Merkel: Serbia të heqë
strukturat paralele në Veri

Merkel: Serbia të heqë<br />strukturat paralele në Veri
PRISHTINE- Kancelarja gjermane rikonfirmon mbështetjen gjermane për pavarësinë e Kosovës dhe kërkon bashkëpunimin e Prishtinës dhe të Beogradit për të normalizuar situatën në veri, ku më 28 nëntor protestuesit serbë lënduan rreth 30 ushtarë serbë e austriakë.
Angela Merkel zbriti në orën 11:40 minuta në aeroportin e Prishtinës, për të zhvilluar një vizitë disa orëshe në Kosovë.
Autoritetet kosovare kishin organizuar një pritje e lartë shtetërore, si dhe ishin marrë masa të rrepta sigurie në bashkëpunim dhe me KFOR.
Në aeroport Merkel u prit nga kryeministri Hashim Thaçi me të cilin më vonë mbajtën një konferencë e përbashkët për media.

MERKEL
Në fjalën e saj Merkel rikonfirmoi mbështetjen germane për pavarësinë e Kosovës dhe shprehu gadishmërinë për të dhënë kontributin e saj në ndërtimin e shtetit.
"Ne si qeveri federale angazhohemi për Kosovën dhe për këtë arsye flasim me të gjithë aktorët në Evropë e me të gjithë ata që duan të jenë pjesë e BE-së, pra edhe me Kosovën e edhe me Serbinë, tha kancelarja gjermane.
 
Duke u ndalur në situatën në veri Merkel kërkoi bashkëpunimin si nga Serbia ashtu dhe Kosova për të normalizuar situatën.
 “Lidhur me situatën në veri kemi biseduar edhe me presidentin serb Tadiç, në mënyrë që të gjinden forma të normalizimit të marrëdhënieve. E kam lutur palën kosovare që të japë kontributin e saj në këtë gjatë kontaktit me Serbinë dhe Tadiçin".

Madje ajo shprehu falenderimin ndaj ushtarëve gjermanë që ndodhen në veri pasi “javët e kaluara u dëshmua se angazhimi nuk është aq i lehtë sa e mendojmë.” – tha Merkel duke nënvizuar se “Ushtarët kanë detyrë të rëndësishme”

Ajo tha se mbeten ende punë për të bërë në ndërtimin e shtetit ligjor sikurse që ka punë për të bërë në raport me Serbinë.
“Ne bisedat tona direkte me Serbinë e kemi bërë të qartë se çfarë duam ne. Pra, ka nevojë për gjetje të mundësive për tregti të lirë, bashkëpunim në aspektin kufitar e jemi të angazhuar që në Kosovë të mos ketë struktura paralele. Ka qenë kjo edhe arsyeja e bisedës të cilën e kemi pasur sot, pra çfarë duhet të bëjë Kosova për të arritur sukses në këtë drejtim. Mendoj se është bërë një hap i madh e tani është radha te pala kosovare, në mënyrë që t’i jepet një zgjidhje paqësore këtij konflikti”, theksoi Merkel.

Kryeministri Hashim Thaci u shpreh i vendosur se Kosova do të angazhohet për të përmbushur të gjitha detyrimet për anëtarësimin e saj në BE. Kosova është e vendosur për të përmbyllë kapitullin e konflikteve, e të hapë atë të dialogut. "Historia nuk duhet të jetë peng e së kaluerës. Këtë duhet ta bëjmë për brezin e ardhshëm” nënvizoi Thaci.

Ai tha se Kosova do të jetë e përkushtuar në dialogun me të gjithë fqinjët. "Dialogu nuk është vetëm njëra nga opsionet por është opsioni i vetëm - komunikimi për çështjet që duhet të zgjidhen në raportet Kosovë - Serbi. Por ky dialog vlen vetëm kur zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura, prandaj shpresojmë që Serbia t’i zbatojë ato"

Duke u ndalur në situatën në veri tha se "qeveria nuk është në luftë me qytetarin e tij por me anarkinë."
Kryeministri vlerësoi shumë kontributin e ushtarëve gjermanë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në veri të Kosovës.
"Ne përulemi para ushtarëve dhe lutemi të kenë shërim të shpejtë ushtarët gjermanë që u lënduan në veri” – tha Thaçi duke kujtuar incidentin e pak ditë më parë kur në veri të Kosovës protestuesit serbë plagosën disa ushtarë.

Merkel do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Drevs, si dhe përfaqësues tjerë të lartë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

VIZITA E MERKEL
Vizita e Merkel vjen pak ditë pasi , më 28 nëntor, tridhjetë ushtarë gjermanë dhe austriakë u plagosën, kur qindra serbë rezistuan një përpjekje nga paqeruajtësit e NATO-s për të hequr barrikadat e ngritura nga serbët në veri të Kosovës.

Këto incidente të dhunshme u bënë vendimtare për shtyrjen e vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel ishte mjaft e prerë kur deklaroi se Serbia nuk i ka përmbushur kushtet për afrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian, ndërsa ka krijuar një mjedis për dhunë në veriun e Kosovës. Madje në fillim të dhjetorit tërhoqi vërejtjen se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian mund të realizohet vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Ndërkohë jo me sy të mirë shihet vizita e kancelares gjermane nga autoritetet serbe, pasi ata e fajësojnë si shkaktaren kryesore që Serbia nuk morri statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Vijon zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë, pamje me dron nga reja e tymit toksik që që ka 'pushtuar' qytetin bregdetar

Vlorë/ Vijon zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë, pamje me dron nga reja e tymit toksik që që ka 'pushtuar' qytetin bregdetar