Drejtori i Policisë Kufitare, Genc Merepeza, u shpreh se salla operative e aeroportit të Rinasit ka dhënë njoftimin e grabitjes në aeroportin e Rinasit me 3 minuta vonesë. I ftuar në emisionin "45 minuta" nga Denis Minga, Merepeza tha se kompania ka lëshuar alarmin kur grabitësit kishin dalë nga aeroporti i Rinasit.
 
"Policia kufitare sipas të gjitha shënimeve, është njoftuar në momentin që makina ka dalë nga rrethimi. Sipas orës që ka shënuar në regjistër punonjësi i sallës operative, është raportuar në 14:32 minuta. Në bazë të disa vlerësimeve të mëvonshme, është llogaritur që mund të ketë një gabim prej 2 minutash në sinkronizimin e orës, pra 2-3 minuta pasi makina ka dalë nga rrethimi i aeroportit", u shpreh Merepeza.

Sipas tij, kjo vonesë u ka mundësuar grabitësve që të dalin të pa shqetësuar nga aeroporti dhe për më pak se 3 minuta të mbërrijnë në vendin ku dhe dogjën makinën. 

"Duhet të kemi parasysh edhe gjendjen e trafikut, por normalisht ajo rrugë bëhet për 2 ose minuta e gjysmë. Duhet të kemi parasysh edhe gjendjen e trafikut, por normalisht ajo rrugë bëhet për 2 ose minuta e gjysmë", tha Merepeza. 

Duke iu përgjigjur akuzave të TIA-s se policia ndodhej në pistë në momentin e grabitjes, Merepeza theksoi se dy punonjës të policisë kanë qenë pranë avionit të ardhur nga Vjena, ku po prisnin një grup personash të depërtuar nga jashtë vendit.

Sipas tij, efektivët nuk kanë pasur fushëpamje për shkak të avionit, për të pikasur grabitjen me armë, ndërsa janë vënë në ndjekje të autorëve pas lëshimit të alarmit nga komisariati i Rinasit. "Kanë qenë në anën e djathtë të terminalit dhe në atë moment sapo është ulur avioni i linjës së Vjenës, i cili kishte në bordin e saj disa persona të depërtuar të cilët ne shkojmë dhe i marrim tek avioni, pasi trajtohen si shtetas të parregullt. Dhe në këtë rast, dy punonjës policie shkojnë dhe i marrin tek avioni e i shoqërojnë për intervistim. Kur është dhënë alarmi, ky mjet s'i ka pritur personat e depërtuar, por është drejtuar për në vendngjarjen e grabitjes", tha ai. 

Kreu i Policisë Kufitare ngriti edhe shqetësimin e mungesës së kapaciteteve teknike të sigurisë së TIA në Rinas, duke evidentuar teknologjinë e prapambetur të kamerave të instaluara në aeroport të cilat janë të vjetra, ndërsa theksoi se salla operative nga ku monitorohet i gjithë aeroporti "Nënë Tereza" është një sipërfaqe prej vetëm 6 m2. 

"Kur kam hyrë në sallën e tyre na kanë thënë, shikoni sa e vogël është salla, ku do të rrijë punonjësi juaj? Është një sallë shumë e vogël, me një sipërfaqe 2 me 3 m2", theksoi Merepeza.  

Z.Merepeza, çfarë ndodhi në aeroportin e Rinasit mesditën e 30 Qershorit?
Është një ngjarje e rëndë që tashmë opinioni publik është njohur me të. Ndodhi një grabitje e një banke, kur persona me një makinë u futën deri në aeroport ku grabitën një sasi monetare që shkon rreth 960 mijë euro. 

Është e saktë kjo shifër? Aludohet se mund të jetë më e madhe, më e vogël?
Nuk e ndjek policia kufirit këtë çështje. pasi ndarja e veprave penale detyron policinë që policia kufitare të ndjekë vepra e krimit doganor. Kjo është një vepër penale që ndiqet nga Policia dhe Prokuroria. 

Ka akuza nga TIA. Kur është njoftuar policia kufitare rreth grabitjes?
Policia kufitare sipas të gjitha shënimeve, është njoftuar në momentin që makina ka dalë nga rrethimi. Sipas orës që ka shënuar në regjistër punonjësi i sallës operative, është raportuar në 14:32 minuta. Në bazë të disa vlerësimeve të mëvonshme, është llogaritur që mund të ketë një gabim prej 2 minutash në sinkronizimin e orës, pra 2-3 minuta pasi makina ka dalë nga rrethimi i aeroportit. 

Nga momenti që makina ka dalë nga aeroporti, deri në momentin kur është gjetur makina e djegur, për sa minuta përshkrohet kjo rrugë?
Duhet të kemi parasysh edhe gjendjen e trafikut, por normalisht ajo rrugë bëhet për 2 ose 2 minuta e gjysmë. 

