Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar një memorandum në fushën e drejtësisë, e cila parashikohet të sjellë rritje të bashkëpunimit sa i takon aspektit legjislativ dhe atij penal mes dy vendeve. 

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe homologu i saj italian, Andrea Orlando i cili zhvilloi një vizitë në vendin tonë këtë të martë. Ministri Orlando theksoi se Italia vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e forcimit të shtetit ligjor përmes nisjes nga zbatimi të reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se ekzistojnë kushtet për çeljen e negociatave gjashtë mujorin e parë të 2018-ës.

"Italia mbështet integrimin e Shqipërisë. Memorandumi, që do nënshkruajmë sot nuk ka të bëjë vetëm me dy vendet tona, por ka të bëjë edhe me integrimin e Shqipërisë drejt BE dhe vëmendjen që ka Italia për vendet e Ballkanit. Ne duam të fillojmë menjëherë, implementimin e marrëveshjes, ekzekutimin e dënimeve penale. Brenda më pak se një muaji kemi bërë një punë të jashtëzakonshme bashkëpunimi", u shpreh Orlando. 

Sa i takon negociatave, ministri italian tha se përcaktuese do jetë ecuria e reformës në drejtësi, por ai vërejti se Shqipëria ka përmbushur detyrimet për këtë vendim të BE. “Do të jenë e rëndësishme veprimet që do japë reforma në gjysmën e parë të vitit që vjen. S’na takon ne që të caktojmë një datë, por ekzistojnë të gjitha parakushtet për hapjen e këtij procesi. Rëndësia e memorandumit të sotëm nuk është një bashkëpunim mes dy qeverive tona, por një memorandum, një bashkëbisedim mes subjekteve të juridiksioneve të të dy vendeve tona. Një politikë bashkëpunimi mes gjykatave të të dy vendeve, prokurorive, noterëve dhe të gjithë atyre që kanë të bëjnë me këtë sistem”

Nga ana e saj, ministrja Gjonaj theksoi vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për të çuar përpara Reformën në Drejtësi. "I jemi mirënjohës qeverisë së Italisë për mbështetjen që i ka ofruar Shqipërisë", tha Gjonaj.

Çfarë parashikon memorandumi
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka shpjeguar se çfarë parashikon memorandumi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë dhe fushat të cilat ai prek. Gjonaj tha se marrëveshja do jetë një shtysë e fortë për të çuar përpara Reformën në Drejtësi në aspektin legjislativ dhe atë institucional. 
Qeveria italiane ka dhënë kontribut edhe gjatë hartimit të reformës në drejtësi.  Ky memorandum, ajo që e konkretizon, është fusha e legjislacionit të paktës së tretë të reformës në drejtësi, avokatia, përmbarimi dhe jo vetëm, pasi duhet një bashkim forcash për zbatimin e reformës dhe ngritjen e institucioneve të reja pas Vettingut. Nevojitet edhe një bashkëpunim i ngushtë në aspektin e legjislacionit procedural dhe penal. Modelet që ne kemi për kodet, viijnë nga modelet e kodeve italiane. Për zbatimin e drejtësisë, marrëveshja përfshin bashkëpunim legjislativ dhe institucional, për drejtorinë e burgjeve me staf civil dhe jo policor si dhe shërbimi i provës. Marrëveshja parashikon ndihmë të ndërsjellë të gjyqësorit për rastet e ekstradimeve”, tha Gjonaj. 

Ministri italian pyetjet për Tahirin
Ministri italian i Drejtësisë, Andrea Orlando gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologen Etilda Gjonaj, u pyet edhe për dosjen “Habilaj” si dhe hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. 

Z.Ministër, një gjykatë në Shqipëri i ka ndaluar ish-ministrit Tahiri të dalë jashtë Shqipërisë...Çfarë prisni nga drejtësia shqiptare për dosjen Tahiri-Habilaj? Dhe a keni sjellë dosje shtesë?
Nuk komentoj veprimet e magjistraturës italiane, imagjinoni as më pak nuk mund ta bëj këtë me vendimet e magjistraturës shqiptare. Detyra jonë është që shkëmbimet mes magjistraturave të zhvillohen sa më mirë dhe jo të hetojmë në vend të prokurorëve. 

A keni pasur bashkëpunimin e duhur me autoritetet shqiptare për dosjen “Habilaj”?
Shkëmbimi i informacioneve është i shkëlqyer dhe niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve është i shkëlqyer. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com