Mero Baze: Si po i kthehet në makth e shkuara e tij, Sali Berishës

Mero Baze: Si po i kthehet në makth e shkuara e tij, Sali Berishës

Sali Berisha

Pashë që Sali Berisha kishte reaguar me shumë egërsi dhe frikë ndaj ribotimit të një interviste të tij dhënë për televizionin iranian më 1997, në të cilën tre problemet kryesore të jetës së tij, të shpjeguara me mendtë e tij të vitit 1997, përpiqej t’i mohonte.

E para, në atë intervistë e ka cilësuar SHBA fuqi koloniale që nuk dihet se çfarë fati i ka caktuar Shqipërisë, duke tentuar ta fajësojë atë për anarkinë e vitit 1997. 

Së dyti, për kontrabandën e naftës së tij me Milosheviçin ka akuzuar Kishën ortodokse shqiptare, se qëndron pas saj. Merreni me mend kryepeshkopin Anastas duke shitur e blerë naftë për Milosheviçin përmes kompanisë “Shqiponja” të PD, drejtuar nga Tritan Shehu.

Së treti, për firmat piramidale ka akuzuar bankat perëndimore ku nënkupton ato amerikane dhe evropiane.

Prej 1997 e deri më sot ai është përballur vazhdimisht me këto akuza dhe ka ndryshuar qëndrim vit pas viti sipas nevojave që ka pasur. Për trazirat ka fajësuar amerikanët, pastaj grekët, pastaj italianët, pastaj FMN dhe Bankën Botërore e kështu me radhë.

Për trafikun e naftës me Milosheviçin në fillim ka fajësuar fshatarët shqiptarë që kalonin naftën me bidonë, pastaj ka pranuar se ka bërë marrëveshje me ish- presidentin e Malit të Zi, Bulatoviqin, pastaj ka shpikur se ka qenë nevoja e liderëve të Kosovës për naftë për bujqësi, ndërkohë që nafta shkonte në Mal të Zi dhe Kosova qe e pushtuar, e kështu me radhë.

Për firmat piramidale ka akuzuar mafien italiane, mafien greke, BERZH, FMN, Bankën Botërore etj.

Tani thjesht po kujtohet se i ka thënë të gjitha këto dhe i ka në dosjen e tij si “non grata” dhe përpiqet t’i zhbëjë. Po nuk iI zhbën dot. I ka me zë, figurë dhe shkrim të gjitha.

Të njëjtën gjë bën dhe me ish- bashkëpunëtorët e tij.

Rasti i Ilir Rusmalit është më flagrant. Ilir Rusmali vuri në siklet qeverinë Berisha me dorëheqjen e tij në nëntor 2008, për një mungesë etike të vëllait vet. Standardi që krijoi Rusmali duke dhënë dorëheqje për një kafe të inskenuar, që vëllai i tij kishte pirë me drejtorin e burgjeve për një tender që nuk u bë kurrë, automatikisht duhet të çonte në dorëheqje Sali Berishën për historinë e djalit të tij në Gërdec, për të cilin Rusmali ishte dëshmitar dhe e ka kundërshtuar me shkresa dhe qëndrime biznesin e tij në Gërdec.

Nëse Prokuroria mund të kërkojë sms e djalit të tij, mund të gjejë dhe ankesat e tij drejtuar personalisht Rusmalit për këtë çështje. Atij i çonte sms se mua më ankohej nëpër korridore se “ai Rusmali s’po e ndihmon tek ajo puna me amerikanët në Vorë”.

Berisha tani ngatërron qëllimisht dhe kohën dhe ngjarjet. Kur Rusmali dha dorëheqje ishte vetëm ministër Drejtësie dhe jo zëvendëskryeministër. Nga zëvendëskryeministër Berisha e largoi më parë, se nuk firmosi letrat për biznesin e djalit të tij në Gërdec. E keni të zbardhur në procesverbalin e mbledhjes qeverisë. 

E çoi ministër Drejtësie dhe aty inskenoi përmes Koliqit regjistrimin për villain, me shpresë se do t’i bënte shantazh. Por ai dha dorëheqje pasi kuptoi skenarin dhe ja dogji gjithë intrigën. Dhe Berisha u tremb dhe doli e mbrojti.

Po atë mbrëmje të nëntorit 2008, unë kam dalë në TV dhe kam deklaruar se nëse Rusmali jep dorëheqje për çështje etike, kryeministri duhet te japë dorëheqje se i biri merret me armë në Vorë. Prej asaj dite nisi lufta ndaj meje me të gjitha mjetet. Dhe ishte gjashtë muaj para se Gërdeci të hidhej në erë.

Tani atë e shqetëson fakti që Rusmali ishte modeli i antikorrupsionit dhe i ngjan si hakmarrje fakti që ai vazhdon të jetë profesionist si anëtar i KAS në KQZ dhe i duket i mirë Celibashi, pasi u bë avokat i djalit të tij për shkak të Mediut, prej 2008.

Të njëjtën gjë po përpiqet të sajojë dhe për mua, duke më zbavitur. Kishte porositur një gazetar t’i ngrinte topin në një nga intervistat e tij, duke e pyetur për tërheqjen time nga zgjedhjet më 2001 në Durrës (e kam harruar dhe vetë). Dhe Berisha e kishte gati përgjigjen se unë qenkam tërhequr se më kishte paguar Agasi i Ilir Metës 100 mijë dollarë.  Është shumë zbavitëse si akuzë, pasi për të pastruar Metën si hajdut votash, tani i duhet të bëjë pis viktimat e tij. 

Dorëheqja ime nga masakra e zgjedhjeve të 2001, u bë pasi Ilir Meta dhe bandat e tij shkuan në zonën e Gjipales në Shijak dhe i mbyllën zgjedhjet që më 7 të mëngjesit, ndërkohë që fillonin në orën 8. Dorëheqja ime në mesditë ishte i vetmi argument që Berisha ka përdorur kundër atyre zgjedhjeve. Me dorëheqjen time ai ka diskretituar ato zgjedhje dhe Ilir Metën, të cilit tani i duhet t’i kërkojë falje. 

Por nëse unë kam marrë lekë për t’i shitur zgjedhjet, si ka mundësi që pas zgjedhjeve të 2001 e deri sa fitoi më 2005, ai  më kishte njeriun më të afërt dhe më ftonte çdo javë në shtëpi. Me këtë logjikë i bie të kem ndarë lekët me atë, se ndryshe nuk kishte pse më mbante aq afër. 

Por kjo logjikë funksionon për njerëz normalë. Nuk funksionon për Sali Berishën. Ai tani është në hall dhe kërkon të rishkruaj historinë, siç i duhet tani. Ai do të thote se atëhere nuk na ka vjedhur votat Ilir Meta por i kemi shitur vet.

Por edhe pse ka bërë miliona duke vjedhur dhe vrarë shqiptarët, nuk ka aq lekë sa të blejë të shkuarën e tij. Ajo po hakmerret ndaj tij siç e meriton.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja