Dje u dhunua barbarisht nga bashkëshorti, sot 57-vjeçarja Antoneta Myrtaj nga Memaliaj, ka kërkuar nga ana e policisë që të tërheqë denoncimin për dhunën e ushtruar nga bashkëshorti, 65-vjeçari Ferik Myrtaj. Report tv sot ka takuar 57-vjeçaren dhe kjo e fundit nuk ka mundur të flasë më gjatë, por ka deklaruar se ka thirrur oficerin e prokurorisë për të tërhequr denoncimin që ka bërë ndaj bashkëshortit të saj.
E pyetur se si ka ndodhur ngjarja për të rikonfirmuar atë që ka shprehur një ditë më parë, ajo sot nuk ka mundur të kthejë përgjigje, pasi gjendja shëndetësore e saj është mjaft e rënduar. Ndërkohë ditën e djeshme e dhunuara ka deklaruar se:
Ai kishte pirë. Më kanë shpëtuar kalimtarët. Kisha frikë. Ju luta që të mos më qëllonte. Kam 3 vajza dhe ato më thanë se ai është penduar.Jam konfuze, akoma nuk di se si të veproj ta fal apo ta lë në burg. Kam frikë se do më vrasë
E dhunuara, Antoneta Myrtaj
Antoneta Myrtaj u dhunua barbarisht nga bashkëshorti i saj mëngjesin e së hënës, ku Ferik Myrtaj 65-vjeç e ka goditur me sqepar duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë dhe trup. Kanë qenë qytetarët, të cilët e kanë shpëtuar nga duart e burrit të saj, i cili në momentin që ushtronte dhunën, ishte në gjendje të dehur.
Ende nuk dihet se çfarë e ka shtyrë 57-vjeçaren që të bëjë një veprim të tillë, për të lënë në liri bashkëshortin, 65-vjeçarin Ferik Myrtaj, i cili tentoi ta vriste, por ndërhyrja e qytetarëve e bëri që ajo të shpëtojë.