Mero Baze: Kryepatronazhisti 'Jemin'

Mero Baze: Kryepatronazhisti 'Jemin'

Jemin Gjana dhe Lulzim Basha

Nga gjithë rezervat që u përpoq të shfaqte për zgjedhjet e 25 prillit opozita, e vetmja ankesë që ju pranua dhe nga qeveria, dhe nga ndërkombëtarët, ishin patronazhistët e Partisë Socialiste.

Edhe pse ata në të vërtetë ishin në shumicë të paqartë dhe të paaftë për atë që kishin marrë përsipër, sistemi i tyre i kontrollit mbi elektoratin, ishte një shpikje efikase elektorale e Partisë Socialiste.

Edi Rama jo vetëm që e pranoi shqetësimin e opozitës, por u lavdërua me ata, duke premtuar se do ta përsosë punën e tyre.

Opozita u ankua se ata kanë survejuar publikun, kanë keqpërdorur të dhënat personale të qyetarve etj. Edhe raporti i OSBE/ODIHR shprehu rezerva të moderuara për fenomenin, ndërsa disa media ndërkombëtare e konsideruan problem.

Por, është një problem që socialistet ia kanë krijuar kundërshtarit, për luftë politike.

Ajo që po ndodh tani në Partinë Demokratike, është një imitim i shëmtuar dhe i pagëlltitshëm prej anëtarësisë së saj, tashmë nga Lulzim Basha.

Në daljen e fundit publike, kryepatronazhisti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana, i cili është anëtar i vetëm komisioni në zgjedhjet e së dielës që që do të shpallë fitoren e Lulzim Bashës, ka thënë disa gjëra të rënda, që çdo njeri që i dëgjon, nuk do të guxonte të hynte në një proces zgjedhor.

Thelbi i asaj që thotë kryepatronazhisti Jemin Gjana, është se lista e votuesve të PD, është në dorë të tij, dhe ai e ka vendosur se kë të heqë nga lista e kë të vendosë, apo kë të mos pranojë për anëtar komisioni, bazuar mbi vëzhgimet e tij, se çfarë qëndrimesh moralo- politike ka ky person.

Ai pranoi se ka refuzuar të jenë anëtarë komisionesh njerëz që kanë bërë “like” në Facebook apo rrjete të tjera sociale, për kundërshtarë të PD-së, apo që kanë sulmuar kryetarin Lulzim Basha.

Pra, Jemini pranon që PD ka adaptuar fenomenin aq të sulmuar prej saj të patronazhistëve, por këtë nuk e ka bërë me vendim politik, apo si një projekt i PD, por bazuar mbi gjykime se kush e do e kush nuk e do Lulzim Bashën.

Në bazë të këtyre vëzhgimeve që Gjana ka bërë në internet, ai ka marrë vendime politike, se kush ka të drejtë të votojë të dielën më 13 qershor dhe kush nuk ka të drejtë as të votojë dhe as të përfaqësojë rivalët e Bashës në komisione.

Krahasuar me sistemin e patronazhimit të Partisë Socialiste, që është një mjet elektoral ndaj kundërshtarit, kjo që po aplikon Lulzim Basha brenda PD-së, është një strukturë fashiste, pasi në bazë të konkluzioneve të Jeminit nga lundrimet e tij në rrjete sociale (nuk di a ka Tik Tok, Jemini), njerëzve u hiqet e drejta e votës apo e përfaqësimit.

Sistemi i patronazhimit i socialistëve nuk i heq askujt të drejtën e votes, apo të përfaqësimit. Ai vetëm bën një sondazh të përafërt kush është pro PS dhe kush kundër, apo i lëkundur, dhe mbi atë ndërton taktikat e veta.

Sistemi patronazhist i Lulzim Bashës është ekzekutiv. Ai të nxjerr nga lista e PD apo nga komisionet e votimit në PD. Pra është një sistem që të ndëshkon për bindjet e tua politike, si nje polici mendimi.

Nëse PS do ta kishte bërë këtë, të gjithë kishim të drejtë ta quanim rikthim të Sigurimit të Shtetit, apo të nazizmit në jetën politike.

Tani këtë e ka bërë Lulzim Basha, dhe e ka bërë ta aplikojë më 13 qershor, kur shpreson të marrë sërish mandatin që të mundë herën e katërt Edi Ramën, me pretendimin se herën e tretë e mundi Rama, se kishte patronazhistë.

Dhe si për ta larë nga çdo mëkat Edi Ramën, ai ka caktuar Jeminin e vogël, si kryepatronazhist të madh, duke i lënë të drejtë jo vetëm të identifikojë “armikun” e brendshëm, por dhe ta asgjesojë atë.

Në kohë të komunizmit kjo ishte masë ekstreme, pasi quhej “heqje e triskës së frontit”, si person me biografi të keqe. Tani quhesh viktime e Jeminit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj