Një hetim Europol ka sjellë arrestimin e 20 të personave të dyshuar për pastrim parash dhe trafik droge. Operacioni u drejtua nga Guardia Civile spanjolle, me mbështetjen e Drejtorisë italiane të antidrogës dhe rezultoi në sekuestrimin e më shumë se 5.5 milionë euro asete kriminale dhe mbi 2 ton drogë. Me qendër në jug të Spanjës, rrjeti kriminal përbëhej nga shtetas shqiptarë, italianë, spanjollë dhe marokenë. Në krye të grupit qëndronin shtetas italianë të cilët për të mos rënë në prangat e autoriteteve përdornin dokumente identiteti të falsifikuara.
Arritjet e operacionit të zhvilluar:
Kontroll në 6 shtëpi në Sevilla të Spanjës
20 persona të arrestuar
Sekuestrohen pasuri me vlerë rreth 5.5 milionë euro
Sekuestrohen 2 ora luksoze dhe 16 545 euro cash
Sekuestrohen 2500 kilogramë hashash dhe 45.6 kilogramë marijuanë
Sekuestrohet infrastruktura kriminale duke përfshirë kamionë, një varkë, mjete për kultivimin e marijuanës dhe prodhimin e hashashit dhe 34 telefona celularë
Zbulohet një plantacion i madh marihuane dhe një laborator droge
Dokumente të falsifikuara udhëtimi dhe identifikimi
Rrjeti kriminal përdori një sërë metodash të pastrimit të parave për të fshehur të ardhurat e tyre nga trafiku i drogës. Këto përfshinin kanalizimin e parave - përmes llogarive bankare të biznesit duke përdorur fatura false, kredi ose borxhe të tjera midis një rrjeti kompanish të përfshira në transportin e drogës. Metoda të tjera të përdorura ishin investimet në pasuri të paluajtshme luksoze, qira, mallra dhe automjete luksoze, si dhe pagesa me para në dorë.
Laboratori i drogës dhe plantacioni i marihuanës
Hetimet për këtë rast nisën në tetor të vitit 2021, kur një ngarkesë hashashi u gjet e fshehur në një kamion që transportonte qepë. Forcat e rendit arrestuan dy drejtuesit e mjeteve dhe sekuestruan 468 kilogramë hashash. Kjo u pasua nga një tjetër sekuestrim i 194 kilogramëve hashash dhe 30 kilogramëve marihuanë në maj të vitit 2022. Në të njëjtin muaj një varkë e marrë me qira nga organizata kriminale u kap nga forcat e rendit në det të hapur, duke rezultuar në arrestimin e tre pasagjerëve të saj si dhe sekuestrimin e 1800 kilogramëve hashash dhe vetë mjetin lundrues.
Përgjimi i kësaj dërgese të madhe nga Maroku tregon se është bërë gjithnjë e më e vështirë për kriminelët që të importojnë drogë përmes detit. Për të anashkaluar këtë çështje, organizata kishte ndërtuar një laborator për prodhimin e hashashit dhe kishte ngritur një plantacion të madh marihuane në Spanjën jugore. Këto u zbuluan gjatë operacionit, ku u përfshinë më shumë se 150 oficerë.