Një operacion i gjerë antidrogë i policisë është zhvilluar në disa provinca italiane kundër kriminalitetit të përhapur, me një bilanc prej 384 arrestimesh, 655 personash të denoncuar dhe sekuestrimin e 1.400 kilogramëve drogë. Puna “me ndikim të lartë” e Njësive Hetimore Territoriale (Squadre Mobili), të koordinuara nga Shërbimi Qendror Operativ, përveç goditjes së shpërndarjes së lëndëve narkotike – herë pas here edhe përmes dyqaneve të kanabisit – dhe veprave penale të lidhura me kriminalitetin e përhapur, ka nxjerrë në pah edhe mënyrat e reja të furnizimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.

Shifrat

Janë identifikuar 95.164 persona të dyshuar, prej të cilëve 16.701 të huaj dhe 10.848 të mitur, kryesisht në zona të shpërndarjes së drogës ose të ashtuquajturës “mala-movida”; për rreth një mijë prej tyre janë në shqyrtim masa të mundshme administrative parandaluese. Nga 384 të arrestuarit, 166 janë të huaj dhe 6 të mitur; ndërsa nga 655 të denoncuarit, 256 janë të huaj dhe 39 të mitur, të cilët do të përgjigjen për vepra penale kundër personit dhe pasurisë, si edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe mbajtje të paligjshme të armëve.

Lëndët narkotike të sekuestruara janë: kokainë (35 kg), kanabis (1.370 kg) dhe heroinë (1 kg). Janë sekuestruar gjithashtu 41 armë zjarri dhe 80 armë të ftohta, si edhe mbi 300.000 euro para cash, të konsideruara si të ardhura nga aktiviteti i shpërndarjes së drogës. Janë vendosur edhe 565 masa administrative ndëshkuese të natyrave të ndryshme, shumica për përdorim të lëndëve narkotike dhe për dhënie të paligjshme të pijeve alkoolike. Po ashtu, janë identifikuar disa profile në rrjete sociale, për të cilat po kryhen verifikime mbi përmbajtjen, që duket se lidhet me fenomene kriminale, me qëllim njoftimin e autoriteteve përkatëse gjyqësore për bllokimin e tyre të mundshëm.