Ndonëse vetë është treguar kryeneçe ndaj masave anti-covid në takimet elektorale, opozita vazhdon të bëjë të vetmin përgjegjës për situatën e pandemisë në vend kryeministrin Rama.

Këtë herë ishte kreu i Republikanëve ai i cili ndonëse në një takim me mbi 10 persona, adresoi akuza se Rama nuk ka bërë sa duhet për situatën shëndetësore.

"Situata e rëndë e pandemisë, kërkon transparencë dhe përgjegjësi. Të gjithë ne, vlerësojmë në radhë të parë përkushtimin e mjekëve, dhe i kërkojmë qeverisë të mbrojë jetën e tyre, duke garantuar çdo gjë që është e nevojshme për ta. Opozita ka propozuar masat që duhen, për të kontrolluar pandeminë, sipas rekomandimeve dhe praktikave më të mira Europiane, ndërkohë që qeveria Rama, jo vetëm shpërfill mendimin e specialistëve dhe opozitës, por për më tepër, e përdor këtë pandemi, për luftë dhe interesa politike. Qindra qytetarë, janë në pamundësi për të marrë mbështetjen e nevojshme, janë në pamundësi për të përballuar kostot e ilaçeve dhe mjekimit për COVID-19, të cilat kalojnë mbi 2-3 herë pagën e tyre mujore. Ekonomia dhe papunësia janë prezent në pjesën më të madhe dhe familjeve shqiptare, ndërsa taksat e shqiptarëve shpërdorohen për interesa korruptive", tha Mediu.

Pak ditë më parë Mediu kritikoi edhe vendimin e komitetit të ekspertëve për ndalimin e tubimeve elektorale. Ai tha se ky vendim  është marrë nga Rama, i cili sipas numrit një të republikanëve, është i frikësuar nga elektorati i djathtë.