Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka njoftuar se Teqja e Koshtanit në Memaliaj po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe fotografi në punimet në Teqe, Gonxhja shkruan se kjo Teqe është një Monument Kulture i Kategorisë I që mbart vlerat e traditës bektashiane dhe një kontribut të çmuar për arsimin shqip, me hapjen në vitin 1908, të shkollës së parë shqipe në krahinën e Tepelenës.
Më tej gonxhja thekson se përmes kësaj ndërhyrjeje, ndalet degradimi i objektit dhe mbrohet autenticiteti i monumentit.
Sipas ministrit Gonxhja, ruajtja e trashëgimisë është detyrim shtetëror dhe pjesë e vizionit të Qeverisë për zhvillimin kulturor, shoqëror dhe ekonomik të komuniteteve.
Postimi i ministrit Gonxhja:
Teqeja e Koshtanit në Memaliaj po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit, një investim që dëshmon angazhimin tonë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Monument Kulture i Kategorisë I, kjo teqe mbart vlerat e traditës bektashiane dhe një kontribut të çmuar për arsimin shqip, me hapjen, në vitin 1908, të shkollës së parë shqipe në krahinën e Tepelenës. Përmes kësaj ndërhyrjeje, ndalim degradimin dhe mbrojmë autenticitetin e monumentit, duke përmbushur përgjegjësinë për t’ua përcjellë këtë pasuri brezave të ardhshëm. Po e çojmë përpara këtë angazhim me investime konkrete, sepse ruajtja e trashëgimisë është detyrim shtetëror dhe pjesë e vizionit tonë për zhvillimin kulturor, shoqëror dhe ekonomik të komuniteteve.












Komente
Komento