Marrëveshja do të përmirësojë jetesën e qytetarëve duke afruar njëkohësisht Shqipërinë më afër integrimit dhe Bashkimi Europia jep në formë granti 25.5 mln euro për zbatimin e këtyre marrëveshje për të ndihmuar autoritetet shqiptare të garantojnë shërbimet thelbësore për standardet të jetesës
Ambasadori i BE-së, Etore Sequi kërkoi një vëmendje më të madhe nga qeveria për menaxhimin e ujrave, duke e vendosur në politikat qeverisese, si një projekt që rrit cilësinë e jetesës por dhe për të cilën taksapaguesit e Bashkimit Europian po nxjerrin fonde të mëdha nga xhepat pavarësisht periudhës së vështirë të krizës për të cilën përballet.
“Vetëm në 5 vite BE ka asistuar për sektorin e ujit 82. 4 milion euro. E theksoj është vlerësuese të kesh një asistencë në kohë të tilla, për të përballuar menaxhimin e ujrave. BE është këtu për t`ju ndihmuar pasi është një partner i sinqertë por shkalla e ndihmës do të varet edhe nga shkalla e punës që do të bëni ju. Ne kemi besim që Shqipëria do të vazhdojë ta ngrejë më lart menaxhimin e ujit në politikat e saj" tha Sequi.
MARREVESHJA
Marrëveshja financiare, me një vlerë prej 71.7 milion euro, 25.5 milionë prej të cilave Grant nga Bashkimi Europian, u nënshkruan sot mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe me Ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizimeve në Fier, Kamëz, Korçë, Lushnje, Berat, Kuçovë dhe Sarandë, me synim për të përmirësuar nivelin dhe cilësinë e furnizimit me ujë.
Marrëveshja do të mbështetet nga Banka për Zhvillim e Gjermanisë KfË dhe qeveria zvicerane. Ajo do të nisë të implementohet nga dita e sotme dhe përfundon brenda 2015-ës.
Këto marrëveshje u nënshkruan nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi dhe Zv/Presidenti i Bankës Gjermane për Zhvillim (KfË), Roland Siller.
HOLTKEMPER: PROJEKTI PERMIRESON CILESINE E JETESES
Nga ana e saj, ambasadorja gjermane Carola Muller Holtkemper theksoi se integrimi në Bashkimin Europian ka të bëjë edhe me çështjet që kanë lidhje me qytetarët. Ajo tha se këto projekte do të përmirësojnë standartet e jetesës së shqiptarëve, ndërsa shtoi se projektet gjithashtu do ta ofrojnë më tepër Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode dhe ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, vlerësuan tepër pozitivisht këtë marrëveshje. Sipas Bodes, "nënshkrimi i kësaj marrëveshje thellon akoma më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke konfirmuar kështu dëshirën reciproke të të dy palëve, që vendi ynë të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane".
Ministri Olldashi nga ana e tij, duke falenderuar Bankën Gjermane për Zhvillim dhe Qeverinë Zvicerane, theksoi se "kjo marrëveshje është një mundësi e mirë për ne për të realizuar projektin tonë të përmirësimit infrastrukturor të ndërmarrjeve të Ujësjellsave dhe Kanalizimeve. Kjo, me qëllim plotësimin e standarteve europiane, sa i takon cilësisë dhe sasisë së furnizimit me ujë"
sg/shqiptarja.com)