Pra, në momentin që ju jeni njoftuar, makina ka qenë e djegur dhe grabitësit kanë qenë në makinë tjetër...
Nisur edhe nga disa raste të mëparshme të ndjekjes së personave që kanë cenuar sigurinë në Rinas, është menduar që mund të jetë drejtimi që merr në të djathtë të rrugës automobilistike. Në momentin që kanë dalë, kanë parë edhe tymin e makinës që po digjej. Na u tha se nga porta e BP-së një mjet ka hyrë dhe ka grabitur bankën. Vetëm kaq na është thënë. 

TIA pretendon se këtë njoftim e ka bërë në orën 14:28. Ka pasur ballafaqim?
Janë probleme që do t'i zgjidhë Prokuroria. 

Sa struktura u nisën në drejtim të grabitësve?
Në momentin që është dhënë alarmi, është njoftuar komisariati i Krujës, Vorës, si dhe janë njoftuar Drejtoria e Tiranës e Durrësit, për të mbyllur rrugët. 

TIA thotë se alarmi është dhënë kur makina ka qenë brenda. Thonë se ka pasur punonjës policie në pistë...
Kanë qenë në anën e djathtë të terminalit dhe në atë moment sapo është ulur avioni i linjës së Vjenës, i cili kishte në bordin e saj disa persona të depërtuar të cilët ne shkojmë dhe i marrim tek avioni, pasi trajtohen si shtetas të parregullt. Dhe në këtë rast, dy punonjës policie shkojnë dhe i marrin tek avioni e i shoqërojnë për intervistim. Kur është dhënë alarmi, ky mjet nuk i ka pritur personat e depërtuar, por është drejtuar drejt portës nga kishin kaluar grabitësit dhe ka vijuar aksionin. 

Si funksionon zinxhiri komandues i njoftimit?
Alarmi jepet në sallë operative, ky njofton drejtuesin e policisë, në këtë moment aktivizohen forcat. Në përgjithësi punonjësit e policisë janë tek mjeti, përveç rastit kur siç e thashë ishin të ngarkuar në një detyrë për të marrë personat e depërtuar. Avioni i linjës së Vjenës ka qenë ndërmjet fugonit dhe vendngjarjes, pra i pengonte pamjen. Qarkullojnë edhe mjete të tjera që transportojnë pasagjerët nga avionët për të terminal. 

Makina e djegur u lokalizua menjëherë?
Sapo panë shtëllungat e tymit, u pozicionuan menjëherë në atë zonë. 

Kjo strukturë e vijoi aksionin apo priti forcat e policisë?
Nuk e vijoi sepse nuk mund të gjenin drejtimin nga kishin lëvizur. Aty ku u dogj makina nuk kishte rrugë kalimi tjetër. Vijuan rrugën dytësore drejt fshatit të Prezës. 

Ju keni bashkëpunim me TIA-n për sigurinë e Rinasit?
Në Rinas është një këshill Sigurie ku janë pjesëtarë të gjithë aktorët që operojnë në aeroport dhe mblidhet njëherë në tre muaj. Ku diskutohen të gjitha problemet që ka aeroporti nga masat e sigurisë etj. 

I keni ngritur shqetësimet e sigurisë?
Po, i kam ngritur problemet. Pasi në këtë mbledhje u paraqit raporti i testeve të sigurisë dhe në këtë mbledhje isha agresiv në diskutimin tim sepse pyetja ishte direkte: A e siguron apo jo kjo kompani, Rinasin? A jep siguri për qytetarët? Dhe përgjigja e TIA-s ishte që, puna është në parametrat e duhur. Vetë përfundimet e raportit që u lexua aty më krijuan idenë se diçka çedon në Rinas. Kam thënë se duhet të marrim masa sa më shpejt që të mos themi nesër obobo. 

Ku ju mendoni se çaloi siguria në Rinas?
Ne kemi diskutuar, që në ardhjen e Papa Françeskut, disa probleme me kamerat sigurisë. Kuptohet në këtë rast ishte një plan i madh i detajuar për pritjen e Papës dhe gjithashtu kishim edhe asistencën e agjencive të tjera. U bë një diskutim në Rinas midis personelit të TIA dhe përfaqësuesve të policisë e disa probleme u zgjidhën në moment, Por ajo që duhet të kemi parasysh është se në këtë kohë kur teknologjia ka avancuar, të rrish me kamera që u ka kaluar koha. 

Keni pasur dijeni për këto teste? Çfarë mësimesh u nxorën?
Në diskutimin që u bë në mbledhje, pyetjes se pse nuk u detektuan këto lëndë, TIA iu përgjigj se kjo sasi mund të mos ketë ato vlera që i jep skaneri si eksploziv.

Cilat janë kompetencat e Policisë në raport me Rinasin? TIA thotë se siguria është kompetencë e Policisë...
Ne si polici kufitare kemi ligjin bazë, ligjin për kontrollin e kufirit. Ka një pikë të nenit posaçërisht për aeroportin e Rinasit që thotë se policia opero ne zonën e kontrollit kufitar nga kabina e kontrollit të pasaportave e deri tek avioni, pra kur ka pasagjerë të parregullt, problematikë dhe në avion hyn gjithmonë me kërkesë të kapitenit të avionit. Nëse ai thotë nuk mund të hyni, ne s'mund të hyjmë sepse supozohet territor i huaj. 

