Meduza: Një përbindësh mizor, apo një viktimë e keqkuptuar?

Meduza: Një përbindësh mizor, apo një viktimë e keqkuptuar?

Foto ilustruese

Historia e Meduzës nuk është një histori e re. Imazhi i saj njihet thuajse nga kushdo. Ajo ka në kokë gjarpërinj të gjallë në vend të flokëve. Pjesa e sipërme e trupit është ajo e një gruaje, ndërsa pjesa e poshtme enjë gjarpri. Ndërkohë sytë e saj mund ta kthenin në gur çdo mashkull që guxonte ta shihte.

Shumë heronj u përpoqën ta fitonin kokën e saj si një trofe, por dështuan dhe përfunduan si statuja në ishullin e braktisur të Sarpedonit, të cilin përbindëshi e quante “shtëpinë” e tij. Meduza ishte kundërshtarja kryesore e Perseut, që arriti në fund ta vriste duke ia shkëputur brutalisht kokën nga trupi.

Kjo është me pak fjalë historia e Meduzës. Historia e saj është një temë mitologjike shumë interesante, pasi bart disa tipare të jashtëzakonshme, që nuk gjenden tek asnjë mit tjetër. Edhe sot, mijëra vjet më vonë, vazhdon të ritregohet fati tragjik i Meduzës.

Ky mit përshtatet me nevojat e shoqërisë sonë. Ai përmban disa koncepte klasike si dualiteti i së mirës dhe së keqes, bukuria dhe shëmtia, drejtësia dhe ndëshkimi, të cilat janë të gjitha elemente të domosdoshme të çdo historie madhështore. Në fakt origjina e këtij miti nuk dihet me saktësi.

Meduza përmendet për herë të parë në poemat epike të Homerit, të cilat u shkruan rreth shekullit VIII Para Erës Sonë. Por miti i saj është shumë më i vjetër, dhe daton ndoshta që nga koha e Mikenasve, qytetërim që e dominoi Greqinë gjatë epokës së bronzit (vitet 3.300-1200 Para Erës Sonë).

Nga burime historike konfirmohet se në kohën e Greqisë së hershme arkaike (vitet 800-600 Para Erës Sonë) Meduza ishte tashmë një figurë shumë e njohur. Ajo përmendet në veprat e Hesiodit dhe poetit Pindar, ndërsa koka e saj përshkruhet në forma të panumërta në disa vepra arti, duke filluar nga qeramika, skulpturat, mozaikët, hajmalitë dhe bizhuteritë.

Një gjetje tjetër interesante është se koka e saj pikturohej zakonisht në mburojat e ushtarëve grekë për të frikësuar armikun dhe për të mbrojtur bartësin e tij. Spartanëve u pëlqente në veçanti përdorimi i këtij simboli, që dekoronte shpesh mburojat e mbretërve dhe gjeneralëve të tyre.

Në fillim Perseu dhe Meduza nuk kishin asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Edhe pse Perseu është themeluesi mitologjik i Mikenës, pra një figurë qendrore në panteonin heroik mikenas, ai thuhet se nuk e ka vrarë Meduzën. Por këtij miti i mungon një element thelbësor:Perëndesha Athina.

Në mitin kryesor, Athina vepron si këshilltarja e Perseut, që e këshillon dhe i jep një mburojë të lëmuar për të pasqyruar shikimin vdekjeprurës së përbindëshit. Kur Meduza vritet, Athina ia merr kokën dhe e vendos në mesin e mburojës së saj si një trofe, por edhe si armë për të trembur armiqtë e saj.

Në variantet e mëvonshme të mitit, në shekujt VI-IV Para Erës Sonë, thuhet se Athina kishte një konflikt personal me Meduzën. Pikërisht në atë kohë kemi një histori të origjinës së përbindëshit. Meduza ishte dikur një grua e bukur me shumë dashnorë, e cila mburrej se flokët e saj ishin më të bukur se ato të Athinës.

Sipas tregimeve të tjera ajo flinte me Poseidonin brenda tempullit të shenjtë të perëndeshës. Për të ndëshkuar arrogancën e saj, Athina e mallkoi Meduzën duke i shndërruar flokët e saj në gjarpërinj të gjallë, dhe duke e bërë atë që të shndërronte në gurë çdo burrë që shihte.

Pas vdekjes së Meduzës, Athina jo vetëm që e merr kokën si trofe, por edhe identitetin e saj. Ajo shihet si kujdestare e popullit dhe mbrojtëse e jetës shtëpiake. Kur angazhohet në një betejë ajo është e egër, duke u shkaktuar frikë të pakontrollueshme armiqve të saj.

Ndërkaq, në epokën arkaike, poeti grek Pindari ishte i pari që e përmendi fytyrën e bukur të Meduzës. Që nga ajo pikë e tutje, shumë shkrimtarë e përqafuan këtë ndryshim dhe filluan të përshkruanin një anë më të butë dhe dashamirës të Meduzës, ku ajo ishte viktima e tregimit, dhe jo gruaja e ligë. Ai ndryshim u përqafua gjerësisht gjatë kohës romake.

Kishte shumë versione, por më i shquari u përshkrua nga Ovidi në librin e tij “Metamorfozat”. Atje mësojmë për herë të parë mbi historinë e përdhunimit të Meduzës nga Poseidoni. Sipas Ovidit:“Ajo ka qenë dikur shumë e bukur, shpresa e shumë njerëzve. Një ditë Neptuni (emri romak i Poseidonit) e gjeti dhe e përdhunoi në tempullin e Minervës. Kështu perëndesha u largua nga tempulli e lënduar, fshehu sytë pas mburojës së saj dhe i ndërroi flokët e saj në gjarpërinj. Dhe për të trembur çdo njeri keqdashës, ajo mban në parzmore nepërkat e saj metalike, si një paralajmërim i tmerrshëm për hakmarrjen e saj”.

Ky është miti që shpjegon origjinën e Meduzës, dhe se si ajo u shndërrua në një përbindësh pasi u fajësua nga Athina pse u përdhunua nga Poseidoni. Arsyeja pse Zoti i fuqishëm i deteve e përdhunoi Meduzën, ishte sepse ai akt shihej si një mënyrë për t’u hakmarrë ndaj Athinës. Kështu ai e përdhosi tempullin e saj të shenjtë duke e dhunuar priftëreshën e tij supreme.

Meduza është pa dyshim një nga qeniet më komplekse të mitologjisë greke. Nga një perëndeshë e pjellorisë, ajo u shndërrua në një demon kujdestar, më pas në një përbindësh dhe sërish në një grua përbindësh të bukur, e cila u bë simboli i grave të dhunuara në mbarë botën.

Edhe sot ajo vazhdon të prezantohet në shumë forma të ndryshme të artit, duke iu përshtatur stileve më të reja. Ajo është simbol i shumë organizatave feministe, një kujtesë e vazhdueshme e shtypjes, sulmit seksual dhe trajtimit të padrejtë. Në ritregimet moderne të mitit, Meduza është gjithashtu një luftëtare, të cilën Athina e bekon duke i dhënë asaj “vështrimin e gurtë” në mënyrë që të mbrohet dhe të mos lejojë më kurrë të lëndohet nga një burrë tjetër.

Në botën tonë moderne, ku krimet seksuale kundër grave janë fatkeqësisht ende të pranishme, mite të tilla janë shumë të rëndësishme. Konceptet si fajësimi i viktimës, dënimi i aktit të turpshëm të përdhunimit pa marrë parasysh identitetin e kriminelit, dhe akti i vetëmbrojtjes dhe rimëkëmbjes personale pas një incidenti të tillë, duhet të mësohen në mbarë botën.

Ndoshta ka ardhur koha të ndalojmë së adhuruari princeshën e stilit Disney, dhe të nisim t’u kushtojmë më shumë vëmendje këtyre përbindëshave të keqkuptuar, historitë e të cilëve kanë kaq shumë për të na mësuar rreth botës.

Marrë me shkurtime nga HIstory of Yesterday – Bota.al

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!