Mero Baze: Lulzim Basha kërkon 'unitet' për të nënshtruar partinë

Mero Baze: Lulzim Basha kërkon 'unitet' për të nënshtruar partinë

Kreu i PD, Lulzim Basha

Lulzim Basha ka gjetur një kauzë cinike, në një fushatë të panevojshme brenda partisë, duke bërë thirrje për unitet. Mund t’ua kursente këtë demokratëve. Thirrja për bashkim dhe unitet në një parti është jetike, kur dikush ofrohet për unitet. Lulzim Basha është ofruar për ndarje dhe bën thirrje për unitet.

Ai i ka të gjitha të drejtat të jetë faktor uniteti, nëse do sakrifikonte postin duke dhënë dorëheqje. Kjo është minimumi që një lider mund të bëjë, që një parti të bashkohet pas humbjeve radhazi, pasi ngjall shpresë për energji të reja.

Lulzim Basha jo vetëm që nuk e bën këtë, por bën thirrje për unitet pasi i ka krijuar të gjitha mundësitë për përçarje.

Ai edhe pse nuk e ka bërë publike, është i përçarë me liderin historik të partisë, dhe jo për arsyet që duhet të ndahet me të, por për gjithë arsyet për ta përdorur atë dhe hallin e tij në favor të tij.

I ndërgjegjshëm që Sali Berisha tani nuk është më ai që ishte, por një problem për PD-në, ai po e përdhunon Sali Berishën, duke e detyruar të belbëzojë kundër tij, por jo t’i shpallë luftë.

Dhe kur të gjithë kundërshtarët e tij, pasi shkojnë në zyrë të Berishës dalin të armatosur kundër Bashës, Basha bën sikur nuk e kupton dhe vazhdon ta trajtojë Sali Berishën si një njeri në hall që, ose do mbështesë Lulzim Bashën, ose do dorëzohet e do përjashtohet nga grupi parlamentar.

Ai po e çarmatos Sali Berishën duke e detyruar të përpëlitet para tij si një i frikësuar prej Bashës, dhe jo si një padron i Lulzim Bashës. Kjo natyrisht që nuk ngjall asnjë ndjenjë bashkimi, përkundrazi një ndjenjë pasigurie ndaj Bashës.

Më tej akoma, ai po i trajton aktorët që kanë hyrë në garë, si armiq të Partisë Demokratike. Ata nuk kanë të drejtë të kenë listën e votuesve, sepse sipas Bashës, lista është secret, ngaqë mund t’i bjerë në dorë “armikut”. Dhe armiqtë në këtë rast janë tre rivalët e tij. D.m.th. Basha ka të drejtë të ketë listen, se e konsideron veten pronar, kurse rivalët, nuk kanë të drejtë ta dinë kë kanë anëtar dhe votues, pasi mund të jenë vegla të armikut. Dhe kjo natyrisht që e shton ndarjen.

Lulzim Basha e thellon përçarjen brenda PD-së edhe me mungesën absolute të ideve të tij për të ngjallur shpresë në PD.

Retorika e tij se ja vodhën votat dhe ai ishte afër fitores, më së paku tregon një lider të paaftë, nëse do të jesh pozitiv me të. E vërteta është se është një lider humbës. Dhe për këtë bie dakord shumica e PD-së.

Ideja e tij se herën tjetër, d.m.th. herën e tretë si zgjedhje parlamentare, dhe të gjashtën bashkë me zgjedhje lokale, ai do fitojë pasi nuk do ta vjedhin më, është fyese për inteligjencën e çdo demokrati, sado pak tru në kokë të ketë. Ai sërish ngjall pasiguri dhe pasiguria është armiku më i madh i bashkimit.

Lulzim Basha e thellon përçarjen në PD duke hyrë në polemika me kryetarin e Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, të cilin e keqpërdori për një proces farsë të përzgjedhjes së kandidatëve, nga i cili Nishani nuk arriti të fusë në listë as veten e tij. Dhe nuk mjafton ky poshtërim, por ai e tregon me gisht atë si njeriu që po tenton të përçajë PD-në.

Në thelb, Lulzim Basha nuk po kërkon unitet, por po kërkon nënshtrim të partisë ndaj tij.

Po kërkon të heshtet për shkaqet e humbjes, po kërkon të heshtet për Sali Berishën derisa të mbarojnë zgjedhjet, po kërkon të injorohen rivalët dhe të hyjë në një garë pa asnjë rregull, po kërkon të linçohen ata që kritikojnë, dhe e gjitha kjo të konsiderohet përpjekje për unitet rreth tij.

Në fakt, e gjitha është përpjekje për nënshtrim dhe poshtërim para tij. Është një betejë që ai do t’ia dalë, por nuk do të ketë më nën kontroll këtë Parti Demokratike, por atë pjesë të saj që do nënshtrohet. Dhe kjo është përçarja më e madhe që mund t’i ndodhë Partisë Demokratike.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike