/ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane, Angela Merkel i kërkoi sot, në një bisedë telefonike, homologut turk, Ahmet Davutoglu, për të vazhduar procesin e paqes me kurdët, njoftoi zëdhënësi i saj në një komunikatë.
"Pas një sërë sulmesh ajrore turke kundër pozicioneve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në veri të Irakut, Merkel kërkoi mosbraktisjen e procesit të paqes me kurdët, por të vazhdimin e tij pavarësisht të gjitha vështirësive", theksoi zëdhënësi i kancelares në një komunikatë.
"Angela Merkel siguroi Davutoglunë për solidaritetin dhe mbështetjen e Gjermanisë në luftën kundër terrorizmit, por i kujtoi parimin e proporcionalitetit në përgjigje të sulmeve", sipas zëdhënësit të saj.
Sulmet e artilerisë turke kundër PKK-së, që vënë në rrezik procesin e paqes mes Ankarasë dhe rebelëve ndodhën pas një sërë sulmesh kundër policisë turke nga militantët kurdë.
PKK-ja e justifikoi si një përgjigje ndaj atentatit kamikaz në Suruç, atribuar xhihadistëve të Shtetit Islamik, që shkaktoi 32 të vdekur dhe 100 të plagosur mes militantëve të rinj të kauzës kurde. Komuniteti kurd në Turqi akuzoi qeverinë për mbështetje të xhihadistëvve, gjë që Ankaraja e përgënjeshtron.