Mero Baze: Portalet e Kosovës që çdo fillim sezoni zbulojnë “anti-kosovarizmin” në Durrës

Mero Baze: Portalet e Kosovës që çdo fillim sezoni zbulojnë “anti-kosovarizmin” në Durrës

Plazh në Durrës

Disa portale në Kosovë, kanë nisur një fushatë spekulative rreth “anti-kosovarizmit” në plazhin e Durrësit, një këngë që në fakt këndohet çdo fillim sezoni turistik nga thuajse i njëjti grup mediash në Kosovë. Nuk dua t’iu hyj teorive konspirative apo marketingut të kompanive që synojnë tregje të tjera turizmi, se nuk është aq serioze situata.

Nga ana tjetër, nga gjithë verifikimet, nuk është se ekziston ndonjë fushatë grafitesh kundër Kosovës apo pro Serbisë, dhe fotoja e shfaqur ngjan më shumë inskenim që e kanë gjetur vetëm “të dërguarit” e disa portaleve të Kosovës.

Por le ta quajmë për një moment se ai grafiti është i vërtetë, bashkë me dy flamujt serb që dikush i ka gjetur po aty.

Sipas logjikës së këtyre portaleve të Kosovës, në Durrës paska një fushatë kundër pushuesve nga Kosova. Pastaj teoritë zhvillohen më tej, pa kuptim, pasi nuk del ndonjë përfundim pse në plazhin e Durrësit paska urrejtje për Kosovën, kur gjysma e banorëve në plazhin e Durrësit, nga Qerreti në Hekurudhë, siç quhet, janë kosovarë të vjetër të Shqipërisë së para viteve ‘40, të vendosur aty nga shteti shqiptar.

Aty gjen restorante dhe hotele me emër Drenica, Gjakova, Prizreni etj, ashtu siç gjen një shumicë të madhe pronarë hotelesh e restorante me origjinë nga Kosova.

Pra nëse hyjmë një moment në logjikën e këtyre “zbuluesve” të grafiteve, nuk arrij të kuptoj si mund të jetë “antikosovar” një territor që në shumicë është i banuar me kosovarë. Dhe më tej akoma një territor që shumicën e turizmit e ka prej Kosovës.

Resorte të tëra të mëdha si Bonita tek “Shkëmbi i Kavajës”, apo në Qerret dhe në zonë e Durrësit kanë biznes vetëm turizmin e Kosovës. Madje aty mund të gjeni dhe pica “Erdogan”, nëse i keni bezdi ato me emër italian.

Pra këtu bie arsyetimi se zona e Durrësit ka vendosur të nisë një fushatë kundër pushuesve nga Kosova, se përveçse janë në perqindje të konsiderueshme kosovarë, kanë në shumicë pushues nga Kosova.

Nga ana tjetër, përpjekja për ta quajtur herezi ardhjen e pushuesve serb në Shqipëri, është po aq anormale, edhe pse ata ende nuk përbëjnë ndonjë shifër për t’u marrë në konsideratë.

Nuk e kuptoj pse duhet të bëhemi “patriotë” duke mos u marrë paratë serbëve në Durres, dhe duhet të quajmë patriotë ata që blejnë 75 për qind të produkteve nga Serbia në Kosovë.

Në finale jam ende i paqartë, pse organizohet gjithë ky sulm “konspirativ” në emër të Durrësit, kur askush nga Durrësi, asnjë operator, asnjë qytetar dhe as ndonjë institucion apo gazetar, nuk ka shprehur ndonjë rezervë për pushuesit e Kosovës.

Ka plot operatorë turistikë që i zgjedhin klientët dhe nuk është ndonjë mëkat i madh sikur të shprehej, por e vërteta është se nuk ka ndonjë akt të tillë.

Është më e ndershme që gazetat e Kosovës të bëjnë reklama për operatorët turistikë që paguajnë reklama tek ata, për të bërë pushime në Antalia, Qemer, Izmir apo Stamboll, apo qoftë dhe në Ulqin apo Budva, por këtë arsyetimin pse nuk duhet shkuar në Durrës, mund t’ia kursejnë vetes se është qesharak.

Në Durrës vihet se është lirë, është mirë, dhe është afër. Për këtë arsye në Shqipëri, ai identifikohet si plazhi i kosovarëve. Se ndryshe ka plazhe të tjera shumë më të mira nga Durrësi, por shumë më larg dhe shumë më të shtrenjta. Janë në Jug, nga Dhërmiu në Sarandë.

Gjen dhe aty plot qytetarë nga Kosova që janë në gjendje ta përballojnë, por nuk ankohen se gjejnë muzikë në gjuhë greke dhe sllave, njerëz që këndojnë polifoni dhe këngë të Shqipërisë së Mesme e të Veriut.

Shkojnë për qejf të tyre, ngaqë nuk janë klientë kompanish turistike. Nuk ua kthen dot mendjen me grafite të sajuara.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Xhoni: 21/06/2021 00:24

    Analiz shume e mire

    Përgjigju
  • Ylli: 20/06/2021 01:34

    Si nuk nxuri.mend ky, vetem gjepura shkruan

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë