Mero Baze: Një rekomandim për të shmangur dëshpërimin e PD

Mero Baze: Një rekomandim për të shmangur dëshpërimin e PD

Protestë para Bashkisë (Foto nga arkivi)

Ka një mënyrë që Partia Demokratike ta shmangë dëshpërimin e saj. Edhe pse është e qartë për secilin prej nesh, se nën udhëheqjen e Berishës ajo ka hyrë në një spirale pa fund të humbjes së shpresës, disa gjeste të vogla mund ta shmangin shfaqjen publike të dëshpërimit.

Një prej atyre është që këto ditë të gushtit me temperatura të larta, kur dhe gjithë bota pushon, ata 30 vetët që mblidhen çdo mbasdite poshtë penxheres së Berishës dhe dy herë në javë në pikë të vapës poshtë penxheres së Veliajt, të marrin pushimet.

Këta që shkojnë tek Veliaj mund të kenë dhe ndonjë honorar, dhe ja vlen, por kur mendon që do shkojnë dhe në darkë tek rrugica, është shumë.

Dhe kur them të marrin pushimet, jo doemos të shkojnë në plazh apo në mal, po të paktën të rrinë në shtëpi. Justifikimin e kanë si nga populli, ashtu dhe nga partia e tyre, se gushti është muaj pushimi.

Qeveria ka ikur e gjitha me pushime. Bashkia po ashtu.

I vetmi që nuk shkon dot tek vila në Lalëz është Berisha dhe vajza e tij, pasi e kanë vilën nën sekuestro. Po ta kishin të lirë dhe po të ishin vetë të lire, do iknin aty.

E kanë bërë çdo vit këtë ritual. Hapni Facebook-un e Berishës dhe do shikoni ecjet e tij buzë detit para vilës, numërimin e kilometrave apo kohëzgjatjen e tij në ujë.

Sivjet halli i tij është drejtësia dhe ka mbetur i mbyllur në shtëpi. Mund të ishte dhe më keq, i mbyllur në burg, por e kanë toleruar për shkak të moshës.

Tani çfarë kusuri kanë ata 30 vetët të shkojnë çdo mesdite poshtë penxheres së tij dhe dy herë në javë poshtë penxheres së Veliajt, vetëm se Berisha dhe vajza e tij nuk shkojnë dot tek vila në Lalëz?

Të paktën këto 20 ditë që kanë mbetur nga gushti të rrinë në shtëpi. Arsyetimin e kanë.

Nuk është se nxorrën gjë në dritë prej muajsh, që e bëjnë këtë sakrificë. Ja dhe zgjedhjet në Himarë i humbën më thellë se sa duhet t’i humbisnin, duke qenë se kishin dhe vulë, dhe logo, dhe ishin të bashkuar.

Duke qenë se ato pamje, tani më shumë e shtojnë dëshpërimin se sa optimizmin, është mirë të shmangen për të mirën e PD.

Berisha mund ta mbajë fjalimin e tij në Facebook çdo natë dhe ata e shikojnë, madje më mirë se nga rrugica, pasi s’ka nevojë të mbajnë kokën lartë për të dëgjuar.

Tani mund të marrin dy javë pushime, se njerëz janë dhe ata, pavarësisht se ata diell nuk quajnë këtë që ka gjithë bota mbi kokë, por atë që është mbyllur brenda penxheres.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre