MEKSIKË - Tre të dyshuarit për vrasjen e 43 studentëve të humbur në jugperëndim të Meksikës, kanë pranuar vrasjen dhe djegien e shumë prej tyre. Prokurori i Përgjithshëm i Meksikës, Jezusi Murillo, deklaroi se gjatë investigimeve të bëra u provua se një numër i madh personash janë vrarë në Kokula, një qytet rreth 13 milje larg Igualas nga ku u rrëmbyen studentët, dhe mendohet se viktimat janë studentët e humbur.

Personat përgjegjës për këtë krim makabër janë anëtarë të grupit guerril meksikan të njohur për kartelet e drogës dhe terrorizmit,ku së fundmi u shtohen dhe akuza për vrasjen e studentëve. 

Ata e kanë faktuar krimin e tyre dhe me video dhe pjesëtari i bandës Agustin Garcia ka deklaruar se të gjithë studentët janë djegur me benzinë, me dru dhe plastikë në një zjarr masiv që zgjati 14 orë.
 
Prokurori që bëri të ditur këtë lajm tha se bashkohet me dhimbjen e familjarëve për informacionet tepër të detajuar të këtij makabriteti dhe shtoi se deri në verifikimin e AND-ve për identitetin e tyre, studentët do të konsiderohen ende të humbur. Pas konferencës për shtyp familjarët e studentëve të rrëmbyer kanë kundërshtuar çdo gjë që është shpjeguar nga ana e autoriteteve.

Studentët janë shpallur të humbur prej 6 javësh, pasi u rrëmbyen gjatë një proteste politike, ku gjatë konfrontimit me policinë pati 6 të vdekur dhe 43 studentë u deklaruan të rrëmbyer. Ky rast ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve duke zbuluar lidhjet e thella mes shtetit, zyrtarëve të qeverive lokale dhe krimit të organizuar.

74 policë dhe anëtarë të organizatave kriminale janë ndaluar gjatë investigimeve dhe dyshohet se ish-kryebashkiaku i Igaulës dhe bashkëshortja e tij janë orkestruesit e zhdukjes së të rinjve.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)