Merkel dhe Putin dakord për një hetim ndërkombëtar për rrëzimin e avionit malajzian

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti rus, Vladimir Putin ranë dakord që një hetim ndërkombëtar dhe i pavarur nën drejtimin e Organizatës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar të zhvillohet për të zbardhur aksidentin ajror në Ukrainë, njoftoi sot qeveria gjermane.

"Gjatë një bisede telefonike, dy drejtuesit ranë dakord që një komision ndërkombëtar dhe i pavarur nën drejtimin e Organizatës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar të ndërmerret sa më shpejt në vendin e aksidentit të avionit "Malaysia Airlines" në lindje të Ukrainës, për të zbardhur rrethanat e rrëzimit", theksoi qeveria gjermane në një komunikatë.

Duke marrë shkas nga kjo bisedë, Kremlini theksoi se dy drejtuesit kanë këmbëngulur në rëndësinë e një hetimi objektiv dhe rigoroz.

"Kancelarja e konsideroi pozitiv faktin që Rusia është e gatshme të dërgojë përfaqësues për të marrë pjesë në hetim", shkruan Kremlini në një komunikatë.

Berlin shtoi gjithashtu, se dy drejtuesit kishin rënë dakord për zhvillimin sa më shpejt të një takimi të drejtpëdrejtë të grupit të kontaktit duke përfshirë përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe OSBE-së për të arritur një armëpushim.
"Kancelarja i ka kërkuar edhe njëherë presidentit rus, Putin të ushtrojë influencën e tij mbi separatistët për të arritur këtë objektiv", shtoi qeveria gjermane./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Maliq, mjeti bujqësor përmbyset në rrugën e Moglicës, vdes 61-vjeçari që e drejtonte (EMRI)