Mero Baze: 'Standardi' i ndëshkimit të Tahirit ndëshkon drejtësinë

Mero Baze: 'Standardi' i ndëshkimit të Tahirit ndëshkon drejtësinë

Saimir Tahiri

SPAK ka përsëritur në rekursin drejtuar Gjykatës së Lartë akuzën e tij për lidhjet e Saimir Tahirit me kushërinjtë e tij që trafikonin hashash në Itali, duke përdorur influencën e pushtetit të tij si ministër. Tani kjo dosje është gjykuar dhe rigjykuar disa herë dhe nuk mund të bëjmë komente për vendimet e gjykatave, por për standardin e vendosur për hetimin e zyrtarëve të lartë.

Standardi i vendosur për hetimin e Saimir Tahirit vë në shënjestër çdo devijim, qoftë dhe etik, të një zyrtari të lartë nga detyra e tij, duke u penalizuar qoftë dhe për përfolje apo për shpërdorim detyre. Moszbatimi i këtij standardi njësoj për të gjithë e kthen procesin ndaj tij në një linçim personal, për shkak te mungesës se mbështetjes politike.

Prandaj debati duhet mbajtur tek  zanafilla e nisjeve të hetimit.

Çfarë do të kishte ndodhur fjala vjen nëse standardin Tahiri drejtësia shqiptare do ta kishte përdorur për Shkëlzen Berishën në rastin e skandalit të lobimit të tij për një përfitim të kompanisë çeke që mori OSSHE , e cila përfitoi nga lobimi një zbritje rreth  60 milion euro nga buxheti i shtetit shqiptar?

Çfarë ka bërë Shkëlzen Berisha? 

Në një email që u zbulua dhe u pranua zyrtarisht si provë, i drejtorit të CEZ për Shqipërinë, Hejsek, bëhej fjalë për një takim që u nevojitej me kryeministrin Berisha për një aferë që ka të bëjë me çmimin e energjisë elektrike, takim që duket se ishte lobuar nga i biri i Sali Berishës. Në email thuhet se pas takimit me Berishën, do të bëhej takimi me të birin.

Vendimi i qeverisë që u lobua nga ky takim, ka një impakt prej 60 milione dollarë në dëm të ekonomisë sonë.

Shkëlzen Berisha u mbrojt se ai nuk mban përgjegjësi se çfarë shkruajnë në emaile të tjerët për të.

Këtë argument në fakt duhet ta përdorë për mbrojtje Saimir Tahiri, se ai vërtet nuk mban përgjegjësi çfarë thonë në telefona kushërinjtë banditë. Por ndryshe nga Tahiri,  për Shkëlzen Berishën, ngjarja provohet. 

Pas publikimit të emalit të drejtorit të CEZ për Shqipërinë, Hejsek, drejtuar nëndrejtorit të CEZ-it ne Pragë, Tomas Pleskac, më 28 janar 2010, gazeta TemA bëri një kontroll të fakteve me axhendën e kryeministrit Berisha në ato ditë, dhe rezulton se të gjitha faktet në email, provohen nga axhenda e Berishës si kryeministër.

Drejtori i CEZ për Tiranën, Hejsek, i shkruan eprorit të tij se takimin me të birin e Berishës do ta bëjnë nesër, pas ardhjes se kryeministrit.

Nga verifikimi i axhendës së Berishës rezulton se në datën 29 janar, Berisha është kthyer në Tiranë nga një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku ka lobuar për të rritur presionin ndaj opozitës për t’u rikthyer në Kuvend. Berisha ka dalë para gazetarëve më 29 janar dhe ka treguar se çfarë kanë kërkuar në Këshillin e Europës për rikthimin e PS në Kuvend.

Nga ana tjetër, Hejsek, duke i shpjeguar klimën rreth kryeministrit, shefit të vet, thotë se e ka takuar Berishën një ditë më parë në takimin me investitorët e huaj, dhe ai i ka thënë se kishte kënaqësi që do të takohej me të përsëri.

Nga axhenda e verifikuar e Berishës, rezulton se në datën 27 janar, Berisha ka takuar investitorët e huaj në Tiranë. Zyra e tij ka njoftuar se “kryeministri Berisha përshëndeti dje pasdite takimin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipëri (FIAA), organizuar me rastin e fillimit të aktivitetit për vitin 2010”.

Pra të gjitha detajet e emalit të Hejsek qëndrojnë dhe provojnë faktin se takimi me të birin e Berishës ishte pjesë e programuar e axhendës që do të kishte nëndrejtori i CEZ nga Praga në Tiranë, takim që duhet të jetë kryer më 30 janar.

Pra nuk është vetëm emaili që përflet Shkëlzen Berishën, por gjithë axhenda e Kryeministrisë ato ditë, që provon emaili. Prokuroria injoroi kërkesen për padi penale nga Komisioni Hetimor Parlamentar.

Pra kemi një bisedë mes dy kushërinjve të Saimir Tahirit për të cilën kërkohet 12 vite burg, ndërkohë që shumica e kushërinjve janë liruar nga burgu, ndërsa për Shkëlzen Berishën, të cilit i provohet përfolja në emalin që i ka kushtuar Shqipërisë 60 milionë euro, pushohet çështja. 

Përdorimi i dy standardeve nga drejtësia shqiptare në këtë rast, tregon se standardi i ndëshkimit të Tahirit, në fakt ndëshkon drejtësinë shqiptare e cila është selektive dhe nën impresionin e paprekshmërisë së Sali Berishës.

I njëjti standard turpëron drejtësinë shqiptare në rastin e bisedës së përgjuar mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Gjithë mbrojtja e Ilir Metës dhe Sali Berishës për këtë rast, është përqendruar të hedhin poshtë kasetën duke e quajtur “që nuk ekziston”. Në fakt ekziston hetimi i Prokurorisë për ngjarjet që paraqiten në kasetë që provojnë se ato kanë ndodhur.

Pra kërkesat e Ilir Metës për vende pune, premtime bakshishesh nga Prifti për leje hidrocentrali etj, nuk janë muhabete përgjimi, por ngjarje që kanë ndodhur dhe që Prokuroria i ka provuar në dosjen e saj, por që drejtësia e la në rrugë.

Përfolja e Saimir Tahirit nga kushërinjtë  është dënuar, kurse përfoljet e bisedës mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës janë provuar, por nuk janë ndëshkuar.

E njëjta paralele është dhe me ndëshkimin e Saimir Tahirit për shpërdorim detyre. Standarti që ajo krijon për një titullar institucioni, është shumë i lartë dhe i dobishëm për të hetuar 21 janarin. Sali Berisha në orën 19: 30 të mbrëmjes ka pranuar publikisht se ka fakte që sulmi ishte një puç shteti, kurse të nesërmen më 22 janar thotë që i ka të gjitha regjistrimet e kamerave të Kryeministrisë, ndërkohë që ekspertiza amerikane provoi se serveri është zhdukur  në orën 01: 30 minuta të mesnatës mes 21 dhe 22 janarit, për t’i zhdukur si prova.

Merrni standardin e gjykimit të Saimir Tahirit dhe çojeni para drejtësisë. Ose pranoni që ky është standard vetëm për dikë që nuk ka mbështetje politike, por jo për ata që kanë bërë gjëma në këtë vend.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Një: 14/04/2022 22:45

    100% i saktë artikulli. Spaku është një nga tentakulat e shumta të Sali kalbësirës dhe Ilir floririt me shokë

    Përgjigju
    • Dyshi: 15/04/2022 02:26

      Jo 100% por 1000% i sakte. Ishalla marrin mente e Meros dhe e degdisin Xenin ne 100 penxhedet. Por me te njejtin arsyetim si i behet halli per Ramen, Veliajn dhe lukunite nha pas mer jahu?

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’