Mero Baze: Sot Sali Berisha u braktis nga opozita

Mero Baze: Sot Sali Berisha u braktis nga opozita

Ish-kryeministri Sali Berisha

Të gjithë e prisnim fundin pa lavdi të Sali Berishës pas përfundimit të sulmit mbi seli. Edhe pse policia i la një orë e gjysmë kohë ta merrte atë “me mjete paqësore”,  si varre, leva, shkallë, molotov etj, ai nuk ja doli dot.

Pas kësaj ai premtoi atë që kam thënë qysh kur e ka nisur këtë lëvizje pas 9 shtatorit, revolucionin e pandalshëm. Në fakt kjo është strategjia e tij prej fillimit. Sali Berisha nuk do një datë finale, pasi çdo datë për të është një datë makthi, që i fillon një dënim të ri.

Ai do thjesht që të mbajë gjallë situatën e delegjitimimit të Partisë Demokratike, me shpresë se do mbajë njerëzit të mobilizuar për të ilustruar kryengritjen e tij anti-amerikane. Pra ai do që të huajt ta shikojnë që ai ka njerëz nga pas për të shkaktuar rrëmuja dhe të flasin me të.

Vetë është i qartë që askush nuk do të flasë me të, por shpreson që budallenjtë që i shkojnë pas, të mos e kuptojnë këtë gjë dhe të vazhdojnë t’i shkojnë pas. Pas kësaj që ndodhi sot, nga rreth 1 mijë vet që kishte, herën tjetër mund të ketë 100. Por ai do vazhdojë. Fotoja e tij e sotme, i vetëm buzë Lanës me 30 vetë pas, është simboli i këtij revolucioni.

Nga ana tjetër  Berisha u përpoq të jepte mesazhe dhune ndaj personaliteteve të Partisë Demokratike që e kanë sulmuar fort atë. Rasti i Roland Bejkos ishte shumë ilustrues. Nga gjithë deputetët e PD që hynë në seli dhe drejtues të tjerë, disa militantë të dhunshëm të Berishës, të gjithë tropojanë, përzgjodhën Roland Bejkon për ta sulmuar fizikisht, vetëm pse ai është artikulaur qartë dhe ashpër kundër Sali Berishës.

Siç ndodh rëndom, Sali Berisha në të tilla raste “i bën shembull” ata që e sulmojnë, duke i dhunuar. Ka dhunuar dhe rrahur çdo kundërshtar në Partinë Demokratike. Ka dhunuar Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Eduard Selamin, Dashamir Shehin, Dylber Vrionin, Leka Toton, Tomorr Dostin,  madje dhe Genc Pollon.

Sulmi i falangave të tij ndaj Roland Bejkos ishte mesazh për ata që guxojnë ta sulmojnë publikisht. Por një mesazh që nuk frikësoi as Roland Bejkon dhe besoj as të tjerët. Thjesht rriti neverinë për këtë mbetje toksike të politikës shqiptare, që mendon se ka ende dhëmbë të kafshojë.

Por përfundimi i turpshëm i protestës dhe shfaqja e barbarisë para selisë së Partisë Demorkatike, ka goditur për vdekje imazhin e Sali Berishës tek opozita. Me atë që ka bërë sot, me ngrefosjen për fitore dhe ikjen “me bisht në shalë” pas vandalizmave, Sali Berisha i ka mbushur mendjen çdo opozitari se me atë nuk ka më të ardhme.

Edhe armiqtë më të egër të Bashës, sot kanë filluar të thonë që “duhet të ikë dhe Basha, dhe Berisha”. Pra Berishën sot po e braktisin të gjithë, edhe ata që shpresonin që përmes tij do hiqnin Lulzim Bashën.

Sot Sali Berisha është braktisur nga opozita, madje dhe nga ata që mblodhi në stadium me 11 dhjetor. Përveç Floriana Garos, që ju deshën dy orë të kuptonte që nuk po fitonin, por po humbisnin, dhe të ndëpriste të qeshurën e të bëhej serioze, pjesa tjetër ju shmangën kamerave dhe sidomos afërsisë me Berishën.

Kjo e vë Lulzim Bashën para detyrimesh të mëdha për opozitën. Ai sot nuk është një triumfator, por një qëndrestar i dënuar të mbrojë legjitimitetin e Partisë Demokratike dhe aleancën e saj me Perëndimin. Por ai e ka detyrë të bindë opozitarët e zhgënjyer prej tij dhe të trullosur nga Sali Berisha, për të ardhmen e Partisë Demokratike. Nuk flas për llumin që ishte në oborrin e PD, por për ata qindra mijëra votues të PD, që ndjehen të turpëruar sot, kur shikojnë se çfarë është në gjendje të bëjë Sali Berisha kundër PD.

Riorganizimi i opozitës dhe një debat qytetar brenda saj do të mund të rikthejnë besimin e qytetarëve tek ajo. Skena e sotme nuk ka dëmtuar vetëm Sali Berishën. Skena e sotme para PD, ka dëmtuar imazhin e opozitës që pretendon të vijë në pushtet.

Mënyra se si Sali Berisha përpiqet t’i imponohet opozitës, me varre, leva e matrapikë, është një tablo e mënyrës se si mund t’u imponohet qytetarëve nëse vjen në pushtet.

Lulzim Basha dhe të tjerë opozitarë brenda dhe jashtë PD, duhet t’i bindin shqiptarët se nuk jan shpellarë, primitivë dhe banditë rrugësh, por qytetarë dinjitozë të këtij vendi, tek të cilët mund të besojmë.

Skenat e sotme janë një film i përsëritur i portrtetit të Sali Berishës këto tridhjet vjet. Por ai nuk ka çfarë humbet. E ardhmja e tij në politikë është tashmë e ndaluar, jo vetëm nga politika perëndimore, por dhe nga perëndimi i moshës së tij fizike.

Ai mund ta vonojë, por nuk e ndal dot rimbëkëmbjen e opozitës, e cila për t’u bërë e pranueshme, duhet të shërohet përjetësisht nga virusi më i ndyrë i politikës shqiptare, “berishizmi”. Kush e kishte harruar, apo është bezdisur prej meje që ua kujtoj shpesh, e pa sot kush ishte.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tani: 09/01/2022 02:38

    Bravo mero si gjithnje brilant.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit