/ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane, deklaroi sot se shikonte një dritë shprese që mundësonte avancimin në rrugën e një zgjidhjeje politike të konfliktit në Ukrainë mes rebelëve pro-rusë dhe forcave qeveritare.
"Që prej muajit shtator, armëpushimi, fillimi i tërheqjes së armëve të rënda dhe të lehta dhe veçanërisht anulimi i zgjedhjeve të separatistëve përbëjnë një dritë shprese që marrëveshjet e Minskut të nënshkruara në muajin shkurt të realizohen", deklaroi Merkel para Bundestagut (Dhoma e Ulët e Parlamentit gjerman).
"Nuk mund të flas më tepër, por një dritë shprese, as më pak e as më shumë, na jep mundësinë për të avancuar në rrugën për një zgjidhje politike", shtoi ajo.
Separatistët prorusë, që shtynë për në vitin 2016 zgjedhjet e tyre lokale, kanë siguruar që prej fillimit të muajit tetor se kanë filluar tërheqjen e tankeve nga linja e frontit, një gjest që parashikon të konsolidojë armëpushimin në lindjen rebele të Ukrainës, ku konflikti ka shkaktuar më shumë se 8 000 të vdekur që prej shpërthimit në prill të vitit 2014.