TIA thotë se perimetri i jashtëm kontrollohet nga ju...
Ne s'kemi strukturë për të kontrolluar perimetrin e aeroportit. DERI NË 2005-ë ka qenë një repart i cili merrej me ruajtjen e aeroportit. Me marrjen në koncesion nga TIA ky repart u shkri. Policia ushtron kontroll në portat ku hyjnë dhe dalin punonjësit e aeroportit. Prezenca e Policisë në këto raste është në portën A, porta kargo ku ne zhvillojmë kontrolle e mallrave që vijnë për të parë nëse në to mund të ketë lëndë të ndaluara. 

Dy persona të policisë private atë ditë nuk janë lejuar të hyjnë...Është e saktë?
E bën ICTS këtë. Ata vendosin se cilat persona duhet të hyjnë në zonën e kufizuar. Unë jam drejtor dhe nëse shkoj në Rinas e nëse nuk më del një person i komisariatit, unë nuk mund të kaloj 'security' për tu futur në aeroport. Janë rregullat e ICTS. Vetëm punonjësit e policisë kufitare të cilët janë në Rinas, vetëm ata pajisen me dokumente për të hyrë në aeroport. Sa herë shkoj në Rinas, duhet të kem një vartës që të futem në aeroport.

A ka pasur situatë të ngjashme kur TIA iu ka njoftuar për një problem?
Kemi pasur një rast kur dy persona po përpiqeshin të kalonin gardhin dhe në moment është dhënë alarmi dhe ne kemi ndërhyrë menjëherë, duke arrestuar personat vetëm pasi kishin bërë 50 m. 

Çfarë ishin këta dy persona që donin të kontrollonin gardhin?
Është diçka që ne e kemi trajtuar në mbledhjet e brendshme. Janë disa teste që bëhen për të parë si reagohet. E kishte bërë Aviacioni Civil dhe ne ndërhymë menjëherë. 

Si kanë qenë relatat mes policisë dhe TIA-s?
Në mënyrë institucionale kemi shprehur shqetësimet tona që kemi. Në rastet kur është reaguar shpejt në rregullimin e disa problemeve, si për kamerat që nuk krijonin fushë pamje. Dhe për këtë u reagua shpejt. Ndërsa për këtë portë, është e lehtë të thuash se është detyrë e Policisë, por ajo portë nuk hapet çdo muaj. Vetëm njëherë në dy muaj mund të hapet, kur hyjnë mjetet e "British Petrolium". Dhe kur futen këto mjete, nuk kërkohet asistim i Policisë. Nuk njoftohemi sepse është jashtë zonës së aktivitetit normal që kryhet në port. 

Keni akses tek kamerat?
Jo. 

E keni kërkuar?
E kam kërkuar. Dhe kur kam hyrë në sallën e tyre na kanë thënë shikoni sa e vogël është salla, ku do të rrijë punonjësi juaj. Vendosni ju kamerat tuaja. Kjo s'ka sens. 

Shihni një shkundje nga kompania pas kësaj ngjarje?
Mendoj se do të ketë masa të mirë për t'iu siguruar siguri qytetarëve. Nuk është se pas kësaj dite ne kemi mbetur të topitur, pasi njerëzit do të lëvizin. Përveç përforcimit të shërbimit, ne do të insistojmë për të hartuar një plan pune me afate konkrete për t'i zgjidhur sa më shpejt këto mangësi që janë në Rinas. Në portat e aeroportit, sidomos ato që nuk përdoren, duhet të vendosen barrierat penguese siç janë në disa rrugët e Tiranës. 

Kaq e vogël është salla operative?
Shumë e vogël. Me sipërfaqe 2 me 3 m2. 

Pra, një kompani që merr 8-9 mln euro ka një dhomë sigurie vetëm 2 me 3 m2...
Nuk i di shifrat. Por, unë njoftimin e dua në moment dhe duke pasur punonjësin e policisë në sallën operative, në momentin që ka një problem, mjafton një buton dhe jepet alarmi tek policia. 

Kur makina është shfaqur në kamerat e dhomës së sigurisë, pse nuk është reaguar nga kompania?
Mund të jetë edhe prej monitorëve që janë të vegjël. Ose mund të mos ketë qenë aktive në atë moment. Se s'ka mundësi që një makinë e panjohur për aeroportin dhe ta kenë parë këtë makinë që hyn e të mos reagojnë, për mua s'e kanë parë. 

Pas sulmeve të Stambollit janë shtuar masat e policisë në ç'drejtim?
Në anën e terminalit të pasagjerëve pasi aty mund të jetë edhe dëmi më i madh. Janë shtuar forcat e punonjësve të policisë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com