Mero Baze: Njerëzit që preknin pavarësinë e Kosovës

Mero Baze: Njerëzit që preknin pavarësinë e Kosovës

Analisti, Mero Baze në Prishtinë, 2008

Dy fije te bardha letre kishin modifikuar tabelat e dy dyerve të tualetit në një restorant qëndror në Prishtinë. Në vend të fjalës “Burra” dhe “Gra” i zoti restorantit kishte ngjitur dy copa letre të bardhë, ku shkruhej “I pavarur” “E Pavarur”. Ky detaj, sa me humor, aq dhe domethënës për të përkufizuar kënaqësinë e lirisë, mund t’i nxirrte pijen çdo klienti që kishte festuar deri pas mesnate të shtunën, duke gdhirë e diela e 17 shkurtit.

Një qytet i rritur me makthin e mungesës së lirisë tashmë po përpiqet të ulë rëndësinë e çdo nevoje jetike para pavarësisë. Në T-Shirt-et e të rinjve lexon slogane  gati-gati vetësakrifikuese në emër të pavarësisë. “Pavarësia është më e mirë se seksi”, “Pavarësia është më e mirë se të kesh elektricitet”, Pavarësia është më e mirë se interneti” dhe kështu me radhë, duke injoruar një listë të pafundme nevojash jetike për brezin e sotëm.

E thënë në mënyrë kaq modeste nga të rinj të angazhuar dhe vitalë që mbushin jetën e tyre falë seksit, internetit dhe elektricitetit ky kolazh sloganesh ishte dekori real qytetar i pavarësisë. Flamuri kuqezi; tumpanat, plisat e bardhë dhe simbolet e tjera të identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk ishin kurrfarë lajmi për çdo të huaj ne Prishtinë atë ditë. Kurse gjestet e tilla të të rinjve dhe qetësia me të cilën ata donin të deklaronin se  pavarësia për ta ishte jeta që u kishte munguar.

Përballja me shenjat e shtetit të ri

Askush nuk dinte ende asgjë për Flamurin. Mbasditen e 16 Shkurtit Hashim Thaçi na tregoi se Flamuri ishte printuar dhe ishte magazinuar. Por nuk po shfaqej ende. Perëndimorët që ngjanë si guvernatorët real të Prishtinës, kishin drojë të bënin një test publik për flamurin para ceremonisë. I druheshin mos pëlqimit apo tramuës së vogël që ndjehej në momentet e para.

Hashim Thaçi nuk donte ta pranonte këtë. Njerëzit rrotull na mbushën mendjen se mos shfaqja e flamurit ishte vendim i brendshëm poltik pasi donin që njerëzit të festonin me flamur kombëtar.

E vërteta ishte diku në mes. Të dy palët nuk donin të bënin betejë për flamurin, i cili ishte thjeshtë një shenjë e pavarësisë, siç është uanza në gishtat e të martuarve, për hijeshinë, apo vlerën e së cilës, nuk bëhet debat ditën e dasmës.

Aty afër mbrëmjes më në fund na i dhanë nga një flamur, pro na u lutën të mos e shpalosim askund. Ishte një hartë e Kosovës e vizatuar në një sfond të kaltër të thellë me yje të verdhë. Një flamur që të kujtonte ngjyrat dhe simbolet e Evropës.

Albin Kurti nderkohe kishte mobilizuar njerezit e vet te na mbushnin mendjen se "po na gënjenin". Kjo nuk ishte pavaresi.

Ishte si një anestezi kundër çdo emocioni kombëtar. Një mënyrë për të na treguar të gjithëve se këtë shtet na e bëri Perëndimi. Doja pak kohë të bindja veten që ishte i mirë. Por e hoqa nga lista e sendeve që do ta ruaja si kujtim nga pavarësia. Nuk mu duk një gjë shqiptare. Më shqiptar mu duk plisi.

Ja mora djalit Arbën Xhaferit në Restorant “De Rada” plisin që mbante në kokë.

-Do ma dhurosh mua këtë, i thashë, ta kem kujtim nga pavarësia.

Pak më vonë filloi festa. Filluan të numurohen minutat sekondat dhe në orën 12 të natës , kur filloi dita e 17 Shkurtit, gjithçka kaloi në ekstazë. Djem të rinjë me tupan, vajza që vallzonin si të çmendura “Vallen e Shotës”, politikanë që harruan ndarjet politike, gazetarë dhe diplomatë të huaj ishin një. Ishte aq e fort ndjenja e gëzimit që po ndodhte diçka e madhe, sa thirrjet e Albin Kurtit dhe disa aktivistëve të tij, “se kjo është rrenë”, dëgjoheshin duke buzëqeshur. Të gjithëve u dukej se dhe ata ishin të gëzuar.

Një poster i madh me një grafik të Adem Jasharit me slloganin “Bac u kry”, ishte si një poster shterues për këdo që ishte kundër festës.

Pastaj u ngrita për të vazhduar festën në një klub tjetër në dalje të Prishtinës. Fadili, një ush ushtar i UÇK, të cilin e njihja prej kohës së luftës, ishte aty. Bashkë me Elën, një kolege nga Tirana, vendosëm ti bëjmë suprizë.

Pasi u përqafova me të, i thashë:

-Kam një dhuratë për ty. Je i pari që e shikon.

Flamuri i Kosovës

Fadili po më shikonte i hutuar. Hapa çantën dhe nxorra flamurin e Kosovës.

-Merre i thashë se ke luftuar.

Fadili shtangu dhe për pak u tërhoq mbrapsht.

-Çfarë është ky bre?

-Flamuri,- i thashë.

Pa një herë i hutuar se mos tallesha, pastaj e shtyu pak me dorë tutje.

-Jo mor burrë,- tha. Ky është për këta që janë në punë shteti. Unë jam privat. E kam flamurin tim.

Me plisin vendosur në kokë u ktheva tek De Rada. Veton Surroi dhe Arbën Xhaferi ishin ulur të dy në një tavolinë. Hoqa plisin dhe ju luta ta nënshkruanin atë nga pjesa e brendëshme.

-Kam vendosur ta ruaj si relikë nga pavarësia,- u thashë.

E firmosën të dy, duke ma respektuar dëshirën me një përtesë që buronte nga dyshimi se nuk do ta ruaja gjatë.

Të nesërmen, ja dhashë për firmë dhe Presidentit Sejdiu dhe Hashim Thaçit. Ata firmosën nga pjesa e jashtme.

Në atë kohë pash se plisi im u bë i rëndësishëm. Ai kishte nënshkrimin e katër njerëzve të rëndësishëm të Kosovës, njollat e verës që ishin derdhur tek De Rada, gishtat e mij bërë pis nga ushqimi dhe një shkelje me këmbë nga valltarët që u binin tumpanët. Prej asaj dite vendosa ta mbyll në një kuti në Tiranë, si të vetmin send që ma kujton pavarësinë.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Vendosëm të shkonim në Fushkë Kosovë. Legjenda e fushës së mëllenjave, “djepi i legjendeve serbe” për Kosovën ishte duke jetuar historinë e re. Dikush na premtoi se do të takonim serbin Gruiç, një personazh nga ata që ishte shfaqur në krah të Milosheviçit më 1987.

Në mendjen time për shumë prej atyre serbëve që kishin mbetur aty, pavarësia mund të ishte përsëritja e betejës së Fushë Kosovës Serbët i kanë jgithë mitet e ngritura mbi humbjet e tyre. Ata ende besojnë  se  “osmanët kanë prodhuar dhimbje kombëtare për Serbinë”. Ata kanë shenjtëruar çdo gjë të humbur aty, duke filluar nga Car Llazari.

Godina e Komunes ne Fushe Kosove

I vetmi që është përpjekur të trondisë mitin e tyre për Fushë Kosovën, ka qenë shkrimtari ynë Ismail Kadare, i cili, në esenë e tij për Betejën e Fushë Kosovës, dëshmon për një histori të përbashkët shqiptaro-serbe,për një humbje të përbashkët dhe rezistencë të përbashkët. Por kjo vlen për të huajt. Për serbët vlen legjenda e tyre, vlen miti i humbjes së Fushë Kosovës.

Godina e Komunës në Fushë Kosovë

Në emër te këtij miti, në emër të vajtimit të humbjes, ata kanë prodhuar një identitet të veçantë në Ballkan, identitetin e kombit humbës që është i mahnitshëm në vajtimin e tij.

Beteja kundër Kosovës se shekullit 20 nisi po aty , ne fund te viteve ’80. Millosheviçi u përpoq ta risillte mitin e humbjes së Fushë Kosovës në ideologjinë e tij nacionaliste si një shtysë kryesore. E nisi nga ky ballkon. E nisi nga ky fshat. E nisi me ketë njeri që kisha ne krahë, me serbin e thjeshtë  Gruiç. Tashmë, Millosheviçi i ka humbur të gjitha, pushtetin, lavdinë, dhe Kosovën. Gruiç ka mbetur këtu. Ka ikur të bëjë pazarin në Prishtinë dhe do kthehet, që nesër, kur të festohet, të jetë brenda në shtëpi.

Për të historia e Fushë Kosovës është historia e thjeshtë e nevojës për të jetuar. Kur i duhej të ishte në pushtet, ishte në krah të Millosheviçit. Në vitin 1999 ai ka parë kush e ka vrarë Fehmi Agnanin dhe ka ndihmuar në gjetjen e vrasësit. Është një njeri me gjithë veset dhe virtytet që mund të ketë një njeri që e ngrys jetën në një fushë të mbushur me sorra, që në çdo rast të ngjallin trishtimin e kufomave diku rrotull teje.
Duke ecur përmes fshatit  Bresce rruga të fut në fshatin fqinj Uglar, edhe ky me shumicë serbe. Në një varrezë të vjetër në mes të fshatit janë grumbulluar rreth 30 vetë dhe kujtojnë diçka. Afrohemi dhe na shikojnë si të shtangur. Distanca është e qartë. Nuk duan t’i filmojë askush në dhembjen e tyre. Një djalë i ri na afrohet dhe na bë shenjë të largohemi.

Një polic serb i Shërbimit Policor të Kosovës po ashtu na këshillon të vazhdojë rrugën. Enveri më shpjegon se nuk bëhet fjalë për vdekje, por për ndonjë përkujtimore. Banorët serbë ngjajnë të trishtuar, po dhe të varfër, Enveri më ndaloi në dyqanin e një miku të tij serb në mes të fshatit. Më ftoi brenda për një kafe. Ishte mjerim. Dyqani ishte tejet i varfër dhe rrezatonte nevojat e popullsisë rrotull tij. Ishte një kioskë e keqe dhe pa shumë hapësirë. I zoti i dyqanit mësoi se isha gazetar nga Shqipëria dhe nuk e ndryshoi mimikën  e fytyrës. Kjo m’u duk shumë pozitive. E pyeta, ku furnizohej dhe sa xhiro kishte.

-Shumë pak,-tha,-veç  për lagjen këtu rrotull. Nga shqiptarët i blejmë sendet.

Rruga përtej dyqanit të ngjiste në një kodër që të çonte në fshatin Preoc, po ashtu i banuar nga serbë, por që i takonte komunës së Prishtinës.

Fusha e Mellenjave

Nga kodra dukej Gazimestani, vendi i pelegrinazhit mitik të Sllobaodan Millosheviçit në qershor te vitit 1989, kur solli aty mbi 1 milion  serbë për të ringjallur mitin e Betejës së Fushë Kosovës dhe e ngjalli. Me atë mit ndezi në flakë Jugosllavinë dhe Serbia humbi gjithçka që mund të humbte. Teorikisht miti i humbjes funksionoi, duke prodhuar një humbje të re për serbët.

Tanimë, në Fushe Kosovë jetojnë rreth 2500 serbë. Janë katër fshatra, ku janë koncentruar, Brescia dhe Uglar, me popullsi të përzjerë, ku dominojnë serbët dhe Batuse dhe Kuzmin, që janë të pastra me serbë.

Fusha e mëllenjave në Kosovë

Me paketën e re ‘Ahtisaari’, nga e cila do të burojnë ligjet që do të qeverisin Kosovën, serbët kanë ligjërisht aq shumë të drejta, sa nëse do të dinë t’i përdorin do të ndjehen të diskriminuar pozitivisht, pasi nuk kanë aq kapacitet dhe mundësi për t’i përdorur ato mundësi.

Por diçka më e fortë dhe e pazëshme i mban ata ende larg integrimit me shqiptarët. Historia ka prodhuar shumë legjenda dhe ata e kanë të vështirë t’i harrojnë të gjitha kaq shpejt, megjithëse shumë prej tyre duan t’i harrojnë. Janë një popullsi në hall. Një popullsi, të cilën Beogradi nuk e do në Beograd, por në Fushë Kosovë.  Nuk e do të pasur por të varfër, qe të vajtojë për të. Nuk e do të barabartë, por te poshtëruar që të protestojë për të. Ata janë “mish për top” për të mbajtur gjallë flakën e një lufte që ka mbaruar . Ata kanë vetëm një të ardhme dhe atë e kanë aty, në shtëpitë e tyre, duke besuar te shteti i ri që po lind me mbështetje të Perëndimit. Kosova ka shans të bëhet një shtet i së drejtës më i mirë se Shqipëria dhe Serbia. Shanset ia ka dhënë ata që e ndihmuan për pavarësinë e saj. Qytetarët e Kosovës duhet të bëhen pjesë e kësaj historie të re. Fushë Kosova nuk mund të mbetet një djep mitesh për humbjen e përjetshme të serbëve. Varrezat e rejat fshatit Uglar të ngjallnin trishtim, mes të tjerash për faktin se kishin vetëm pesë varre. Shumë pak për të gjithë këtë histori që duan të konsumojnë me këta serbë ne hall.

Dy portretet e pavarësisë

Pavarësia u shpall. Hashim Thaçi, përkundër përpjekjes për të qenë korrekt me intonacionin e zërit, duket se u bë i ndjeshëm dhe më pak aktor, kur tha se e deklaron “Kosovën shtet të pavarur demokratik….”

Përballë tij rrinte i ulur presidenti Fatmir Sejdiu, i cili pak minuta më parë kishte mbajtur një fjalë shumë mbresëlënëse për çdo shtetar të botës. Kishte korrigjuar me takt dufet politike të Jakup Krasniqit kundër Ibrahim Rugovës, kishte respektuar familjen Jashari, kishte përshëndetur aleatët e mëdhenj të Kosovës dhe kishte përcaktuar Ditën e Pavarësisë si ditë që ndan dy epoka te Kosovës.

Profesori i njohur i Prishtinës është ndoshta nga të paktët njerëz në të kryeqytet që di më mirë se kushdo gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe. Shqipja e tij letrare është për t’u pasur zili nga çdo profesor i Tiranës, ndërkohë lehtësia me të cilën ai lexoi një paragraf serbisht, tregonte për të njëjtën gjë,edhe pse unë di ta vlerësoj. Së bashku me Hashim Thaçin ata janë një duet real i Kosovës, një duet që përfaqëson historinë reale dhe rrathët ciklikë në të cilat kaloi profecia e formimit të shtetit të Kosovës.

Analisti Mero Baze dhe Fatmir Sejdiu (President i Kosovës gjatë viteve 2006-2010)

Fatmir  Sejdiu përfaqëson qartë brezin që arriti t’i shkëpusë Jugosllavisë së Titos Universitetin e Prishtinës dhe të drejta të tjera kombëtare që përbëjnë zanafillën e formimit të elitës në Kosovë, pa të cilin një shtet s’mund të formohet kurrë. I bashkuar qysh në fillim me lidhjen Demokratike të Kosovës ai ishte një figurë solide po jo e zënshme e lidershipit që udhëhoqi shtetin paralel të shqiptarëve në Kosovë deri në vitin 1999, kur pas radikalizmit të situatës prej UÇK, ndërhyrja e NATOS-s i dha fund pushtimit serb të Kosovës.

Vdekja e Rugovës i hapi rrugë karrierës së tij si president dhe dy muaj më parë ai është rikonfirmuar pa hezitim nga Kuvendi i Kosovës.

Njeriu me të cilin ai bashkëqeveris Kosovën i përket një brezi tjetër dhe një historie tjetre. Hashim Thaçi padyshim i përket gjeneratës revolucionare të Kosovës. Rinia e tij përkon me ngritjen e nacionalizmit serb në Kosovë dhe kufizimin e lirive të fituara pas vitit 1974.

Për këtë shkak ai dhe shumë bashkëmoshatarë të tij iu bashkuan një rruge më revolucionare. Të inspiruar fillimisht nga nacionalkomunizmi, ata u bënë ithtarë të Shqipërisë dhe mbështetën shpresat te ndihma e saj. Demokratizimi i Shqipërisë dhe zhvillimet në Kosovë krijuan plot hendeqe për një konspiracion kombëtar kundër Serbisë. Shqipëria demokratike nuk ishte aq e lirë sa të vepronte si shtet kundër Serbisë, kurse Kosova me një sistem paralel nuk ishte ëndrra e Hashim Thaçit.

Duke iu bashkuar grupeve ilegale,që më pas u strukturuan ne UÇK, ai arriti të bëhet udhëheqësi politik i tyre falë dhe mbështetjes së Shqipërisë dhe shumë shpejt arriti t’i dominojë ata. Pas çlirimit të Kosovës , ai udhëhoqi partinë e dalë nga UÇK dhe diti të përballojë mungesën e mbështetjes popullore për ta. Ai arriti të kuptojë se revanshi në emër të luftës iu kujtonte kosovarëve diktaturën dhe ata ia dhanë këtë mesazh partisë së tij.

Si rrallëkush nga liderët revolucionarë ai ndryshoi shpejt. U bë i dëgjueshëm për ndërkombëtarët dhe i hapur me gjithë faktorët politik në Kosovë dhe Shqipëri. Adoptoi shumë praktika kompromisi, derisa në fushatën e fundit, prodhoi një frymë shprese në Kosovë kundrejt LDK që ishte përçarë pas vdekjes së Rugovës.

Formoi një qeveri me kundërshtarët e vet dhe sot fati e solli të lexojë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Një destin që të bën të besosh te mitologjia, bëri që pavarësia të vononte në Kosovë, po aq sa do të vononte ardhja në pushtet e liderit te UÇK. Por ai sot është i qetë dhe skifterët rrotull tij kanë heshtur.

Të gjithë e kuptojnë se dita e madhe e Kosovës ka nevojë që të ndryshojnë të gjithë. Ky shtet që lind nga salla e këtij Kuvendi, sot ka vetëm një armik të madh që mund ta shkatërrojë revanshi i shqiptarëve drejt një shteti batakçi. Të gjithë armiqtë e tjerë janë armiq që mund të munden. Portreti i Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit di t’i shoqërojë gjatë shqiptarët e Kosovës në historinë e tyre si dy liderë që ditën bashkohen për ti dhenë siguri dhe shpresë Kosovës. Por, nesër politika do t’i ndajë dhe nuk ka asgjë dëshpëruese. Dëshpëruese do të jetë vetëm mosndërtimi i një shteti kosovar të së drejtës që të këtë realisht një identitet evropian, për të garantuar investimin perëndimor atje.

“Garantët” e pavarësisë që nuk ishin në tribuna

Mbrëmjen e 17 shkurtit Arben Xhaferi dhe Veton Surroi, dy ikona të fytyrës politike shqiptare në rajon dy dekadat e fundit, e ndiqnin tashmë si spektatorë festën e pavarësisë.

Në restorant “De Rada” në Prishtinë të dy politikanët e vjetër të brezit të ri janë shumë tokësor në sfidat që e presin përpara shoqërinë e Kosovës.

Veton Surroi dhe Hashim Thaçi

Veton Surroi është ndoshta njeriu më me shumë kontribut në ndërkombëtarizimin e Kosovës këto dy dekada, i cili nuk pati fatin të firmosë mbi Dokumentin e Pavarësisë.

Zgjedhjet e fundit, të zhvilluara nën një trysni shumëfishe të varfërisë, nevojës për perspektivë dhe retorikës nuk i dhanë shanse grupimit të tij liberal të kalonte pragun. Për dy dekada ai mbetet gazetari më i spikatur i Kosovës dhe thuajse referenca numër një e botës perëndimore në Kosovë. Vazhdimisht ka probleme  me historinë e tij me lidershipin politik. Ishte kritiku më i hidhur i Rugovës, pastaj kritik i revanshit të ish luftëtarëve të UÇK. Gjë që natyrisht nuk e bën më pak të komplikuar në vlerësimet e tyre.

Duke qenë një kujdestar i gjesteve perëndimore në Kosovë dhe njëkohësisht një shqiptar i denjë, ai nuk ndjehet aspak i trishtuar që nuk ka hedhur firmën simbolikisht mbi papirusin e pavarësisë. Në një letër dërguar babait të tij 20 vjet pas vdekjes , botuar ditën e PAVARËSISË NË Kosovë, ai përkufizon qartë gjithë ëndrrën perëndimore të brezit të tij dhe ëndrrën e vdekur jugosllave të paraardhësve te tyre. Kosova ka nevojë për frymën dhe diejt e tij tashmë më shumë së kurrë. Tani që dikush duhet të ngrihet dhe t’iu thotë “Stop” atyre që mund të devijojnë ëndrrën për një shtet të lirë dhe të drejtë në Kosovë.

Politologu, Arben Xhaferri

Arben Xhaferi tashmë nuk merret më me politikë. Sëmundja e rënduar e ka nxjerrë atë para kohë në pension, por kjo nuk i ka zbehur angazhimet e tij. Gjykimet e tij për problemet që do të hasë shteti i ri i Kosovës janë realiste dhe ai nuk ngurron t’iua thotë të gjithëve miqve të tij që drejtojnë Kosovën sot. Pakkush tjetër brenda lidershipit të Kosovës ka aftësinë të imponohet me kritika dhe vlerësime objektive për rreziqet që kërcënojnë shtetin e Kosovës nga shqiptarët.

Bujar Bukoshi, ish ministër i Shëndetësisë në Kosovë

Bujar Bukoshi mund të cilësohet e vetmja specie në zhdukje e politikave autoritare të Kosovës që ka një formim të qartë perëndimor dhe që di të përfaqësojë vijën e re politike aty. Me një kredo të rritur politike nga zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe me një nivel kulturor të diferencuar në krahasim me shumicën e politikanëve që firmosën pavarësinë, ai po ashtu është i qartë në sfidat që  e presin Kosovën dhe në rreziqet që e kërcënojnë atë.

Një elitë e tillë politike është një pasuri për Kosovën: kuvendi, qeveria dhe institucionet e tjera të shtetit kanë nevojë për vizionin  e njerëzve që nuk  ndjekin pas fishekzjarrët e Ditës së Pavarësisë.

Shqipëria në Kosovë

Shfaqja e një grupi polifonik nga Jugu i Shqipërisë në transmetimin direkt në “Tv Klan” ishte trokitja e parë e Shqipërisë në festën e Kosovës: Televizionet e  Tiranës, që ishin pa asnjë mëdyshje si në shtëpi te tyre, e ndezën situatën. Shumica e qytetarëve të Prishtinës e ndiqnin ceremoninë përmes “Top Channel” dhe “Tv Klan”
Një grup polifonik lab, i organizuar nga një ish –minator nga Bulqiza , që gjendet bashkë me ta emigrant ne Greqi ishin surpriza e ditës së Pavarësisë. Grupi miks me këngëtarë të grupit të Bënçës, Lazaratit, Delvinës etj,.. mbërriti në sheshin para hotel “Grand” dhe tronditi Prishtinën.

Aftësia e tyre për të improvizuar tekstet kushtuar luftëtarëve të UÇK dhe figurave politike të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare qe kishin kontribuar për pavarësi, ishte mahnitëse për mijëra qytetarë të Kosovës. Rapsodët e Jugut , edhe pse shumë larg Kosovës, njihnin Sulejman Selimin, Agim Çekun, Hashim Thaçin, Ibrahim Rugovën, Martti Ahtisaarin, Toni Blerin dhe gjithkënd që kishte vënë një gur për pavarësinë e Kosovës. Dhe iu këndonin të gjithëve pa pushim me polifoninë e tyre të mrekullueshme.

Më pas u zhvendosën në hotel “Grand” dhe u ulën në një tavolinë, e cila qëndroi ashtu për katër-pesë orë. Por nuk ishin vetëm rapsodët e Jugut ata që më befasuan në Kosovë, më shumë ishin të rinjtë nga Tirana dhe Durrësi që kishin ardhur privatisht. Takova dhjetëra të njohur prej tyre, nga ta që shoh në klube nate në Tiranë dhe që më krijonin ndjesinë se nuk dinin ku binte Kosova. Ishte disi i pashpjegueshëm mërgimi i tyre drejt Kosovës atë ditë. Por ishte shumë i natyrshëm.

Banderolë me portretin e Adem Jasharit

Askush nuk i kishte nisur. Askush nuk i kishte frustruar me retorikë nacionaliste. Kishin ardhur me dëshirën e një të riu që kërkon të pushtojë hapësirat përreth. Dhe m’u dukën të gëzuar. M’u dukën ndryshe nga përpjekjet e politikanëve të Tiranës për të pozuar në ekrane në çastin e nënshkrimit. Atyre nuk iu interesonte fotografimi si dëshmitarë të pavarësisë. Ishin aty për ta prekur atë.

Botuar për herë të parë me 24 Shkurt, 2008 

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lavrov: Moska do pezullojë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme

Lavrov: Moska do pezullojë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme