Mercenarët moldavë u bashkohen njësive ruse në Ukrainë

Mercenarët moldavë u bashkohen njësive ruse në Ukrainë

Rekrutët rusë duke u futur në autobus afër një qendre rekrutimi ushtarak në Krasnodar, Rusi

Andreit i duhet vetëm t’i kalojë disa pengesa burokratike për ta braktisur punën në fabrikë në Transnistri, në rajonin e shkëputur prorus të Moldavisë, dhe ta kapë një armë për t’iu bashkuar bashkatdhetarëve të vet që po luftojnë përkrah forcave pushtuese ruse në shtetin fqinj, Ukrainë.

Andrei, i cili nuk pranoi ta tregojë mbiemrin, tha së fundmi për Shërbimin moldav të Radios Evropa e Lirë se po priste që Konsullata ruse në Tiraspol, kryeqytetin de facto të Transnistrisë, t’ia ripërtërijë pasaportën e skaduar ruse, të cilën e mban bashkë me atë moldave.

Ai thotë se me atë dokument mund të udhëtojë drejt Moskës, ku postimet online i joshin të huajt për të luftuar në luftën e paprovokuar ruse duke i udhëzuar si të aplikojë për t’u rekrutuar në një zyre rekrutimi.

Besohet se 220.000 qytetarë rusë jetojnë në Transnistri i cili u nda nga Moldavia në fillim të viteve ’90 dhe tani është nikoqir i 1.500 trupave ruse.

Andrei tha se shpreson se do t’i bashkohet të ashtuquajturit “detashmenti Dniester”, një njësi mercenare e moldavëve e krijuar nga Alexandr Kalinin, një figurë e errët që është në listën e zezë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA), për shkak të veprimtarisë së tij proruse.

Kalininit iu hoq nënshtetësia moldave për pothuajse arsyet e njëjta dhe për disa të tjera edhe më të këqija, përfshirë kërcënimet së fundmi për ta udhëhequr një grup luftëtarësh në një marsh drejt kryeqytetit Kishinjev, për ta rrëzuar Qeverinë properëndimore të presidentes Maia Sandu.

Kremlini është mbështetur edhe në Forcat e Armatosura të Rusisë dhe në kompanitë ushtarake private për ta kryer luftën në Ukrainë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili përballet me fletarrest si i dyshuar për krime lufte në Ukrainë, e ka lehtësuar punën e letrave për rekrutët dhe ka nxitur, në mënyrë që t’i përforcojë njësitë e forcave të veta ushtarake me luftëtarë të huaj.

Në janar, Putini e nënshkroi një urdhër që ua mundëson shtetasve të huaj të cilët shërbejnë në ushtrinë ruse, apo në “formacione ushtarake”, ta marrin nënshtetësinë ruse për vete dhe për familjarët e vet.

Dhe, duket se më shumë ushtarë i nevojiten Putinit tani, pasi humbjet vazhdojnë të rriten me gjithë përparimin e forcave pushtuese ruse në disa pika përgjatë vijës së frontit mijëra kilometra të gjatë në lindje të Ukrainës.

Rusia i publikon humbjet në luftë tejet rrallë ose hiç. Së fundmi, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më janar 2023 publikoi të dhëna për rreth 6.000 ushtarë rusë të vrarë, por një vlerësim amerikan së fundmi gjeti se numri është shumë më i madh, mbi 300.000 të vrarë.

Edhe Kievi ka ngurruar t’i publikojë humbjen e ushtrisë, megjithëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 25 shkurt se 31.000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej se Putini e nisi pushtimin e vendit të tij në shkurt 2022.

Andrei, i cili punon për një prodhues dritaresh në Bender, një qytet në perëndim të Tiraspolit, tha se t’i bashkohet njësisë Dniester për të luftuar, për të nënkupton bashkim me “vëllezërit tanë” të cilët “ndajnë mendimet e njëjta” me të.

Aplikacionet për dërgimin e mesazheve si, Telegrami dhe Viberi, përdoren për t’i vënë në shenjë burrat në Transnistri dhe në Gagauzia, një rajon tjetër autonom i Moldavisë ku, sikur në Transnistri, ndjesia proruse është e përhapur dhe e ushqyer nga vendorët e lidhur me Kremlinin.

Së fundmi, trysnia është rritur. Në Transnistri, ku Rusia i ka gati 2.000 trupa të cilat i përshkruan si paqeruajtëse, Parlamenti lokal më 28 shkurt iu lut Rusisë për “mbështetje” të paspecifikuar, duke u ankuar se ka “presion” nga Kishinjevi.

Si iu bashkova Operacionit Special Ushtarak?

“Përshëndetje! Unë jam nga Transnistria, jam 55 vjeç. A kam ndonjë mundësi të futem në SVO [operacionin special ushtarak]?”, pyet një përdorues me emrin AnD në kanalin e Telegramit për rekrutim në gjuhen ruse, duke e përdorur termin e Putinit për pushtimin.

Duke iu përgjigjur atij dhe burrave të tjerë nga Transnistria, administratori i kanalit të Moskës për rekrutim i thotë atyre se është e rëndësishme që ata të mbërrijnë në Moskë dhe të kenë pasaportë ruse dhe librezë të ushtrisë ruse. Ai u thotë gjithashtu se do të ndihmohen për ta marrë dokumentin e nevojshëm ushtarak, nëse nuk e kanë.

Administratori madje duket se u premton atyre rimbursim për disa për shpenzimet e tyre të udhëtimit, ndërsa të tjerët këshillohen të marrin para hua nga të afërmit dhe “ta shlyejnë borxhin kur ta marrin pagën e parë [për shërbimet e tyre mercenare]”.

Derisa është e paqartë se çfarë lidhjes kanë me Kalinin këto kanale në Viber dhe Telegram, ai është aktiv edhe në rrjetet sociale, duke promovuar dhe rekrutuar burra nga Moldavia në forcën e vet mercenare.

Në dhjetor 2022, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, deklaroi se individët me nënshtetësi ruse dhe moldave, të cilët regjistrohen në ushtrinë ruse për të luftuar në Ukrainë, do ta humbin nënshtetësinë moldave. Asokohe, Kalinin e cilësoi vendimin e Sandus si tentim “për t’i larguar figurat politike të cilat mund të garojnë kundër saj në zgjedhjet presidenciale më 2024”.

Disa ditë pas vendimit të Sandus, Kalinin kërcënoi se do ta rrëzonte atë nga pushteti me një forcë të huaj që do të marshonte drejt Kishinjevit.

Detashmenti Dniester është i vetmi formacion ushtarak që rekruton haptazi dhe në mënyrë aktive qytetarë moldavë.

Kalinin nuk ka treguar sa anëtarë i ka njësiti i tij. Ai u premton atyre të cilët i bashkohet pagë mujore prej 2.100 eurove, ndërsa një pagesë prej 4.800 eurove për çdo rekrut të ri që regjistrohet.

Se si financohet njësiti i tij është e paqartë.

Një hetim së fundmi nga njësia hetuese e Radios Evropa e Lirë – Schemes dhe Systema, gjeti se një kompani gjoja ushtarake private e quajtur Redut, është në të vërtetë një sistem rekrutimi për njësitë luftarake, i cili është koordinuar dhe financuar nga Forcat e Armatosura të Rusisë dhe agjencia e tyre e inteligjencës.

Njëra nga ato njësi që dyshohet se u themelua nga Redut, ishte Skif, sipas hulumtimit.

Kalinin nuk ka treguar deri tani se ku zhvendosen apo janë zhvendosur njësitë e tij në Ukrainë.

Në tetor 2023, mediat proruse raportuan se batalioni Skif e kishte zënë në pritë një konvoj ushtarak ukrainas në afërsi të qyteti Soledar në Donjeck, rajonin lindor të Ukrainës që kontrollohet pjesërisht nga forcat proruse prej vitit 2014.

Të huajt që luftojnë për grupet mercenare ruse mund të marrin mijëra euro në muaj, më shumë se çfarëdo page që do të mund ta fitojnë në vendin e vet. CNN së fundmi raportoi se 15.000 shtetas të Nepalit i janë bashkuar ushtrisë ruse, pasi Qeveria ruse vitin e kaluar njoftoi për një paketë fitimprurëse për luftëtarët e huaj.

Është e vështirë të zbulohet sa luftëtarë të huaj luftojnë në Ukrainë për Rusinë, sepse shumë prej tyre kanë shërbyer edhe në grupe mercenare (kryesisht në grupin Wagner, i cili u shërbë) dhe në njësitë e rregullat të Forcave të Armatosura të Rusisë.

Edhe numri i luftëtarëve të huaj që kanë vdekur në këtë luftë është i paqartë. Shërbimi rus i BBC-së raportoi se, deri në dhjetor 2023, së paku 254 të huaj që kanë shërbyer në ushtrinë ruse, janë vrarë. Ai numër, natyrisht, me gjasë është vetëm një pjesë e humbjeve ruse.

Një raport i inteligjencës amerikane, u publikuar në dhjetor 2023, vlerësoi se 315.000 trupa ruse janë vrarë apo plagosur në Ukrainë. Mediumi i pavarur rus Mediazona raportoi më 24 shkurt se rreth 75.000 rusë vdiqën më 2022 dhe 2023 duke luftuar në luftën në Ukrainë.

Një hetim i përbashkët nga Mediazona dhe Meduza, një tjetër medium i pavarur rus, gjeti se shkalla e humbjeve ruse në Ukrainë nuk po bie dhe se Moska po i humb rreth 120 burra në ditë.

Rrezik nga vdekja – e lëre më se a është kjo luftë e drejtë apo jo – nuk janë çështje që e shqetësojnë Andrein.

“Ndiej sikur më duhet të jem atje [në fushëbetejë]”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “E kuptoj se mund të mos kthehem kurrë në shtëpi. Epo, ky është fati”./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar