuajnë sot nga pamundësia për të pasur një shtet që t`i trajtojë si të barabartë përballë ligjit. Si të majtë dhe të djathtë sot vuajnë mungesën e besimit dhe shpresës tek e ardhmja, sidomos mundësia për t`a bërë Shqipërinë evropiane. Prandaj mendoj që data 25 Prill është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse vendosen përballë njëra-tjetrës dy botë. Njëra botë është bota e shqiptarëve që duan shtet që t`i konsiderojë ata qytetarë ne dinjitet dhe të barabartë përballë ligjit. Nga ana tjetër është bota e Edi Ramës, e krimit dhe korrupsionit. Mos ja falni jetën e fëmijëve tuaj, të familjeve tuaja, jetën tuaj, dinjitetin dhe lirinë, Edi Ramës dhe pushtetit të tij të inkriminuar”, tha ndër të tjera Fatmir Mediu.