TIRANE- Lufta brenda vetes ka nisur. Partia MEGA ka mbajtur një qëndrim kundër parlamentarit Vangjel Dule, i cili mbron të drejtat e minoritetit grek në Kuvend. Në një deklaratë për median, MEGA i kujton Dules se nuk duhet të heshtë në këmbim të posteve dhe vendeve të punës në administratë, apo edhe për interesat e tij politike.

Duke besuar në një kurs të ri poltik të qeverisjes së vendit, ku do të gjejnë mëshërim praktik respektimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve etnike, përfaësuesit e MEGA-s thonë se: “Në këtë kuadër Partia MEGA beson se do t’i jipet fund praktikave politike klienteliste të përfaqësuesve politikë të Minoritetit etnik Grek në Shqipëri, të cilët, në këmbim të disa vendeve dhe posteve në administratë për vete dhe rrethin e tyre, zgjedhin heshtjen për respektimin e këtyre të drejtave, apo shantazhin ndaj qeverisë në emër të tyre”.

Tekstet në shkolla
Në vijim të deklaratës, MEGA ka kritikuar ministrinë e Arsimit, e cila ende nuk dërguar nëpër shkolla tekstet në gjuhën amë të minoritetit (gjuhën greke). Sipas MEGA-s, kjo vjen për shkaqe që lidhen ngushtë me interesat e një grupimi të caktuar politik. “Rasti më domëthenës është ai që përjetojnë shkollat në gjuhën amtare greke në sistemin arsimor publik të vendit. Nxënësit, për shkaqe thjesht të interesave të grupimit të caktuar politik në Minoritetin Etnik Grek,  mbesin për vite me radhë pa tekste shkollore në gjuhën amtare.

Edhe ky vit shkollor nisi pa tekste shkollore. Me këtë rast i bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit t’i anashkalojë këto lloj interesash dhe t’u sigurojë nxënësve të minoritetit grek tekstet e duhura shkollore në gjuhën amtare. Ne i vemë në dispozicion mbështetjen politike, asetin e specialisteve dhe kontributin e komunitetit tonë”, thuhet në njoftimin për shtyp.MEGA i ka kushtuar vëmendje edhe marrjes së pronave të minoritetit, duke falsifikuar dokumentet.

“Po ashtu ne shikojmë me rezerva shumë të mëdha përmasat që kanë marrë vendimet e gjyqësorit dhe vendimarrjet e strukturave të tjera shtetërore në dëm të pasurive të paluajtshme të komunitetit të Minoritetit Etnik Grek”, nënvizohet më tej. Megjithatë, kjo forcë politike ka treguar gadishmëri për përkrahje të plotë për kursin reformator të qeverisë së re, me qëllim, sipas tyre, që Shqipëria të fitojë shpejt dhe me meritë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. 

Shkrimi u publikua sot (06.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)