Nuk jam i sigurt nëse Sali Berisha ka nisur një letër drejt SHBA, apo thjeshtë një postim në Facebook-un e tij. Por dhe kaq është e mjaftueshme për të kuptuar alarmin e tij.
Politikani i cili është shpallur “ non grata” nga SHBA si minues i demokracisë, si shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe si i përfshirë familjarisht në korrupsion domethënës, i ka kërkuar Departamentit të Shtetit, të marrë masa ndaj ambasadores së SHBA në Tiranë, pasi po i ushtron presion sistemit të drejtësisë në Tiranë.
Situata është paksa më komike se sa letra drejtuar një gjykate në Francë për të ndëshkuar sekretarin e Shtetit Antoni Blinken, pse e kishte futur atë në listën e zezë të SHBA. Pasi me letrën dërguar me postë në Francë, të paktën gënjente ndonjë idiot në PD, që Franca do të merrte hak ndaj SHBA, për Sali Berishën.
Por në këtë rast është dhe më qesharake, pasi i drejtohet Departamentit të Shtetit që e ka shpallur “ non grata”, për t'iu ankuar për Departamentin e Shtetit. Po t’i shtosh kësaj dhe faktin që deri më sot ai ka thënë që Departamenti i Shtetit është i kontrolluar nga Xhorxh Sorosi, i bie që t’i ankohet Xhorxh Sorosit.
Por halli të detyron të bëhesh dhe qesharak. Dhe halli real është se Sali Berisha po përpiqet t’i dalë para një vendimi të mundshëm gjykate, që rrëzon legjitimitetin e zaptimit me dhunë të Partisë Demokratike prej tij, përmes një debati të sajuar mes tij dhe ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Debati i sajuar prej tij, kërkon të krijojë një klimë presioni mbi drejtësinë, që të mos vendosë sipas ligjit, por sipas interesit të tij, për të legjitimuar një proces zaptimi dhe spastrimit të PD prej kundërshtarëve të vet.
Alarmi i Sali Berishës vjen pasi Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi të pranojë kërkesën e Partisë Demokratike për të ankimuar vendimin arbitrar të një gjyqtari të afërt me Sali Berishën, për të regjistruar aktet e një mitingu në stadium, si Kuvend “legjitim”.
Akuzat ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim, janë false dhe bazohen mbi një deklaratë parimore të saj, se SHBA mbrojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri nga ndërhyrjet dhe presioni i klasës politike, për të mos ndëshkuar korrupsionin dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Këtë të drejtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian e kanë të garantuar nga Kushtetua e Shqipërisë, pas miratimit me 140 vota të reformës në drejtësi në korrik të vitit 2016. Përfshi dhe votën e Sali Berishës. E kundërta, pra heshtja dhe indiferenca ndaj presionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës mbi drejtësinë në favor të tyre, do të ishte atentat ndaj reformës në drejtësi.
Për fat të mirë kjo nuk ka ndodhur. SHBA dhe BE po qëndrojnë ende roje vigjilentë të një reforme e cila ka problemet e saj të mëdha, jo për shkak të tyre, por për shkak të ndikimit ende të madh që kanë Sali Berisha dhe Ilir Meta mbi sistemin. Dhe për këtë ka boll prova, përfshi dhe vendimin skandaloz të regjistrimit të akteve të një mitingu si Kuvend partie, i cili nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar.
Dhe ky është alarmi i vërtetë i Sali Berishës. Alarmi i një njeriu që po kupton, se po fillon të humbasë pushtetin e fundit dhe më të rëndësishëm që po mundëson mbijetesën e tij, pushtetin mbi drejtësinë. Është e vetmja rrugë për të bërë drejtësi në këtë vend.