Mero Baze: Që rihetimi Gërdecit të mos përsëris Teatrin e vjetër

Mero Baze: Që rihetimi Gërdecit të mos përsëris Teatrin e vjetër

Foto nga shpërthimi i Gërdecit

Historia e Gërdecit është hetuar dhe gjykuar si aksident teknologjik. Në kuptimin e fajtorëve për shpërthimin, kushteve të sigurimit teknik apo sigurimit të punëtoreve, janë dënuar Mihal Delijorgji, administratori i tij, Ylli Pinari e disa të tjerë. Është pak a shumë si të gjykosh një aksident në rrugë dhe të dënosh shoferin, dhe mirëmbajtësin e rrugës. Por shenja që ka lënë mos gjykimi i korrupsionit në Gërdec, nuk ka lidhje me aksidentin që ka ndodhur, por me lidhjet politike që çuan në një biznes arrogant, që nuk pyeste për askënd derisa ndodhi gjëma. 

Dhe kjo është historia e pahetuar dhe pagjykuar e Gërdecit. Në këtë histori ka tre personazhe, Fatmir Mediu, Shkëlzen Berisha dhe Sali Berisha. Këta të tre janë marrë vesh bashkë, që ky biznes do jetë i djalit të Sali Berishës. Fatmir Mediu i ka qëndruar besnik fjalës dhënë dhe e ka ndihmuar deri në fund. E ka pritur 42 herë në zyrë brenda një muaji, i ka dhënë zyrë private brenda Ministrisë së Mbrojtjes, e ka në kontakte telefonike të përditshme për çdo hall që i del në atë proces dhe ja ka marrë shpërblimin dhjetëfish se prej atëherë vazhdon të jetë si deputet i Partisë Demokratike me imunitet në parlament duke shantazhuar berishët se po nuk e vunë deputet, do të flas. 
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë që ishte në atë kohë u kërcënua nga Shkëlzen Berisha dhe pasi bëri deklarata konfidenciale në ambasadën e SHBA në Tiranë u largua si azilant politik në SHBA. Gjithë piramida e Ministrisë se Mbrojtjes që kundërshtoi projektin u eliminua ose shkarkua. 

Zëvendëskryeministri Ilir Rusmali që refuzoi të bënte një VKM, që ky biznes ti jepej drejtpërdrejt pa garë kësaj kompanie, u sulmua muaj më vonë derisa u detyrua të dorhiqet nga qeveria dhe vazhdon të konsiderohet armik i familjes Berisha. Madje sot Berisha jep prova që pranon më lehtë njerëz të Edi Ramës se sa ish zëvendëskryeministrin e tij dhe për poste pa ndonjë rëndësi reale si kryetar KQZ apo Avokat i Popullit. 
Historia e Partisë Demokratike prej 15 Marsit 2008 e ka kthyer besnikërinë ndaj atij krimi në kriter për të avancuara në karrierë nën Sali Berishën apo për tu eliminuar prej tij. 
Prokuroria nuk e hetoi korrupsionin në tragjedinë e Gërdecit. Nuk e lejoi Sali Berisha me presionin e tmerrshëm ndaj tyre , por dhe nuk u gjet ndonjë prokuror që ti bënte ballë atij presioni. Aq fuqi kishin në atë kohë dhe aq hapësirë politike kishte. 

Sot SPAK nuk mund të tallet më me atë histori duke e trajtuar si një çështje për tu pastruar. Implikimi i Shkëlzen Berishës në Gërdec është i dokumentueshëm dhe i provueshëm në çdo detaj. Më poshtë po ofroj disa prej fakteve që janë publike. Një javë më parë, kur një person me probleme mendore goditi Sali Berishën që po udhëhiqte një proteste kundër Bashkimit Evropian, lajmi i parë rreth agresorit e lidhte edhe atë me historinë e Gërdecit. Kushëriri i tij ishte punësuar në Gërdec, pasi nëna e tij punonte pastruese në shtëpinë e Sali Berishës. Pra edhe të punësuarit në Gërdec Shkëlzeni i kishte mbledhur nga rrethi i njerëzve të shtëpisë, burrin e tezes, djalin e pastrueses, shokun e tij Rahmanin, kushërinjtë e tij etj. 

Historia e fshehjes së këtij krimi ka nisur pak minuta pas tragjedisë në zyrën e kryeministrit Sali Berisha. I njoftuar për tragjedinë, ai ka nisur me kujdes fshehjen e provës së parë dhe më të rëndë kundër tij, praninë e baxhanakut të vet, tashmë si viktimë në këtë tragjedi. Komunikata e parë për shtyp e tij përmendte emrin e baxhanakut, por të ndryshuar, nga Muhamet Hoxha në Mehmet Hoxha. Në pamjen filmike të transmetuar publikisht dhe të lexuar me zërin e tij vërehet një pauzë para se të përmendë emrin dhe me qetësi e lexon Mehmet në vend të emrit Muhamet. 

Deri tani janë identifikuar emrat e 3 viktimave: Rajmonda Tudi, 40 vjeç, Mehmet Hoxha, 59 vjeç, Jetmir Kolloshi, 19 vjeç, ndërsa dy nga viktimat janë ende të paidentifikuara. 4 prej tyre janë gjendur në vendin e shpërthimit dhe një tjetër më tutje. Për gjithkënd që e shikon me vëmendje atë moment, kuptohet qartë se si hedh sytë mbi letër, heziton, i mban sytë mbërthyer mbi emrin e tij, prishet në fytyrë dhe pastaj e lexon Mehmet në vend të emrit Muhamet. Është vetëdija e njeriut që në atë moment vendosi të fshehë një krim. Përpjekja e tij që në momentet e para të tragjedisë për ta devijuar të vërtetën larg tij dhe familjes se tij, ishte dhe mbeti linja politike qe po varros ketë të vërtetë. 

Këtë ngatërresë të qëllimshme emri Berisha e përdori dhe dy ditë më pas në sallën e parlamentit të Shqipërisë. Edhe pse familja e tij ishte familjarizuar me tragjedinë, edhe pse gruaja e tij Liri Berisha dhe dy fëmijët e tij ishin në ceremoninë e varrimit të baxhanakut të tij, ai vazhdonte të sillej sikur nuk e njihte Muhametin. Nuk shkoi në ceremoninë e varrimit të tij dhe për ta theksuar më tej linjën e fshehjes së krimit, ia lexoi sërish emrin gabim në parlament edhe pse ndërkohë emri zyrtarisht ishte shqiptuar ndryshe. 

Në këtë linjë u përpoq të përfshihej dhe gruaja e tij, por si çdo krim, as ky nuk ishte perfekt. Ajo nuk mund ti fshihte dot gjurmët dhe detajet i shpëtojnë rrugës. Liri Berisha bëri tentativën e parë për ta rrëfyer gabim këtë histori në gazetën Panorama një muaj pas tragjedisë. Në një intervistë dhënë gazetës Panorama, në datën 15.04.2008, zonja Berisha thotë se ajo dhe i biri i saj nuk ia kishin treguar Sali Berishës faktin që ai kishte një baxhanak, që punonte në Gërdec dhe që ishte nga të vrarët mes viktimave. 

Ja si e përshkruan ajo momentin kur është ndjerë keq që Berisha nuk dinte gjë për baxhanakun. Problemi ishte se ai nuk pati rast ta takonte asnjëherë. Ata (motra me të shoqin), kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur. Saliu lexonte emrin aty dhe unë thosha: E zeza, si nuk ia kemi thënë! Ato kohë kishim trevjetorin e vdekjes së mamasë dhe kishim menduar që ta linim për më vonë prezantimin familjar me njerëzit e familjes. Isha unë ajo që ia caktova si detyrë tim biri tia shpjegonte situatën (Panorama, 15 prill 2008). 

Shpjegimi i zonjës Berisha ka disa mangësi thelbësore. Mangësia e pare ka të bëjë me vetë imazhin e familjes Berisha dhe marrëdhëniet perfekte që ata kanë si çift. Çifti Berisha shquhet për raporte shumë të sinqerta me njëri-tjetrin dhe marrëdhënie shumë të mira. Në një raport të tillë familjar, që kurrsesi smund të besojmë se është hipokrit, nuk mund të ndodhë që zonja Berisha të mos i ketë folur asnjëherë burrit të saj për baxhanakun, i cili po punonte në një punë që e kishte rekomanduar djali i tyre. 

Por hijet e dyshimit rriten më poshtë, kur zonja Liri Berisha tregon se si ka mësuar që kunati i saj po punonte në Gërdec. Kur një ditë shkojmë në varreza te prindërit, e pyes motrën nëse i shoqi kishte filluar punë dhe ajo më tregoi se po punonte diku afër Marikajt. Kur e pyes se çfarë bën, ajo mu përgjigj:Mban ca arka municionesh. Është i kënaqur me punën? e pyeta. Jo dhe aq, mban ca arka, por do të rrijë veç pak, sa të gjejë një punë tjetër më të mirë. Në kohën që vdiq, kishte marrë vetëm dy rroga. (Panorama, 15 prill 2008). 

Kjo deklaratë e zonjës Liri Berisha bie ndesh me deklaratat e motrës së saj, Vjollca Hoxha (Rama), e veja e Muhamet Hoxhës, vrarë në Gërdec. Zonja Hoxha, e cila duket se ka qenë në periferi të përfitimeve nga pushteti i kunatit të saj, e tregon ndryshe historinë. Në një intervistë në Gazeta Shqiptare më 15 qershor 2008, ajo thotë se burri i saj ishte kthyer në Shqipëri që në muajin nëntor, kurse ajo vetë që në fillim të vitit 2007, dhe jo siç thotë Liri Berisha, ata (motra me të shoqin) kishin vetëm tre muaj që kishin ardhur. Vjollca Hoxha (Rama), motra e Liri Berishës, në një intervistë ekskluzive për Gazeta Shqiptare, rrëfen se ishte kthyer në Shqipëri në qershor të vitit 2007 për të vizituar familjarët, dhe se në Shqipëri e mbante një operacion që duhej të kryente, pasi kishte këputur meniskun. Më pas kishte ftuar dhe Muhametin të kthehej në Shqipëri, derisa të përfundonte operacioni (Gazeta Shqiptare, 15 qershor 2008). 

Nga ana tjetër, të dy motrat nuk bien dakord për faktin se a kishin dijeni ato për punën që bënte i ndjeri Muhamet Hoxha. Vjollca tregon se nuk e dinte që bashkëshorti i saj punonte në një fabrikë demontimi të armëve: Po si mendoni ju, që po ta kisha ditur, do lejoja që im shoq të punonte aty? Unë me të vërtetë sjam e pasur, kam punuar si gjithë shqiptarët e tjerë nëpër Evropë, tri punë në ditë, nga kuzhiniere te pastruese, por nuk isha duke vdekur nga uria që të lejoja që im shoq të punonte aty, në mes të rrezikut, thotë gjatë intervistës së saj Vjollca Hoxha (Rama), (Gazeta Shqiptare, 15 qershor 2008). 

Ndryshe nga kjo, zonja Liri Berisha në intervistën e saj thotë: Kur e pyes (motrën) se çfarë bën (burri), ajo mu përgjigj: Mban ca arka municionesh. (Gazeta Panorama, 15 prill 208). Këto lajthitje të zonjës Berisha në intervistën e saj publike për Gërdecin dëshmojnë se ajo, ose nuk është e sinqertë me opinionin publik, ose nuk ka qenë e sinqertë me motrën e saj dhe bashkëshortin e saj, Sali Berisha. 
 
Motra e saj provon se ka qenë me burrin në Shqipëri prej vitit 2007 dhe se nuk e ka ditur se burri i saj punonte mbajtës arkash municionesh. Dëshmitë rreth Gërdecit dhe hetimet e bëra nga prokuroria provojnë në të vërtetë që Muhamet Hoxha nuk mbante arka, por numëronte arka dhe ishte një lloj përgjegjësi në këtë punë. Kësaj gënjeshtre i shtohet gënjeshtra e Shkëlzen Berishës që thotë njësoj si babai se nuk e njihte burrin e tezes që kishte punësuar në Gërdec(Intervistë me Ylli Rakipin në MCN), ndërkohë që Liria, nëna e tij provon që u thoshte fëmijëve, “E zeza si nuk i treguam Saliut”.  

Ndërkohë që Berisha gënjente publikisht për emrin e baxhanakut të tij, duke shpresuar se shqiptaret nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, i biri i tij Shkëlzen Berisha fliste në telefon me Mihal Delijorgjin. Tabulati i zbardhur prej Prokurorisë provon se Shkëlzen Berisha ka folur në orën 12:48 minuta në telefon me Mihal Delijorgjin. Biles nëse i hedh një sy tabulateve të Mihal Delijorgjit, shikon se njerëzit më të afërt me të cilët ai ka ndarë shqetësimin për tragjedinë që ndodhi në tridhjetë minutat e para janë gruaja e tij, kunati, Shkëlzen Berisha dhe Ilir Meta. 

Por sërish tek intervista me Ylli Rakipin, ai u lejua të gënjej e të thotë se e ka marrë Delijorgjin nën presionin e familjarëve që pyesnin për burrin e tezes. (Çudi e madhe se gjithë familja se njihte). Ai harron se më 2008 ka deklaruar që nuk ka folur kurrë në telefon me Delijorgjin dhe akoma më keq harron se egzistojnë tabulatet që ai ka histori telefonash të panumërta me Delijorgjin para tragjedisë për cdo hall që ka pasur kompania në Gërdec. Ai dhe Rrahman Selmanllari janë biseduesit më të frekentuar të Dellijorgjit. Më poshtë tabulatet. 

Nëse kryqëzon deklaratat e Fatmir Mediut, Delijorgjit dhe Shkëlzenit se çfarë thonë për njëri tjetrin, e kupton qartë se të tre mendojnë se ata duhet të justifikojnë vetëm bisedat e 15 Marsit, ndërkohë që ata kanë histori bisedash më parë të pafundme. Dhe tabulatet e dëshmojnë këtë.

Më e pistë është historia e bisedave dhe sms-ve të Ilir Metës me Mihal Delijorgjin. Siç shihni nga tabulati ata kanë folur 4 herë prej orës 1 deri në orën 4 mbasdite, kohë kur Delijorgji u arrestua. Pasi çështja u bë e rëndë dhe mori përmasa politike, Ilir Meta ka qene i shqetësuar se mos prokuroria ka kapur këtë bisede. Nga një përgjim telefoni i Delijorgjit me gruan e tij, flitet gjerësisht për ketë shqetësim. Gruaja i thotë Delijorgjit se Monika i ka shkuar në shtëpi dhe e ka pyetur nëse Mihali i ka fshirë mesazhet e Ilirit dhe Mihali e siguron se i ka fshirë. Duke ia përshkruar gruas së tij mesazhin, ai thotë se Ilir Meta i ka thënë më ke pranë si vëlla ne çdo rast. 
Fakti që shoku i ngusht i Shkëlzen Berishës, Selmanllari ishte përfaqësues zyrtar i kompanisë amerikane në Tiranë tregon se kompania amerikane ishte fals, dhe praktikisht ajo ishte vet Shkëlzeni. Deklarata e tij në prokuroi se nuk ka asnjë lidhje me këtë kompani, kur është i autorizuar si përfaqesues i saj dhe ka punësuar aty gjysmën e fisit, tregojnë se si nuk ka dashur prokuria ta hetoj cdo detaj që lidhet me Shkëlzen Berishën. 

Po kaq e fort ëhstë prova e faksit të dërguar nga zyra e Aldo Bumçit për Shkëlzen Berishën. Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi është thirrur sot nga SPAK në lidhje me përfshirjen e tij si ish- ministër Drejtësie në lobimin e Shkëlzen Berishës në biznesin e demontimit të armëve në Gërdec. Ngjarja që lidh Aldo Bumçin me Shkëlzen Berishën, është një faks në të cilin është përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje të së cilës nga zyra e Aldo Bumçit i është dërguar privatisht Shkëlzen Berishës. Kjo është dëshmia që tregon se kush interesohej për atë biznes. 

Dëshmia mbështetet nga ish- sekretarja e Aldo Bumçit dhënë para prokurorëve, e cila pranon se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë e më pas Aldo ka percjellë porosinë për tek zyra privat e e Shkëlzenit brenda Ministrisë së Mbrojtjes.  
Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes. 

Të gjitha këto janë fakte publike të mbledhura nga unë si gazetar. SPAK ka shumë më tepër mekanizma se unë për ti mbledhur dëshmitë dhe për ti certifikuar ato. Por mënyra s si po veprohet, duke thirrur herë pas here njerëz për hetime, për tu dukur sikur hetojnë dhe pa thirrur kurrë për këtë çështje Shkëlzen Berishën, më lë të dyshoj se hetimi nuk është serioz.  

Dhe për tu bërë një teatër i plot duhet të dëgjojmë tani dhe Fatmir Mediun që shkon nëpër seminare në SHBA të na tregoj se si duhet të luftojmë korrupsionin dhe të jemi një vend i denjë për aleanca me Perëndimin. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ali: 14/12/2022 14:22

    Po "te katertin" qe i rrihte shpatullat Sales ku e le? Edi Ramen pra, qe pa pike turpi madje i vuri emrin ngjarjes "aksident teknologjik"! Cfare mafie qe jeni bere.

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj: 14/12/2022 11:05

    Ok M.Baze.Sa të jet në politikë e mbi dhe Sb nuk ka DREJTËSI për Gërdecin,21 Janarin,Kl.Partizani,Lobimin Rus,etj. -Drejtësia në Shqipëri është e TREDHUR 99 % që në 92 prej tij sikurse MEDJET 98 që në 2005 përveç gazetave DITA,TEMA,REP.TV,RTSH.! -Në Celularin tim te KLANI IM lexoi mbi 25 TV të Sb dhe shumë pordhëtale=800. -Fakti që dhe A.Kraja i SPAK(ksps)i kërkon prova DASH për nongratën sikurse Sb,tregon se SPAK ka lindur i vdekur. -Dihet që SPAK+BKH,etj financohet e monitorohet nga SHBA dhe nuk ka dorë Qeveria.Ndaj SPAK po bën kërdinë VETËM MAJTAS NË MËNYRË SELEKTIVE. -Ndonse gati 80 % e magjistrstëve dolën nokaut nga VETINGU,nuk ju sekuestrua pasuria tregon se kjo reformë ka dështuar dhe,Peshqit e madhej të Donald Lu..tashmë janë bërë BALENA. -Asgjë nuk do ndodhi djathtas.Saliani është dënuar 1 vit në shk.parë dhe shkalla e dytë është shtyrë 5 herë..! -Sb do vazhdoi me SAHESA BABALE deri sa të ket frymë. -Edhe ngjarja e 6 dhjetorit 2022 me dhunuesin psiko Geri Shehu është sajesë e berishizmit plus D.FAZLLIÇIT që u pa në Tiranë një ditë më parë.Kjo ngjarje i shërbeu vetëm Sb pasi në çdo zgjedhje Ai do e përdor si ARMË PËR TË SULMUSR ARMIKUN E.RAMA.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit