Mentor Kikia: E vërteta e largimit
nga Top Channel pas 15-vitesh 

Mentor Kikia: E vërteta e largimit<br />nga Top Channel pas 15-vitesh 
Largimeve nga Top Channel i shtohet edhe kryeredaktori i vetëm i këtij televizioni që nga themelimi në vitin 2001, Mentor Kikia. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Kikia sqaron të vërtetën e largimit si dhe rrethanat që sollën vendimin e drejtuesve të Top Channel, pas 15-vitesh kontributi të tij në këtë televizion. Gazetari i njohur thekson se shkarkimi nga detyra i është komunikuar verbalisht, pa asgjë të shkruar, nga Drejtori i Informacionit, Sokol Balla. Kika rendit si arsye të largimit nga detyra debatin publik me mjeken Anika Dokle si dhe një artikulli të publikuar dy ditë më parë me titullin “Kanabizimi si rrezik real kombëtar”. Kësisoj, Kikia i bashkohet top-listës së largimeve të bujshme nga Top Channel si ish-drejtori i përgjithshëm, Enkel Joti, ish-drejtori i lajmeve, Bledar Zaganjori, zëvendësi i tij, Skerdi Drenova,
ish-regjisori i emisioneve Bujar Kokonozi, drejtoresha e programacionit Vjollca Dedei si dhe të gazetarëve Monika Stafa e Muhamed Veliu.
 
Statusi i plotë i Mentor Kikisë në Facebook
"Një sqarim publik për zëvendësimin tim si kryeredaktor në ‘Top Channel’
Nga sot, dt 21 Shtator, unë nuk jam në drejtimin e edicionit të lajmeve të orës 15.00, në Top Channel. Me pak fjalë, nuk jam më kryeredaktor, detyrë të cilën e mbaj që prej hapjes së këtij televizioni, Maj 2001. Në respekt të audiencës së Top Channel, në respekt të lexuesve të mi në median e shkruar dhe atë sociale, por edhe për të sqaruar njoftimet e publikuara sot në mediat online, dua të qartësoj atë çka ka ndodhur. Duke i lënë komentet dhe përfundimet për herë tjetër. Jo për Mentor Kikinë, por për kryeredaktorin e lajmeve të televizionit më të madh në vend dhe institucionit më të rëndësishëm të informimit.
E vërteta është se unë nuk kam asnjë vendim të drejtuesve të kompanisë, apo administratorit të përgjithshëm, për shkarkim nga detyra, apo propozim për lëvizjen në ndonjë detyrë tjerë. Ka vetëm një komunikim verbal të drejtorit të informacionit Sokol Balla, në mbledhjen e redaksisë, i cili njoftoi se nga sot drejtimi i këtij edicioni, që nënkupton punën që nga mbledhja e mëngjesit e redaksisë, i kalon një redaktori tjetër.
 
Ndërkohë që një ditë më parë, në një bisedë informale, Balla më komunikoi se mua më ishte hequr e drejta e “editimit politik”, pra linja editoriale e edicionit, (të cilën nuk është se e kam patur ndonjëherë ekskluzive) sepse me qëndrimet e mia si brenda, e veçanërisht jashtë redaksisë, me komentet dhe shkrimet në median e shkruar e atë sociale, apo qëndrimet në studio të ndryshe debatesh, kisha dalë shpesh jashtë linjës editoriale të televizionit. Dhe se ky ishte edhe mendimi dhe vendimi i administratorit të përgjithshëm. Duke më përmendur si aktin e fundit, edhe debatin publik me një mjeke. Ndërsa si akt të parafundit, më përmendi një artikull mbi rrezikun e kanabizimit të vendit. (Unë nuk di që televizioni të ketë ndonjë linjë editoriale për të mbrojtur mjekët që marrin para apo ata që mbjellin hashash).
 
Edhe pse nuk ka një linjë editoriale të komunikuar, unë e kuptoj dhe repektoj atë, brenda dhe jashtë redaksisë, e njoh parimin e moscenimit të interesave të kompanisë ku punoj, dhe ky është parim universial që funksionon nga këtu deri në Uashington. Në ato çfarë unë kam shkruar, kam qenë kritik shpesh, por jo ndaj kompanisë, interesave të saj dhe partnerëve të saj, por ndaj klasës politike në tërësi, fenomeneve negative sociale e shoqërore, ku sundon denoncimi i ndotjes së mjedisit. Kjo nuk është dëshmi e cënimit të linjës editoriale, por tregues i pavarësisë time si gazetar. Por, edhe nëse diku, brenda apo jashtë redaksisë, mund të kem prekur diçka, më shumë mendoj se kam prekur ndonjë axhendë private, politike e financiare, dhe jo linjën editoriale të televizionit.
Unë mund të kem bërë shumë gjëra gabim në jetën time, madje edhe me pasoja dramatike. Por një gjë e kam bërë mirë në çdo orë, çdo ditë, çdo muaj e çdo vit: Profesionin e gazetarit, që nga vitit 1993 kur e nisa, shumicën e të cilit e kam bërë në Top Media.

Ndaj mënjanimi im nga detyra e kryeredaktorit, nuk duhet parë si shkarkimi rëndom i një gazetari nga puna. Pasi në Shqipëri media është tregu më kaotik dhe të paktë janë ata që nuk kanë ndërruar nga 3-4 redaksi. Por kjo ka të bëjë me parimet e pavarësisë së gazetarisë.
E vërteta është se unë nuk jam larguar nga Top Media, me të cilën kam në fuqi një kontratë si kryeredaktor prej 16 vjetësh. Dhe, nëse do më duhet ta bëj, nuk do të iki kokë ulur, e aq më pak fshehurazi, si një hajdut që e kanë kapur duke vjedhur dhe lutet të mos i nxjerrin fytyrën në lajmet e kronikës së zezë. Kam punuar këtu me më shumë përkushtim e ndershmëri sesa ndaj familjes time, sepse e adhuroj ende këtë profesion dhe fjalën e lire dhe e çmoj shumë këtë media. Mbi të gjitha Top Media nuk është pronë e asnjë drejtori, e madje as edhe e vetë pronarit. Ajo është një aset i madh publik, një vlerë e madhe e shoqërisë dhe demokracisë sonë.
Unë pres të sqaroj më tej pozicionin në raport me kompaninë, për të mbajtur qëndrimet e mia të mëtejshme".

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë