Mero Baze: Shqiptarët duhet të shmangin aleancën me partitë pro serbo-ruse në Mal të Zi

Mero Baze: Shqiptarët duhet të shmangin aleancën me partitë pro serbo-ruse në Mal të Zi

Foto ilustruese

Në Mal të Zi po bëhen përpjekje për të formuar një qeveri e cila do të jetë në dorë të votave të dy partive pro serbe, të lidhura direkt me Serbinë dhe Rusinë, por që formalisht nuk do të hyjnë në qeveri, për të vënë në gjumë Perëndimin. Përveç tyre, qeverisë i duhen dhe disa vota që po tenton t’i plotësojë me një parti që ka dy deputetë shqiptarë, kryesuar nga Nik Gjeloshaj.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit ka nxjerrë fituese por jo në shumicë, partinë “Evropa tani” të presidentit aktual të Malit të Zi, e cila për të formuar qeverinë, duhet të mbështetet ose tek dy partitë pro serbo-ruse, ose tek partitë e pakicave të tjera në Mal të Zi, të cilat kanë orientim evropian, përfshi dhe shqiptarët.

Qëndrimi i SHBA dhe Bashkimit Evropian është i qartë, se kërkojnë një qeveri e cila “do të dënojë agresionin rus, do të jetë pro ruajtjes së integritetit territorial të Ukrainës, do t’i mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë, do të forcojë pjesëmarrjen aktive të Malit të Zi në NATO, do t’i mbrojë të drejtat e pakicave dhe do ta mbështesi sovranitetin e vendeve fqinje, përfshirë Kosovën”.

Bashkimi me dy partitë pro serbe rrëzon qëndrimin e Perëndimit ndaj Malit të Zi dhe rrezikon të kthejë një vend anëtar të NATO dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, në një satelit rus në Ballkan.

Faktori shqiptar këtu ka rol vendimtar.

Nga zgjedhjet e 11 qershorit kanë fituar gjashtë deputetë shqiptarë.

Koalicioni “Forumi Shqiptar” ka fituar dy deputetë Nik Gjeloshi dhe Nikoll Camaj. “Aleanca Shqiptare” përfaqësohet nga Genc Nimanbegu, kurse tre deputetët e tjerë shqiptarë përfaqësojnë listat e koalicioneve të përziera. Dy prej tyre, Mehmet Zenka dhe Drita Llolla, dolën deputetë nga lista e koalicionit të ish-presidentit Millo Gjukanoviç, kurse deputeti tjetër është ish-kryeministri Dritan Abazoviç, nga partia URA dhe koalicioni i cili fitoi gjithsej 11 deputetë.

Nga ky konfigurim, dy deputetët e “Forumit Shqiptar” Nik Gjeloshi dhe Nikoll Camaj duket se po joshen të hyjnë në një qeveri pakice, ku partia “Evropa Tani” do të marrë votat e dy partie pro serbe, të cilat nuk do hyjnë në qeveri, por do japin vetëm votat, dhe këta duan të bëhen pjesë e qeverisë, duke vënë disa kushte të cilat në fakt janë fasadë, pasi nuk e kushtëzojnë dot për asgjë qeverinë.

Në fakt, qeveria e cila po tenton të formohet si qeveri pakice me votat e dy partive serbe që vetëm do japin votat por do rrinë formalisht jashtë, është një qeveri e pastër pro serbe dhe ruse. Ajo nuk duhet lejuar të formohet me vota shqiptarësh. 

Partia fituese në Malin e Zi i ka gjithë mundësitë të krijojë një qeveri pro perëndimore, duke futur brenda saj gjithë pakicat e tjera dhe partitë në minorancë që kanë orientim pro perëndimor, përfshi dhe shqiptarët. Por nuk mund të përdori një fraksion shqiptarësh, kundër orientimit të shqiptarëve në Mal të Zi.

Ndaj është mirë që Nik Gjeloshaj dhe Nikoll Camaj të rrijnë larg përpjekjeve për formimin e një qeverie, votat e së cilës i ka në dorë Vuçiq dhe Putin.

Fuqia e shqiptarëve demonstrohet kur ta detyrojnë partinë fituese të bëjë një qeveri me ato parti që garantojnë orientimin perëndimor të Malit të Zi, dhe që janë shumica reale në Mal të Zi.

Fakti që partitë pro serbe dhe ruse japin vetëm votat, por nuk hyjnë në qeveri, tregon se ata duan të kenë në dorë fatin e qeverisë dhe ta diktojnë atë si një manekin. Shqiptarët nuk kanë pse bëhen me dëshirë të tyre kukulla të Rusisë dhe Beogradit në Mal të Zi, kur i kanë gjithë mundësitë të bashkohen me pakicat e tjera, për t’u bërë faktor në një qeveri pro perëndimore në Mal të Zi.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'