Ish-Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden, ka rrëfyer se mendoi që presidenti Joe Biden po pësonte një goditje në tru gjatë debatit presidencial të vitit 2024, performanca e dobët e të cilit bëri shumë bujë.

“Isha e tmerruar, sepse nuk e kisha parë kurrë Joe-n ashtu më parë, as më pas. Kurrë,” tha Jill Biden në një intervistë. “Nuk e di çfarë ndodhi,” shtoi ajo. “Teksa e shihja, mendova: ‘O Zot, ai po pëson një goditje në tru.’ Dhe u tremba për vdekje.”

Presidenti Biden u përball me presion të madh nga demokratët e tjerë për t’u tërhequr si kandidat pas performancës së dobët në debat kundër Donald Trump. Ai u tërhoq nga gara dhe mbështeti zëvendëspresidenten e atëhershme, Kamala Harris.

Jill Biden ka qëndruar pranë ish-presidentit gjatë gjithë karrierës së tij shumëvjeçare, nga koha si senator i Delaware deri gjatë mandatit presidencial. Ajo konsiderohej si një nga këshilltaret më me ndikim gjatë presidencës së tij dhe një ndër personat që në fund e inkurajuan të largohej nga gara e vitit 2024.

Pas debatit të qershorit 2024, disa muaj para zgjedhjeve presidenciale, demokratët shprehën shqetësim për performancën jo bindëse të presidentit.

Fushata e Bidenit në atë kohë këmbëngulte se ai nuk do të hiqte dorë si kandidat demokrat dhe se do të debatonte sërish me Donald Trump. Gjatë debatit, ku të dy kandidatët synonin një mandat të dytë, Biden dhe Trump u përplasën për tema kryesore si emigracioni, ekonomia dhe të drejtat për abortin. Biden kishte zë të ngjirur, që ekipi i tij tha se vinte për shkak të një sëmundjeje, dhe pati një moment kur dukej se humbi fillin e mendimit.

Në një tubim pas debatit në Atlanta, Jill Biden e prezantoi bashkëshortin në skenë dhe lavdëroi performancën e tij kundër Trumpit.

“Joe, bëre një punë kaq të mirë. Iu përgjigje çdo pyetjeje. I dije të gjitha faktet,” i tha ajo turmës.

Por në vende të tjera, liderë dhe donatorë demokratë shprehën shqetësime për performancën e presidentit të atëhershëm. Edhe Kamala Harris, e cila rrallë e kritikonte publikisht Bidenin, pranoi se debati kishte pasur një “fillim të ngadaltë”.

Shqetësimet e votuesve për shëndetin, kthjelltësinë mendore dhe moshën e Bidenit, 81 vjeç në atë kohë, rëndonin shumë mbi debatin.

Analistët në shumicën e mediave kryesore amerikane e kritikuan presidentin duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e tij për të ushtruar detyrën e presidentit dhe mbi shanset e tij në zgjedhjet e nëntorit 2024.

Mendohej se kishte pak mundësi që Biden të zëvendësohej si kandidat i Partisë Demokratike vetëm disa muaj para zgjedhjeve. Procesi i vështirë për zgjedhjen e një kandidati tjetër shihej si një rrezik që mund të dëmtonte garën e partisë për Shtëpinë e Bardhë.

Por performanca e tij në debat, së bashku me gafat gjatë një samiti të NATO-s në javët pasuese dhe paraqitja e tij e dobët pas diagnostikimit me Covid, çuan në tërheqjen e kandidaturës së tij.

Harris mori nominimin e demokratëve rreth tre muaj para zgjedhjeve dhe në fund humbi përballë Trumpit. Pas humbjes në zgjedhje, Harris kritikoi ish-shefin e saj, duke e quajtur vendimin e Bidenit për të kërkuar një mandat të dytë “papërgjegjshmëri”.