Një gomone me 157 emigrantë në bord u përmbys në Kanalin Anglez pasi motori i saj mori flakë, teksa po tentonte të kalonte nga Franca drejt Britanisë.
Të gjithë personat në bord u shpëtuan gjatë një operacioni të gjerë kërkim-shpëtimi, ku morën pjesë mjete detare franceze dhe britanike, si edhe një anije e Institutit Mbretëror Kombëtar të Shpëtimit në Det (RNLI).
Sipas autoriteteve franceze, në gomone ndodheshin fillimisht 162 persona. Pesë prej tyre ishin shpëtuar më herët gjatë natës në një incident tjetër dhe ishin kthyer në Bulonjë, ndërsa 157 të tjerët kishin vendosur të vazhdonin udhëtimin.
Roja Bregdetare britanike bëri të ditur se mjeti mori flakë në zonën franceze të kërkim-shpëtimit, ndërsa ekipet britanike iu bashkuan operacionit për nxjerrjen e personave nga uji.
Autoritetet franceze thanë se emigrantët fillimisht refuzuan ndihmën. Sipas tyre, për shkak se gomonia ishte e mbingarkuar dhe e paqëndrueshme, nuk u tentua transferimi me forcë i personave në mjetet e shpëtimit, për të shmangur rrezikun e një përmbysjeje.
Në përfundim të operacionit, të 157 emigrantët u dërguan në Bulonjë.
Sipas të dhënave të autoriteteve, kjo ishte një nga gomonet me numrin më të madh të personave në bord që ka tentuar të kalojë Kanalin Anglez këtë vit. Vetëm javën e kaluar, katër persona humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar me gomone të mbingarkuara drejt Britanisë.









Komente
Komento