Report Tv sjell një pjesë të dosjes për kontrollin në kampin e MEK në Durrës, në të cilën shkruhet se SPAK dyshon se MEK ka organizuar disa sulme kibernetike ndaj qeverisë së Iranit. Hetimi i SPAK nën akuzat e sulmeve kibernetike me origjinë nga kampi i muxhahedinëve në Manëz zbulon se ky kamp nuk ishte fushë me lule për të gjithë iranianët e strehuar atje.
Sipas SPAK, nga 3 mijë muxhahedinë që u strehuan në 2018-n në këtë kamp, 450 prej tyre u arratisën. Nga këta, 300 janë larguar ilegalisht nga vendi ynë, 100 të tjerë kanë kaluar kufirin me dokumentacion të rregullt, ndërsa 50 të tjerë qëndrojnë në Tiranë. Në dosje jepen edhe detaje se si nisi përplasja e MEK me qeverinë iraniane, kur u krijuar kjo organizatë dhe vendosja e tyre në Shqipëri.
Pjesë nga dosja
Rezulton se Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit ("MEK"), është krijuar në vitin 1965 si një grupim revolucionar marksist-islamik. Ajo është krijuar nga një grup studentësh të majtë të cilët kishin për qëllim rrëzimin e Shahut të Iranit. Kur Shahu u rrezua nisi një përplasje tjetër mes muxhahedinëve dhe fondamentalistëve të Ajetollah Khomeni që morën pushtetin. Në fund të vitit 1981 shumë anëtarë dhe mbështetës të saj u larguan jashtë vendit dhe qendra e tyre kryesore e strehimit u be Franca. Në vitin 1986 lëvizja e zhvendosi bazën e operacioneve në lindje të Irakut deri në pushtimin e Irakut. Në këtë kohë u vendos që ata të mbaheshin në kampin "Ashraf", ish bazë ushtarake irakene. Më pas ata janë zhvendosur në kampin "Liria" jashtë Bagdatit. Për shkak të pasigurisë për jetën lindi edhe nevoja e zhvendosjes së tyre nga Iraku drejt vendeve të tjera, mes të cilëve ishte dhe Shqipëria. Në Shqipëri kanë ardhur rreth 3000 shtetas Iraniane (ish-Ashraf/ "MEK") te zhvendosur prej Irakut mbi baza humanitare, ku 73 % e tyre janë meshkuj dhe 27% janë femra.
Rezulton se zhvendosja e parë me një numër prej 201 personash filloi në vitin 2013, e shoqëruar më pas dhe 400 personash në vitin 2014 dhe 500 te tjerë në vitin 2015. Megjithatë, pjesa më e madhe e zhvendosjes ishte gjatë vitit 2016, kur 1942 persona u zhvendosën me fluturime komerciale dhe charter. Me përjashtim të një fluturimi në shkurt 2016, zhvendosjet filluan me 21 Prill nëpërmjet fluturimeve komerciale në masën 2 herë në javë me nga 20 persona në çdo fluturim ndërsa fluturimet charter filluan me 12 qershor deri me 9 shtator 2016. Policia Kufitare e Migracionit regjistroi në mbërritje çdo person si dhe pajisi me Leje Qëndrimi provizore mbi baza humanitare të gjithë të ardhurit. Të mbërriturit fillimisht janë vendosur në dy zona në Tiranë (në apartamente të marra me qira nga UNHCR), përkatësisht në pallatet: "FRATARI" (pranë City Park) dhe "ERA" (në rrugën për Durrës).
Në total 1777 persona (të mbërritur në vitin 2016) janë akomoduar: 1119, të gjithë burra në pallatet "FRATARI" dhe 657 në "ERA" (shumica femra). Drejtuesit e "MEK" kanë siguruar akomodimin për të gjithë dhe nga vitin 2018 e më pas është bërë zhvendosja e të gjithë pjesëtarëve të organizatës në Kampin Ashraf 3 në Manzë, Durrës. Që prej fillimit të zhvendosjeve rreth 450 persona kanë zgjedhur të largohen dhe nga këta rreth 50 persona janë ende në Shqipëri. Nga të larguarit jashtë vendit rreth 100 janë dërguar në mënyrë legale dhe janë vendosur në vende të treta si: SHBA, Itali, Britaninë e Madhe, vendet Nordike, ndërsa rreth 300 janë larguar në mënyrë ilegale.
Lajmi kryesor: