Pasi ndryshoi nga 2 miliard në 3 miliard lekë të rinj totali i vlerës së sponsorizimeve përgjatë një viti, propozimi i qeverisë ka pësuar edhe ndryshime të tjera, gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare. Nisma kishte përfshirë dhe një pjesë të ndryshimeve të kërkuara më herët nga deputetët socialistë Taulant Balla dhe Erion Braçe.

Por këta të fundit u shfaqen kritikë me variantin e qeverisë. Ata kundërshtuan që në fillim vendosjen e disa kufijve, përfshirë dhe kufizimin që një biznes i vetëm të mos mund të ofronte më shumë se 30 milion lekë të rinj, të cilat do i zbriteshin nga tatimi mbi fitimin.

Të dy bënë një betejë në komisionet parlamentare dhe sot shënuan dhe një tjetër fitore. Si në Komisionin përgjegjës, atë të Kulturës, ashtu dhe në komisionin e Ligjeve u pranua propozimi i tyre që kufizimi prej 30 milionë lekësh të rinj, si kufi për vlerën e sponsorizimit nga një biznes i vetëm, të hiqet nga ligji dhe kjo çështje të trajtohet përmes akteve nëligjore

“Tavanin që është vendosur në ligj, për masën që i vendoset një kompania për të sponsorizuar në vit, atë 30 milonshin, e kemi hequr se s’ka logjikë. Çdo tavan vendoset në kontratë sepse nuk kemi pse vendosim tavan në ligj,”-u shpreh Braçe.

Nga ana tjetër është rënë po ashtu dakort që për vlerën totale të sponsorizimeve, prej 3 miliard lekësh, të ketë një kategorizim të shpërndarjes së tyre, mes sportit, artit dhe kulturës.

“Duhet të ketë një diferencim. Në aktet nënligjore që do të bëjë ministria, qoftë vendim i këshillit të ministrave apo udhëzime, duhet të jetë shumë e qartë që pjesa e luanit duhet ti kalojë sportit. Dhe brenda pjesës së sportit duhet të kemi parasysh një preferencë të posaçme për sportin e futbollit,”-deklaroi Balla.

Jo vetëm futbolli, por edhe për sportistët elitar, do të duhet të parashikohet një trajtim po ashtu i diferencuar.