Mero Baze: 21 Janari duhet të dënohet nga PD si një krim politik

Mero Baze: 21 Janari duhet të dënohet nga PD si një krim politik

Protesta e 21 janarit

Ka disa ngjarje kriminale në jetën e një vendi që shërbejnë jo vetëm si standard juridik për ndëshkueshmërinë, por dhe si standard moral për shoqërinë dhe politikën, për t’i ndëshkuar ato. 21 Janari është më tipikja e një historie vrasjesh për nevoja politike.

Kryeministri i vendit Sali Berisha, i ka bërë të gjitha çfarë mund të bëjë një vrasës gjakftohtë. Në fillim ka vrarë, pastaj ka tentuar t’ia lërë vrasjet si vepër kundërshtarit, më pas kur u zbuluan faktet me video që ka vrarë Garda, ka marrë përsipër vrasjet dhe i ka justifikuar si grusht shteti.

Saga e pandëshkueshmërisë ka vazhduar më tej duke bllokuar drejtësinë të hetojë, duke penguar arrestimet e gardistëve, duke prishur provat, duke fshirë plumbat nga oborri i Kryeministrisë, duke zhdukur serverin e Kryeministrisë që ka regjistruar ngjarjet dhe deri tek kërcënimet për vrasjen e liderit të opozitës.

Pra nuk i ka lënë gjë mangët çdo krimineli klasik që ka bërë vrasje për nevoja politike, qofshin këta fashistë apo komunistë në gjithë botën, që nga Pinoçeti, deri tek Pol Poti.

Dhe nuk e kam më me atë, se ai është i “ndershëm” si vrasës në këtë histori. I ka bërë vrasjet, i ka pranuar, ka premtuar se do t’i bëjë prapë gjithmonë, bazuar tek siguria që drejtësinë e ka vënë poshtë këmbëve dhe nuk e përfill.

Unë nuk kam më fuqi të them kur do vendoset drejtësia për atë ngjarje, por kam ende fuqi të besoj se Partia Demokratike apo shumë politikanë të saj, do të gjejnë një ditë fuqi të distancohen nga ai krim.

Ka plot komunistë të rëndësishëm të Shqipërisë që kanë gjetur fuqi të distancohen nga krimet e diktaturës. Madje dhe ata që kanë qenë shumë afër diktatorit. Ka dhe vet komunistë që kanë lyer duart me gjak si Bedri Spahiu fjala vjen, që ka bërë një reflektim të thellë për krimet e tij.

Ka djem kryeministrash gjakatarë si Bashkim Shehu, djali i Mehmet Shehut, që janë emblema të qytetarit të përgjegjshëm shqiptar, duke reflektuar për krimet e babait të vet, krimet e diktaturës, dhe duke i dhënë Shqipërisë një fytyrë krenare për vetëdijen e saj perëndimore.

Asnjë eksponent politik i rëndësishëm i PD që ka qenë në pushtet më 21 Janar, nuk është distancuar nga ajo ngjarje. Seç ekziston një kompleks i krimit kolektiv, që ata i mban të bashkuar, edhe pse nuk kanë fare faj, madje edhe kur janë të përdorur në atë histori. Kujtoj këtu komisionin qesharak hetimor që kërcënonte prokurorët dhe na shpallte puçistë ne gazetarët, apo plot deputetë që detyroheshin të mbanin fjalime histerike kundër “puçit të shtetit” disa ditë më vonë.

E kuptoj tërësisht atë moment dhe atë përdorim politik. Por njeriu ka një kohë në jetën e tij që gjen arsye të plota për të dënuar të shkuarën e keqe të vetes së tij, qoftë dhe kur ka qenë i përdorur.

21 Janari duhet të dënohet nga PD si një krim politik, jo se do vendoset drejtësia, por se shoqëria do bëhet më e sigurtë dhe më e mirë, duke mos krijuar një mit për vrasjet politike si vrasje të drejta. Nuk ka rëndësi nëse je mbështetës i Berishës apo Bashës, apo nuk je i askujt. Ka shumë rëndësi që kushdo që ka qenë në atë ditë mbështetës i pushtetit, të distancohet nga ajo që ka ndodhur dhe ta dënojë si diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë në këtë vend. 

Mendoni sikur Fatos Nano të kishte hapur zjarr më 14 shtator kur turmat hynë brenda zyrës së tij, duke poshtëruar dhe simbolet shtetërore. Mendoni sikur Edi Rama të hapte zjarr në protestat e tensionuara të opozitës më 2019, kur rrethonin Kuvendin dhe Qeverinë, apo kur hynin brenda asaj që Berisha e quan “rregullore e bulevardit”, “rregullore e sheshit” apo e leshit, për të justifikuar vrasjet e tij.

Ka shumë rëndësi që PD, ose së paku shumë njerëz të PD të asaj kohe, të çlirohen nga ai krim, që nuk është i tyre, dhe ta dënojnë për të shpëtuar historinë e saj. Dhe kjo nuk vlen thjesht për të dënuar Sali Berishën. Të vrarët prej tij dhe familjes së tij bëjnë një varrezë më vete në këtë vend. Ata nuk ka zot t’i shpëtojë, dhe nëse i mbështet, dhe nëse distancohesh prej tyre.

I kam vënë re që dhe një dekadë pas krimit, PD bëhet nervoze me vrasjet dhe përpiqet t’i mbrojë, ndërkohë që kërcënon për revolucion dhe përmbysje pushteti me dhunë. Është gati e njëjta kulturë si ajo e militantëve të Berishës, që mburren me gjithë rrahjet dhe dhunën e Berishës ndaj kundërshtarëve.

Kultura e dhunës, e rrahjes, e vrasjes dhe poshtërimit të kundërshtarit është fytyra talibane e PD dhe fatkeqësisht identiteti i saj që e ka lënë përjetësisht një pakicë në këtë vend, pakicë që po shkon drejt shuarjes.

Por dhe drejt shuarjes duhet të përpiqen së paku të distancohen nga ai krim. Është më mirë të vdesësh pa pengje se sa me mllefin e një vrasësi që shpenzon gjithë jetën për të justifikuar krimet e veta.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • abc: 22/01/2023 06:20

    vepra e vetme qe ka lene PD,,eshte masakra e 21 janarit 2011 dhe 1997....desh harrova dhe gerdecin...///

    Përgjigju
  • Arbërori: 21/01/2023 20:25

    Këtë shëmti kriminale e ka bër agjenti rusoserb Edvin shkjau shqipfolës o zotri …!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç