Një influencer në Meksikë është vrarë me armë zjarri ndërsa po bënte një video live në TikTOk.
César Gastélum u vra në një nga lagjet më të frekuentuara të Culiacánit, qendra e Sinaloas. Në pamjet filmike shihen dy burra me një motoçikletë që i afrohen influencerit, i cili ndodhej përpara një restoranti të njohur të ushqimit të shpejtë, dhe njëri prej tyre e qëllon me pistoletë. Të dy autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.
Gastélum kishte mbi 578 mijë ndjekës në TikTok, ndërsa në kanalin e tij në YouTube kishte më shumë se 16 mijë abonentë dhe rreth 200 video të publikuara. Përmbajtja e tij përfshinte stilin e jetesës lokale, aventura në mal, reportazhe mbi makinat sportive, si edhe video familjare të realizuara në fermën e tij. Vrasja e tij ndodh në një klimë dhune që prej muajsh ka përfshirë Culiacánin, ku regjistrohen përplasje të shpeshta të lidhura me krimin e organizuar.
Kujtojmë që vitin e kaluar, në një situatë të ngjashme u vra edhe influencerja Valeria Marquez e cila po bënte video live nga salloni i saj i bukurisë. Ajo u rrëzua para kamerës pasi, sipas videos, u qëllua në gjoks dhe në kokë. Vrasësi i saj është identifikuar Ramón Ángel Álvarez Ayala, i njohur me nofkën "El R-1", një prej liderëve të kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG). Marquez kishte qenë e lidhur me djalin e tij i cili është shpallur në kërkim.












Komente
Komento