Giorgia Meloni
"Me Keir jemi dakord që nuk duhet të kemi frikë të imagjinojmë dhe të ndërtojmë zgjidhje inovative, si ajo që ka nisur Italia me Shqipërinë.
Një model që fillimisht u kritikua, por që më pas fitoi gjithnjë e më shumë mbështetje, aq sa sot Bashkimi Europian propozon krijimin e qendrave për riatdhesimin në vendet e treta. Kjo do të thotë se kishim të drejtë dhe se guximi për të qenë pionierë u shpërblye.”

Kështu u shpreh kryeministrja Giorgia Meloni në një mesazh me video gjatë samitit të Londrës për luftën kundër emigracionit të paligjshëm, të organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer.
Siguria e kufijve “është një përparësi që Italia dhe Mbretëria e Bashkuar e ndajnë dhe që përfaqëson një pikë themelore të bashkëpunimit dypalësh midis kombeve tona, sepse ne të dy jemi të bindur se nga siguria varet liria, prosperiteti dhe mirëqenia e popujve tanë.”
Duke falënderuar “mikun Keir” për ftesën “në këtë samit të rëndësishëm”, Meloni shpjegoi se me kryeministrin britanik “jemi dakord që siguria e kufijve kalon edhe dhe mbi të gjitha përmes menaxhimit të flukseve migratore dhe luftës kundër emigracionit të paligjshëm masiv. Një fenomen global, që prek veçanërisht Europën, brenda dhe jashtë kufijve të BE-së. Ky është motivi pse qeveritë tona po punojnë së bashku prej kohësh për të shkatërruar organizatat kriminale që përfitojnë nga dëshpërimi dhe dëshira e ligjshme e njerëzve për një jetë më të mirë.”
Italia dhe Mbretëria e Bashkuar po “bashkojnë forcat, duke forcuar bashkëpunimin mes forcave të policisë, shërbimeve të inteligjencës dhe autoriteteve gjyqësore, sepse qëllimi i përbashkët është të godasim në zemër të problemit: fitimet e skafistëve dhe trafikantëve. Dhe po e bëjmë këtë duke ndjekur atë intuitë të jashtëzakonshme të dy gjyqtarëve të mëdhenj italianë, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, e cila përmblidhet në fjalët ‘follow the money’ (ndiq paratë) dhe që është kthyer në një model ndërkombëtar. Po aq thelbësore, në këtë drejtim, është edhe forcimi i bashkëpunimit të Europol dhe Eurojust me vendet e treta.”
“Po punojmë së bashku edhe për të trajtuar shkaqet e thella të migracionit dhe për të garantuar kështu të drejtën për të mos qenë i detyruar të emigrosh. Kjo do të thotë ndërtimin e një modeli bashkëpunimi me vendet e origjinës dhe tranzitit të flukseve migratore, në mënyrë që ato të mund të prosperojnë duke shfrytëzuar burimet që kanë. Dhe jam shumë e lumtur, nga ky këndvështrim, për bashkëpunimin e shkëlqyer të nisur me Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të Procesit të Romës, veçanërisht në drejtim të kthimeve vullnetare të asistuara,” shtoi Meloni.
“Por lufta kundër emigracionit të paligjshëm – theksoi ajo – do të thotë gjithashtu të favorizosh atë të ligjshmin dhe të riafirmosh parimin se është detyrë e çdo kombi, dhe jo e trafikantëve, të vendosë se kush duhet të hyjë dhe kush jo në territorin e tij.”/ ANSA
Lajmi kryesor:
Kampi i Gjadrit do të përdoret për ndalimin e emigrantëve në pritje të dëbimit, Komisioni Europian: Dekreti i Melonit, në përputhje me ligjin e BE
