Mero Baze: 24 orë kryeqytet i Evropës

Mero Baze: 24 orë kryeqytet i Evropës

Logoja e samitit të BE në Tiranë

Në Tiranë kanë mbritur udhëheqësit e parë perëndimorë që do të marrin pjesë në Samitin mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanin Jugperëndimor.

Vendimi për tu mbajtur në Tiranë nuk është zgjedhje alfabetike, dhe as rastësi. Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është vendi me zero probleme ndaj politikave të perëndimit. Pesë vendet e tjera, Serbia Bosnja, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi, kanë secila problemet e veta, në raport me standardet e tyre kryesisht etnike në raport me Bashkimin Evropian. 

Serbia është nën presion të braktis politikën e mbajtjes së një këmbe në Rusi, e tjerës në BE. Ajo është po ashtu e kushtëzuar në rrugën drejt BE nga përparimi që do të bëj drejt Marrëveshjes finale me Kosovën. 

Bosnja është nën shantazhin e nacionalistëve serb për tu dezintegruar. Dodik, i dizajnuar nga SHBA si “Non grata” me të njëjtin status si Sali Berisha, është më popullor se vet Vuçiqi në Serbi për shkak të lidhjes së tij direkte me Putinin.

Mali i Zi gjendet në mes të një krize të thellë politike, e cila po ashtu është rezultat i përplasjes së ndikimit rus për të rritur ndikimin në Ballkan dhe orientimit nacionalist të partive pro serb në atë shtet.

Maqedonia e Veriut, është në rrugën e saj të vështirë për tu ikur pasojave izolacioniste të fqinjëve të saj për shkak të pretendimeve mbi historinë dhe identitetin e saj shtetëror.

Kosova po ashtu vuan krizën e perspektivës për një Marrëveshje finale me Serbinë dhe pasigurinë e lidershipit të saj në ndjekjen e një axhende tërësisht properëndimore në këtë proces, duke bërë llogari populiste.

E parë në këtë këndvështrim, Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, që ka zeruar problemet e raporteve me fqinjët dhe është larg axhendave nacionaliste të rajonit. 

Së dyti  Bashkimi Evropian ka zgjedhur kryeqytet Shqipërinë për 24 orë dhe për një mbështetje simbolike, për shkak të vënies së saj në qendër të sulmeve si aleat i perëndimit nga vende jo miqësore me Perëndimin, si Rusia dhe Irani.

Prej disa muajsh Shqipëria është nën sulm kibernetikë, që synon destabilizimin e vendit prej Iranit dhe po ashtu është nën presionin e ndikimit rus në politikë, për të qenë një vend që duhet të devijoj politikat e dëgjueshmërisë ndaj perëndimit, sidomos për reforma madhore në vend sic ka qenë Reforma në Drejtësi.

Dhe për këtë arsye ashtu siç tha dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, Samiti  mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor ka simbolikën e tij, për të demonstruar praninë e Bashkimit Evropian në zemër të Ballkanit.

Së treti Tirana është për 24 orë kryeqytet i Evropës dhe për dinamikën e jetës politike të saj të orientuar nga Perëndimi. 

Opozita shqiptare, është në mesin e një lufte politike të panjohur më parë në Shqipëri, për të shkëputur lidershipin opozitar nga liderë populist që duan të shantazhojnë Perëndimin në Shqipëri përmes aksioneve politike antiperëndimore.

Partia Demokratike është e ndarë në dy pjesë, dhe është në mesin e një beteje të dhimbshme, për të izoluar përpjekjet e Sali Berishës , një politikan i njëjtë me Dodik në Bosnjë, i dizajnuar nga SHBA dhe Britani e Madhe si “person a non grata”, për minim të demokracisë, korrupsion madhor familjarisht, shantazhim të sistemit të drejtësisë dhe lidhje me element kriminalë që i përdor për qëllime politike. Së bashku me Ilir Metën, një politikan që ka dëshmuar paqëndrueshmërinë e tij politike ndaj Perëndimit, Sali Berisha po përpiqet të krijoj një front ilegal kundër Perëndimit në Shqipëri, duke u maskuar pas betejave të brendshme të opozitës dhe sidomos ndaj linçimit të Lulzim Bashës, politikanit që u distancua i pari prej tij, pas dizajnimit  si “non grata” nga SHBA.

Distancimi i shumicës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike nga Sali Berisha përkundër shantazheve të tij publike dhe ofertave financiare, e bën opozitën shqiptare një fushë betejë reale të perëndimit në Shqipëri, për të mbrojtur vlerat e Evropës përballë një grupi uzurpatorësh populist, të cilët duan të blejnë vëmendjen e Perëndimit në Shqipëri, duke spekuluar në emër të opozitës. 

Në të vërtet i vetmi nder që i bëjnë vlerave perëndimore në Shqipëri Sali Berisha dhe Ilir Meta, është ndarja e tyre me pjesën properëndimore të opozitës e cila nesër do të nderoj Evropën, ndryshe nga ata që do të përpiqen të zhgaraviten para policëve për t'iu tërheq vëmendjen Evropës se janë dhe ata pjesë e këtij vendi, ndaj “duhet folur edhe me ata”. 

Fatkeqësisht janë! Si çdo shtëpi edhe kjo e jona ka dhomë pritje, por ka dhe tualet. Për këto 24 orë që jemi kryeqytet i Evropës, dhomën e pritjes e kemi tek “Marriot” pranë Air Albania. Tualetin do ta kemi diku tek cepi i bulevardit.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë