Një zjarr ka përfshirë bllokun elektrik të një pallati në lagjen Besëlidhja, në qytetin e Lezhës. Ngjarja është regjistruar në orët e drekës, duke shkaktuar frikë dhe panik te banorët, të cilët, si pasojë e tymit të dendur, janë detyruar të dalin nga banesat. Siç shihet edhe nga pamjet blloku elektrik është shkrumbuar nga flakët. 

Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Ndërkohë, punonjësit e OSHEE kanë stakuar energjinë elektrike për rreth 30 minuta në këtë lagje, si masë sigurie.

Aktualisht po punohet për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike për banorët e pallatit të prekur.