Kevin Margjoni alias Arjan Margjoni, i cili dyshohet të jetë bashkëfinancuesi dhe negociatori i trafikimit të 485 kg kokainë, të sekuestruara në vitin 2022, në laboratorin në fshatin Frakull e Madhe të Fierit, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë.
Margjoni u arrestua pas bashkëpunimit mes specialistëve të Interpolit shqiptar dhe homologëve të tyre në Madrid.
Sipas Policisë, ai dyshohet se ishte një prej financuesve dhe negociatorëve të grupit kriminal që organizoi trafikimin e 485 kilogramëve kokainë të sekuestruar në laboratorin në Frakull.
Në mars të vitit 2026, Gjykata e Posaçme ka caktuar për Margjonin masën e sigurisë “Arrest në burg” për trafikim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale të lidhura me aktivitetin e organizatës.
Ngjarja që çoi në zbulimin e kësaj sasie të madhe droge daton më 24 nëntor 2022, kur një operacion i përbashkët i SPAK, Policisë së Shtetit, DEA-s amerikane dhe autoriteteve malazeze zbuloi një laborator për përpunimin e kokainës në Frakull të Madhe, Fier.
Lënda narkotike kishte ardhur nga Kolumbia, e fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e cila kishte kaluar përmes portit të Pireut në Greqi dhe më pas atij të Tivarit në Mal të Zi, përpara se të transportohej drejt Shqipërisë.
Sipas hetimeve dhe ekspertizës së mëvonshme, kokaina ishte e përzier me plehun kimik në qindra thasë, ndërsa në total u konfirmua sasia prej 485.5 kilogramësh. Ambientet ku u depozitua ngarkesa ishin përshtatur për ndarjen e kokainës nga plehu, proces për të cilin dyshohej se ishin angazhuar edhe shtetas kolumbianë të specializuar.
Hetimet zbuluan një skemë të organizuar të trafikut ndërkombëtar, ku Shqipëria shërbente si pikë përpunimi dhe tranziti, me destinacion tregjet europiane.
Për këtë dosje janë zhvilluar disa faza hetimore dhe operacionale, ndërsa ekstradimi i 49-vjeçarit shënon një tjetër zhvillim në përpjekjet për të çuar përpara hetimin dhe për të vënë përpara drejtësisë personat e dyshuar të përfshirë në këtë rrjet kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”.
Ekstradohet nga Spanja bashkëfinancuesi dhe negociatori i trafikimit të 485 kg kokainë, të sekuestruara në vitin 2022, në fshatin Frakull e Madhe, Fier.
Si rezultat i koordinimit operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Madridit, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, K. M., alias A. M., 49 vjeç.
Në muajin mars 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
49-vjeçari akuzohet se, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka qenë një ndër financuesit dhe negociatorët për trafikimin e 485 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u gjet nga shërbimet e Policisë, e fshehur në thasë me pleh kimik, në vitin 2022, në fshatin Frakull e Madhe, Fier.








Komente
Komento