Mero Baze: Të gjithë e duan Berishën t’u 'vrasë' Lulin, por jo t’i udhëheqë

Mero Baze: Të gjithë e duan Berishën t’u 'vrasë' Lulin, por jo t’i udhëheqë

Sali Berisha

Debati kryesor brenda Partisë Demokratike, nuk është a do ta mundë Sali Berisha, Lulzim Bashën, apo e kundërta, por çfarë do të bëjë ai që do të fitojë, me fitoren. Kjo pyetje në të vërtetë tregon se Partia Demokratike është sot një parti pa plan për të ardhmen e saj.

Në këtë pike, mbështetësit e Berishës dhe ata që i bashkëngjiten atij në takime, kanë si plan të tyre kryesor, përdorimin e Sali Berishës si një mjet për të hequr nga kryetar Lulzim Bashën. Së paku ky është i vetmi argument që ata të japin, kur i pyet se çfarë do të bëni me Sali Berishën, nëse ai e fiton këtë betejë.

Argumenti se Berisha na duhet për të hequr Lulzim Bashën, në të vërtetë është radiografia reale e gjendjes së sotme në PD dhe tregon nivelin e dëshpërimit të saj.

Një parti që ka ngulitur në kulturën e saj mungesën e demokracisë së brendshme dhe respektimin e votës së lirë brenda partisë, nga Sali Berisha, tani po përdor fajtorin e saj kryesor, të vrasë një krijesë të tij, duke mos pasur asnjë plan pas kësaj.

Mjafton kjo për të dëshmuar se gjithë mbështetësit e Sali Berishës janë njerëz pa personalitet politik, anonimë, ose të degraduar mendërisht, si ata që rrëmbejnë mikrofonat nëpër salla dhe në të vërtetë po dëshmojnë më shumë çoroditjen e parties, se sa një plan të saj për t’u reformuar.

Të pafuqishëm për t’u përballur me Lulzim Bashën dhe problemet që ai ka prodhuar në PD, ata po përdorin zemërimin e Sali Berishës, si ata njerëzit e dobët që shkojnë tek i forti i lagjes dhe i ankohen se dikush u ka rënë më qafë.

Ata po e përdorin Sali Berishën, siç shumë njerëz të dobët dhe pa mbështetje kanë pas përdor Nehat Kullën apo Zani Çaushin për të marrë hak ndaj atyre që nuk kishin fuqi të përballeshin.

Por e ardhmja e PD, dhe sidomos e ardhmja e opozitës në tërësi, nuk është një pirg mërish ndaj Lulzim Bashës apo një shpresë tek hakmarrja e Sali Berishës ndaj tij. E ardhmja e PD është një parti pa Sali Berishën dhe pa ndonjë të emëruar të ri të tij në krye të saj.

Fakti që askush nuk përgjigjet dot se çdo bëhet me fitoren e mundshme të Berishës dhe ngurojnë të thonë se do të jemi një parti e Sali Berishës, tregon se në përballjen Basha- Berisha, ka thuajse zero mbështetës realë që guxojnë të thonë se e ardhmja jonë do të jetë Sali Berisha në krye të PD, po qe se biem dakord që Balliu nuk mund të merret seriozisht.

Në dallim nga mbështetësit e Berishës që thonë se Berisha na duhet vetëm sa të heqim Lulzim Bashën, mbështetësit e Bashës së paku thonë që Basha na duhet në krye të PD. Është e sigurtë se ata nuk janë një shumicë brenda PD, por të paktën janë një shumicë e qartë, pasi e dinë kë duan kryetar.

Mbështetësit e Berishës janë në fazën që kanë gjetur një të fortë të vrasë armikun e tyre, por druajnë të thonë se këtë të fortin e duan pastaj për kryetar.

Sali Berisha po përdoret si një dordolec për të trembur Lulzim Bashën, por jo si një figurë që dikush mund t’i besojë të ardhmen e PD. Dhe kjo e bën betejën e tij jo vetëm pa perspektivë, por dhe një betejë primitive, hakmarrëse, linçuese, dhe mbi të gjitha shkatërruese për Partinë Demokratike.

E vërteta është se PD reale do të ringrihet në këmbë kur të mos jetë opsion, ose Berisha, ose Basha, por në këto kushte si po zhvillohet beteja, ne kemi një grup që e di kë do kryetar dhe një grup tjetër që nuk e di kë do kryetar, por di kush duhet vrarë.

Të gjithë e duan Berishën t’u vrasë Lulin, por jo që t’i udhëheqë më tej. Berisha është sot një njeri pa plan, pa kandidat dhe pa shpresë. Ai ka pas vetes ata që njësoj si ai, mendojnë që “pas Berishes, qameti”.

Është diferenca mes atyre që duan që PD ta marrë me vete Berisha dhe të tjerëve që duan ta shpëtojnë nga emri i tij, edhe pse kalin e betejës e kanë të lodhur.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Katarakti: 29/09/2021 10:25

    Berisha eshte ne gjendje "shock"! Ai njeri ka dale mendsh! Kjo tregon se sa arkaike ka qene dhe eshte PD e shpresave te medha!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë