Mero Baze: Zgjedhja e Dumanit zbuloi makthin e Berishës për reformën në drejtësi

Mero Baze: Zgjedhja e Dumanit zbuloi makthin e Berishës për reformën në drejtësi

Altin Dumani

Ndër reagimet pas zgjedhjes së kreut të SPAK, ai i Berishës ishte më i sinqerti. Mërzia e tij për rolin e SHBA në zgjedhjen e kreut të SPAK, natyrisht që e kishte mërzitur deri në tërbim. Aq më tepër suksesi i mbikëqyrjes së këtij procesi prej tyre.

Në gjithë retorikën e Sali Berishës dhe Ilir Metës kundër reformës në drejtësi, kryefjala e akuzave ka qenë se sistemi është i kapur nga Edi Rama, por në fakt realisht kishin parasysh SHBA dhe BE. 

Thellë thellë Berisha dhe Meta kanë dashur që sistemin ta kapte vërtet Edi Rama, pasi me të mund të gjenin gjuhën për të ndarë influencën. Tërbimi i tyre që në fillim ka qenë se reforma dukej që ishte e “kapur” nga partnerët ndërkombëtarë, të cilëve ju garantua dhe me Kushtetutë mbikëqyrja e kësaj reforme.

Por meqë e kanë pasur gjithmonë problem të artikulonin hapur kundër SHBA, gjenin gjithnjë një kundërshtar për të justifikuar betejën e fshehtë me Perëndimin. Pak a shumë si në rastin e betejës me Lulzim Bashës, që bëhej për të maskuar betejën me SHBA.

Për katër vite rresht prej kur SPAK ka marrë rrugë, gjithë akuzat mbi SPAK ishin se ai kontrollohej nga Edi Rama. Në fakt SPAK gjatë gjithë kësaj periudhe ka hapur çështje vetëm kundër Edi Ramës dhe njerëzve të tij.

Prokurorët kryesorë të SPAK, përfshi dhe zotin Dumani që u zgjidh kreytar, kanë qenë prokurorë të çështjes së Gërdecit dhe e kanë varrosur me dorën e tyre lidhjen politike me skandalin, duke bërë sikur nuk shikonin gjurmët e përgjakura të familjes Berisha në Gërdec. Në këtë aspect, Berisha duhet të ishte i qetë me zgjedhjen e zotit Dumani.

Por ai është i tërbuar.

Dhe arsyeja është se Dumani, nën pushtetin e Berishës dhe nën pushtetin e Ramës, mund të jetë i ndryshëm nga Dumani nën pushtetin e SHBA dhe BE. 

Ndaj gjithë retorika e tij për gjoja kontrollin e institucioneve të reformës nga Edi Rama, ka qenë thjeshtë një mënyrë për të shmangur makthin e tij kryesor, që është mbikëqyrja e këtyre institucioneve nga Perëndimi.

Tërbimi i Sali Berishës për zgjedhjen e Dumanit, nuk ka të bëjë me Dumanin, pasi atë e ka pasur prokuror të tij dhe e ka propozuar në detyra të rëndësishme. Makthi është se tani ky është një proces që nuk e kontrollon Sali Berisha dhe ai ka frikë dhe makth nga çdo gjë që nuk e ka nën kontroll. 

Tani do të ishte jo logjike që kryetari i ri i SPAK të thoshte që SHBA nuk na ka thënë të hetojmë Berishën e shpallur “non grata”, pasi atë e ka thënë me zë dhe figurë çdo zyrtar i lartë amerikan. Dhe kur thonë faktet janë aty, kanë parasysh edhe Gërdecin, që të njëjtët prokurorë e kanë trajtuar si aksident teknologjik. 

Ndaj është i sinqertë dëshpërimi i Berishës për triumfin e kandidatit të SHBA në krye të SPAK. Ai e di çka bërë, por nuk di çfarë kanë ndërmend të bëjnë të tjerët me të. Sidomos SHBA. Po ta kishte marrë vërtet Rama, ndoshta do ishte më i qetë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aliu: 17/12/2022 21:28

    Përveç kërmës Sali, Dumani është dhe makthi i Ramës, Metës, Bashës, e gjithë shpurës së tyre bastarde.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!